panair 2023

                   Panairi i librit 2023 

Se kush autor shkruajti që panairi i librit është një pazar tregëtie, një autor tjetër ka shkruar se ai nuk shkon në panair për këtë e atë arsye, unë për vete iu bashkëngjita me kënaqsi atij këtë vit, paçka mangësive të mëdha që -padiskutim- vëren çdokush aty! Duket kjo kënaqsi do ketë të bëj me faktin, se ishte hera e parë që unë e vizitova këtë event, po të mos llogaris atë vizitë të shpejtë në nëntorin e 2004-ës tek Piramida, atë gjysëm ore para mbylljes së tij, ku shumica e stendave ishin ngritur e mua, vizitorit të fundit, më kishin lënë opingat për të parë.

Fati donte të gjeja një biletë të lirë aty nga shtatori, për rreth 80 euro vajtje-ardhje, Hamburg-Rinas për datat 14÷23 nëntor. (Me kaq euro nuk shkon dot nga Konispoli në Vermosh!) Kështu, të nesërmen e zbritjes, ditën e hapjes së panairit, u nisa serbes-serbes drejt Pallatit të Kongreseve, jo me atë fytyrë të lumtur, si ata antarët e partisë në kohën e atëhershme, por i humbur në mendime dhe i bekuar nga disa pika të lehta shiu, që binin mbi kokën time si tastierat e Listit. Diku aty në mes të rrugës, një burrë i veshur shik e me fytyrë paqësore ndali hapat e po më shihte me vëmëndje, duke i çuar shpesh sytë tek këmbët e mia poshtë. Nuk ishte vështirë për t’ia lexuar në sy habinë, pse jo edhe qortimin. Ç’është ky budalla që ecën nëpër shi me sandale, thoshin mendimet e tija! Ë, po-po, iu përgjigja instiktivisht, pa folur e pa patur dëshirë të grindem, thjesht përmes mendimeve. Nuk është keq, ndjesova ndërkohë, që po e nis vizitën në Tiranë përmjet bashkbisedimit telepatik! Pa diskutim ky lloj bashkbisedimi do të më duhet në ditët në vijim, thashë! Në botën hologramse tiranase, telepatia të ndihmon. Se, siç thotë poeti, sa afër, po aq dhe larg!.. Më vjen keq, i dashur, po s’kam këpucë, i thashë përmes mendimeve të veshurit shik me fytyrën paqësore. E pashë që nuk i pëlqyen fjalët e mia a ndoshta nuk i kuptoi mirë, ndaj vazhdova: kam rreth 20 vjet që vij në Shqipëri vetëm në verë, ndaj nuk më gjinden këpucë në shtëpi! Përveç kësaj, më fal, por jam një përdorues fanatik sandalesh!.. Shiku tundi kokën gjithë çudi, me qortim gjithashtu, pa ia ndarë vështrimin e sertë sandaleve të mia. Vazhdova më tej, pa i lexuar më dot ndonjë mendim. Nuk më erdhi keq për habinë dhe qortimin e tij, sa për mos-vazhdimin e bashkbisedimit telepatik nga an’ e tij. Nuk isha i sigurtë, se sa nga mendimet e mia kish lexuar, ndaj vazhdova të hedh hapat paksa të rënduar, me një cimbim të shikimit të tij në shpinë, si dhe i zhgënjyer që bashkbisedimi telepatik nuk dha rezultatin e dëshiruar, -një shenjë kjo që më tregonte, se edhe në ditët në vazhdim ky lloj bashkbisedimi nuk do t’ funksiononte sipas dëshirës time. Gjene mirë, ngrita zinxhirin e bluzës, një shenjë e qartë kjo o Robert budallai, ti largohesh fantazisë poetike e ti përqëndrohesh prozës së realitetit!..
***
Mizëria e nxënësve të shkollave dhe moshave nga më të ndryshmet shoqëroi korridoret mes stendave të shtëpive botuese përgjatë atyre ditëve të para, nga e mërkura deri të premten, por edhe të shtunën erdhën dy-tre klasa, këto të fundit ndoshta nga rrethet. Mezi mund të lëvizje prej kësaj mizërie të madhe nxënësish, që më së shumti bënin radhën e shëtitësit, apo dhe atyre që luanin kuka-mëçefti, se sa atë të vizitorit të librave. Një lloj uverture e çuditshme, as për ta pëlqyer, por as për ta kritikuar! Kish dhe ajo lëvizje paksa kaotike siparin e vet. Ne jemi këtu sepse na kanë sjellë, dhe na kanë sjellë sepse kështu kanë dashur mësuesit, dhe mësuesit kanë dashur sepse … ne nuk e dimë pse kanë dashur!.. Dhe, mes kësaj muzike, pjesa më interesante, skena më e lezeçme, ishte se nxënësit e rritur, ata të shkollave të mesme, apo dhe të klasave të 8-ta e 9-ta, i shihje pa libra në dorë deri në dalje. Ndërsa nxënësit e shkollave fillore i shihje me libra të blerë, të futur këto në ato qeskat dhe çantat e bukura prej letre, të cilat i mbanin shtërnguar në dorë. Të vinte edhe për të qeshur, edhe për të qarë nga kjo skenë e bukur. Dhe, fat i madh, thuaj, që s’humbte ndonjë nga të vegjëlit mes asaj mizërie; duket kjo vinte edhe se doçkat e tyre të vogëla lidheshin me njëra-tjetrën, siç buzët e një morsete.

