jahja koka

Ajnshtajni dhe profesorët-doktorë shqiptarë

Në fakt në shkrimin tim nuk bëhet fjalë as për Ajshtajnin dhe as për Profesor-Doktorët shqiptarë, por për një shkrim gjoja shkencor të Prof. Dr. Jahja Koka, të cilin unë e pashë sot padashur në internet. Por ngaqë nuk mund të gjeja titull më të shkurtër se kaq, vura titullin e mësipërm.

Profesori në fjalë duket vjen nga Kosova, siç edhe duket nga dialekti i përdorur në shkrimin e tij dhe, po të kemi parasysh që paska një titull shkencor të lartë, Prof.-Dr., duhet të presim nga ai një shkrim vërtet shkencor. Fatkeqësisht më duket e kundërta e kësaj, ndaj dhe u ula tani të them dy fjalë.

Shkrimi i profesorit është në gazetën Bota Sot, botuar një muaj më parë, më 21 mars 2015, si të thuash me rastin e 100 vjetorit të teorisë së përgjithshme të relativitetit (TPR) nga Ajnshtajni dhe ka titullin: Publikohet zbulim epokal në kozmologji.

Në shkrim bëhet fjalë për një dedektim (ndijim, përthithje) valësh gravitacionale nga një ekip shkencarësh në mars 2014, lajm ky i cili nuk kaloi në heshtje nëpër lajme të ndryshme, e për të cilin kanë dëgjuar ata që interesohen mbi zbulimet shkencore.

Qysh në titull mbetemi pak të shokuar sepse, ndonëse astrofizika dhe kozmologjia kanë mjaft ngjashmëri me njëra-tjetrën, në këtë rast ne kemi të bëjmë më tepër me një zbulim astrofizikal, se sa kozmolog. Pra, emetimi (dedektimi, provimi) i këtyre valëve është pjesë që e studjon astrofizika. Në bazë të këtij zbulimi, kozmologia ecën më tej me përfundimet e saja, bije fjala në ato të krijimit të Universit, ekspansionit të tij (si, qysh, pse), etj. Pra, një Profesor-Doktor duhet ta saktësonte më mirë përkatsinë e zbulimit të përmëndur.

E dyta, ky zbulim nga ekipi i astrofizikanve me në krye John Kovaç, është thjesht një dyshim, një shpresë, se mund të kemi të bëjmë me valë graviteti, që i përkasin fillimeve të Universit tonë, -po të pranojmë dhe të mos kemi diskutim për Bigun e Madh të Lemertesë. Pra, as që kemi të bëjmë me valë graviteti, por siç mendohet nga shumica e studjuesve, kemi të bëjmë thjesht me pluhur kozmik. Mendoj se entuziazmi i parakohshëm (e njëkohësisht i vonuar!) i autorit tonë nuk i shkon një Profesor-Doktori.

E treta, zbulimi (provimi, dedektimi) i këtyre valve gravitacionale do të thotë edhe zbulim i grimcave gravition, gjë kjo që –sipas fizikanve– ka të njëjtën rëndësi jo vetëm për hapsirën dy-dimensionale ajnshtajniane, pra për TPR e tij, por dhe për modelin kuantik, -të dy teoritë kanë shoqëruar njëra-tjetrën si macja me miun dhe vetëm vitet e fundit po bëhen disa tentativa arnimi të të dyjave sëbashku, me anë formulash matematikore dhe hipotezash të ndryshme, akoma pa një sukses të qartë e të dukshëm. Profesor-Doktori duhet të ish ndalur këtu dhe jo të përmendte shkarazi inflacionin kozmologjik.

Edhe më poshtë në shkrim, tek duket se autori ynë futet në hollsira, ai ngatërron teorinë që ka unifikuar forcat e dobta (bashkveprimin e dobët, apo atë që quhet zbërthimi radioaktiv) me elektromagnjetizmin, tek thotë: „Unifikimin e forcave në shkallë bërthamore e pat bërë Abdu-Selam, Nobelisti nga Pakistani.“ Këtë fjali të tij e han një njeri që nuk ka bërë fizikë fare. Por ai duhet ta dijë se brezi im, ndonëse nën diktaturë i rritur, i kish mësuar katër forcat (bashkveprimet) kryesore në natyrë. Dhe në shkallë bërthamore nuk vepron vetëm forca e dobët, por më shumë vepron forca e fortë (lidhja e quarkeve në bërthamë të atomit).

Përveç kësaj, ky Profesor-Doktor, kur përmend njërin nga „unifikuesit“ e kësaj force në shkallë (!) bërthamore, duhet të përmendi edhe dy kolegët e tjerë të tij, Sheldon Lee Glashou dhe Steven Ueinsberg, e ndoshta edhe Gerald Feinberg, të cilët gjithashtu janë themeluesit e këtij unifikimi teorik të elektromagnjetizmit me forcat e dobta në atom.

Shkrimi i këtij Profesor-Doktori ka edhe shumë e shumë thënie të parregullta, si ato të kushtëzimit të inflacionit me valët gravitacionale, apo tejkalimin e shpejtësisë së dritës nga inflacioni kozmologjik, dhe ajo që i ve kapakun në fund këtyre çoroditjeve teorike është vula e tij e sigurtë, se provimi i këtyre valëve graviteti bashkon pamëdyshje TPR ajnshtajniane me teorinë kuantike!!! Ai harron se kuantet e Plankut e ndihmuan Ajnshtajnin të merrte Nobelin në shpjegimin e emetimit kuantik në elektricitetin dritor (efektin fotoelektrik). Autori ynë don të thotë ndoshta: me fenomenet e mekanikës kuantike! –gjë edhe në këtë rast ky bashkim nuk mund të bëhet kaq kollaj midis dy teorive.

Kaq kollaj nuk kalon as ky shkrim prej Profesor-Doktorësh tek lexuesi i mësuar shqiptar, ashtu dhe titujt e shpërndarë me lopatë në tregun shqiptar të mësimdhënies.

21. 4. 2015

robertthomai@gmx.de

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund të merret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose robert thomanikaj