Në programin tim nuk ishte as blerja e librave, as shitja e tyre, por 1) parja e panairit në përgjithsi, 2) regjistrimi në tru i shtëpive botuese pjesmarrëse në ‘të, dhe 3) problemi i librit tim të fundit. E para më shkoi mirë dhe -relativisht- më kënaqi, siç thashë edhe më lart, për më tepër që kisha disa vjet që e planifikoja këtë vizitë, (si Zhan Valzhani vizitën e tij tek Kozeta e vogël), por që vetëm sivjet u bë e mundur. E dyta gjithashtu më shkoi mjaft mirë, që d.t.th. se mora mjaft adresa të tyre dhe sqarimet e nevojshme të botimit. Ndërsa pika e tretë ishte për të ardhur keq, ishte dhe është ende deprimuese! Punimi im historik, ‘Herodoti -fëmija i historisë’, kish mundur të botohej në vetëm 20 copë!!! Justifikimet, … po ato të pritshmet, jo-po shumë punë, etj.! Muhabet shqiptarësh, siç thotë llafi i urtë! Nuk mund ta fsheh, siç kësaj radhe nuk më ka ndodhur me asnjë botues përgjatë 17 vjetëve në këtë fushë! Nejse, gjene mirë edhe ato 20 kopje! Dhe pa pritur botimin e plotë, siç e përmban kontrata dhe tradita e deritashme e këtij zhanri, bëra edhe resten tjetër të pagesës, 50%-in, se nuk dua ta mbaj mëndjen tek ky problem, por të jem i përqëndruar në projektet e tjera. Shpia botuese le ti zgjasi tani sa të dojë numrat dhe justifikimet. Nga ana ime nuk kanë dalë kurrë problemet, -kjo nuk është pa rëndësi…
***
Ditën e parë të panairit, të mërkurën, vetëm sa ndihmova pak Sazanin me stendat e tij pa numërim dhe u largova para se të bëhej hapja me zyrtarë e kamera të shumta; të dyja subjektet më krijojnë -nuk e di pse- alergji. Dhe vajta nga pasditja sërish, një ritëm ky që nuk u prish për të gjitha ditët e panairit. Shko çdo mëngjez në Pallatin e Kongreseve, shiko e shijo, pyet e regjistro, jep ndonjë libër e ndihmo ku të ketë nevojë. Shko pasdite, shiko, interesohu, ndihmo për ndonjë gjë, po pati dikush nevojë, e bëj pak gallatë me Kostin, Agronin dhe Elenën tek stenda e Sazanit, ku ky grup historianësh “patriotë” bashkbisedonin me lexuesit dhe shisnin edhe librat e tyre. Për t’ua lezetuar pak mbrëmjet u çova nja dy-tre herë pica, duke u thënë se i kishin nga unë antishqiptari, me bar miu. Si e ka efektin, më pyeste Kosti, të ngadaltë a të shpejtë! Shumë të ngadaltë, i thoja, se me kë do merrem unë antishqiptari pastaj, po vdiqët shpej ju! Herës tjetër u thoja se picat ishin me koçifoz. Nga vinë, më pyesnin, nga Beogradi apo nga Athina? Një nga Beogradi e një nga Athina, dhe vazhdoja, po haini, hani, se nuk iu gjen gjë ju patriotve të mëdhenj, jeni kockë e fortë ju! Nuk mund të përzihesha më shumë, se stenda ishte e Sazanit, kështu edhe në debate historike nuk mund të hyja. S.d.q., pak mendime me Helenën munda ti shkëmbej, si takimi i parë me ‘të që qe, që edhe drejtpërdrejt të dëgjonte nga unë atë qëndrim timin të kundërt me të sajin për sa i përket kohës së lashtë dhe antike në histori, ashtu siç njihej edhe Sazani dhe Agroni me ‘tezat e mia’, -këto të fundit asgjë më shumë se sinteza të atyre mësimeve të shkollës tonë. Mendoj se Helena nuk është krejt e panjohur me punimet e mia historike. Sidoqoftë i dhashë disa nga librat e mij dhe mora prej saj librin mbi Luftën e Trojës. Do më jepte dhe Agroni disa nga librat e tij, siç më ka premtuar kaq herë, mirpo në fund të panairit ai ishte përfshirë në llogarira lekësh me Kostin, ndërsa unë po ndihmoja Sazanin në mbartjen e objekteve dhe çantave me libra, e kështu iku edhe kjo herë pa marrë ndonjë libër të tij; u mbushën tre vjet që mi ka premtuar. Kosti më dha qysh ditën e dytë a të tretë një libër të hershëm të tij me poezi, që do e lexoj këto ditë. Ia dij për faleminderit Sazanit, që më la në stendën e tij tre-katër libra të mij. Rrallë mund të gjesh në panair ndonjë person që të ofron tek stenda e tij një të tillë mundësi.

Pasditeve shkoja edhe tek stenda e vogël (eugen) e Xhevairit në katin e dytë dhe zevëndësoja për çdo mbrëmje nja dy herë Astritin, sa ai shkonte e pinte ndonjë cigare jashtë. Gjatë ndënjieve aty erdhi edhe shkrimtari ynë, Dashnor Kokonozi. Nuk e di si hymë në muhabet dhe u prezantua, sepse nuk e njiha si fytyrë. Çudi, i thashë, kam pas menduar se duhet të ishe një plak i vjetër, se si emër njihesh prej dekadash. Por lexuar i kisha vetëm shkrimet tek PTF e Vehbiut, shkrime të bukura. S.d.q. Dashnori dukej njeri i thjeshtë.

Po dhe presor Xhevatin (Lloshi) po aty e takova. Plak-plak, po i ri qerratai në ecje dhe fjalë! Në pak sekonda munda shpejt vetëm ta përgëzoja si të vetmin gjuhëtar-historian nga ata që përballeshin dhe debatonin në TV me grupin e “patriotëve”, në një kohë që akademikët e tjerë fshiheshin; gjithashtu po aq shpejt e sqarova se me tezat e përgjithshme të “patriotëve” nuk pajtohesha as unë amatori, por njëkohësisht nuk pajtohesha plotësisht as me grupin zyrtar të tij dhe Eqerem Çabejt; dhe e mbylla po aq shpejt me faktin e disa punimeve të mia në këtë drejtim, duke i përmendur nja dy emra librash, e duke i shprehur dëshirën ti falja ndonjë libër a sa të donte. I tërhoqi vëmëndjen punimi im me trajtime etimollogjike, ndaj zgjodhi vetëm atë si dhuratë. Duke mos e patur librin me vete, e lamë t’ia sillja të nesërmen aty tek stenda e Xhevairit e ai do ta merrte kur të vinte sërish. E kështu ndodhi. Diku nga ditët e fundit Astriti më tha se presor Xhevati e kish marrë librin. Ishalla e lexon, thashë me vete, … deri në fund!..

Tek kjo stendë, tek po prisja Astritin të kthehej nga vet-helmimi i tij i përditshëm, shoh një fytyrë të njohur paksa. Më fal, iu drejtova gruas në krah të tij, diku e kam parë këtë njeri, … si fytyrë e njohur, … dhe u kujtova disi, mos ka qenë tek emisioni i asaj, … si e ka dreqin, Rudinës, … Po-po, mu përgjigj gruaja në krah, ai është. Ishte Dilaveri, ish-ushtaraku, që ndoshta dikur me rroba ushtarake është dukur si kolloz, ndërsa tani e kish shtypur një pallto e trashë dhe e rëndë. Bleu një libër të Emil Zola-s. Hëm, i shkonte palltos së tij! Për tu habitur që nganjëherë njerëzit përzihen me personazhet e tyre të dashur. Po aq çudi ishte që tre ditë pas panairit, një ditë para ikjes time nga atdheu, duke ecur aty ku më bie të kaloj thuajse çdo ditë, nga Pallati i Kulturës drejt Pazarit të Ri, shoh krah meje Dilaverin. I fola e pas pak më erdhi në mëndje lidhja që mund të kish me atë ish-luftëtarin e UÇK-ës, që ishte arrestuar muajt e fundit dhe që gazetat jepnin herë-herë ndonjë lajm për ‘të, ndaj e pyeta nëse ish biri i tij, apo e ngatërroja unë. Po-po, mu përgjigj, por e kanë liruar! Ah, lajm i mirë! Se edhe nuk i kisha ndjekur rregullisht lajmet përgjatë javëve të fundit. Dhe vazhduam rrugën me muhabet. Nga UÇK-ja dhe NATO kaluam tek temat e dashura të fshatit dhe etnografisë, duke i kthyer edhe nga një raki (unë) e birrë (ai) më tej.

Organizatori i përjetshëm i panairit, Petriti i shoqatës së botuesve, (shoqata fantazmë), vinte ndonjëherë vërdallë nga poshtë-lart e lart-poshtë, e nuk e di pse më dukej si Rosinati. Mu duk sikur po i binin fuqitë e, ndoshta, edhe tre-katër vjet mund të ketë vuxhut të merret me panairin, mendova. Kush e di! S.d.q., ngaqë më njeh pak si fytyrë, se më ka premtuar njëherë, që po të bëheni disa autorë bashkë, e merrni një stendë, i thashë nëse do gjente ndonjëherë pak minuta kohë të bisedonim. Nuk e di sa mund të vlejë një bisedë me ‘të, sepse nuk e di sa pasion e ka ai panairin e librit!.. Po shyqyr, thuaj, që dhe kaq sa bëhet, nuk është keq!.. Se po i mbushet mëndja dhe i anullon fare panairet e librave!..

E bukura, të paktën në këndvështrimin tim kjo, ishte që ‘onufri’ dhe ‘toena’ kishin kthinat e tyre ku organizonin aktivitetet e tyre, si biseda me autorë të ndryshëm, ndarje çmimesh, biseda për librin me nxënësit, etj.. Ndërsa shtëpitë e tjera botuese nuk kishin kthina të tyre, ndaj shihje në këmbë dhe brenda stendave të pak prej tyre ndonjë autor të ftuar, a të gjindur rastësisht aty. Pa aktivitete të ndryshme, panairi mbetet vërtet një pazar libri, siç ka shkruar Ilir Yzeiri tek PTF e Vehbiut.

Duke qenë në panair vetëm rreth 1 orë paradite, ndërsa pasdite dhe në mbrëmje pakëz më gjatë, e shtyja kohën tjetër ose në shtëpi para kompjuterit, ose në ndonjë xhiro. Por dhe televizori ndizej ndonjëherë, e pikërisht në një nga këto herë pashë në lajme edhe kopjacin dhe arrogantin Ben Blushi me romanin e tij të ri, ku trajtonte fenomenin e stër-rrahur të zbrasjes së Shqipërisë nga shqiptarët dhe mbushjen e vendit me të huaj, si dhe kthimin e Shqipërisë në një vend çifut. Ky lloj Beno, që i ka paret pa hesap, mund të harxhonte nja dy-tre qind euro nga xhepi i vet e të zinte një vend në panair për talentet e reja letrare, nxënës shkollash, të cilët mund të prezantonin librat e tyre të parë në panair! E kështu ti bënte shërbimin më të vogël këtij vendi e populli, për të cilin derdh lotë krokodili! Por s’bën asgjë në këtë drejtim, sepse ky lloj robi, të cilin e gjen me shumicë në Shqipëri, mendon vetëm për xhepin dhe emrin e vet! (Të vjen vetëm keq që i ati, shkrimtari Kiço Blushi, të cilin ai don ta lejë në hije, duket tjetër brum nga ky lloj mburraveci.)

Një fenomen që më ka rënë në sy këtu e vite më parë, por që këtë vit e kam dëgjuar edhe gojarisht dhe e pashë edhe vetë në panair, është ai dyndjes së shtëpive botuese drejt autorve të huaj, duke u përpjekur për tu blerë atyre të drejtën e përkthimit dhe botimit. Në këtë përpjekje ka prej vitesh përplasje mes tyre, pra akuza për vjedhje të së drejtës së blerë prej njërës e tjetrës shtëpi botuese. Panvarsisht si përfundojnë këto përplasje, ajo që mua më shqetëson, është fakti që tregu shqiptar i librit po dominohet kështu nga autorët e huaj, ndërsa ata shqiptarë po kthehen në të njerkës, duke zenë vendet anësore nëpër stenda librash. Edhe në panair dominonte autori i huaj, si në librat letrarë, ashtu dhe ata specialë. Çfarë e emulson edhe më shpejt këtë komb! E të mos harrosh, se autori shqiptar është -për mua- më lart se ai i huaj, sidomos në vlera letrare, por shpesh dhe ato në degë të tjera! (Mos harro se unë lexoj si autorë shqiptarë, ashtu dhe të huaj, jo si dikur, 50 libra në muaj, por të paktën 50 libra në vit sot, ndaj di se çfarë flas.) Siç po shoh, më duket se po përkthehen nga gjuhë të tjera gjithfarë autorësh, ngaqë jashtë funksionojnë format e reklamimit të tyre, kështu po i serviren lexuesit shqiptar edhe autorë më të dobët nga ata shqiptarë!

Dhe si përfundim, në lidhje me panairin, më duhet të them se bleva vetëm dy libra, dhe këto tek stenda e Xhevairit (Lleshi); një libër të fundit me tregime të Roland Gjozas, të cilin nisa ta lexoja qysh aty tek stenda, ku zevëndësoja për pak minuta Astritin, dhe i cili më pëlqeu në të lexuar, ndërsa libri tjetër ishte i Xhevairit e kishte të bënte me ditët e vitit. Xhevairi, me sa kam vënë re, -por ky nuk është një mendim përfundimtar, sepse pak njihem me shkrimet e tij- ka një stil të qartë komunikimi dhe shtrim-trajtimi temash, mirpo -më duket- i mungon ajo shkëndija e zjarrtë, ajo dritë rrufeje përcëlluese, ajo fuqi elektrizuese që ndez motorrin. Ta shohim! (Ndërsa tek trojtuarët e rrugës bleva shumë libra, që më tërhoqën e që i kapa lirë.)
***
Në çdo ngjarje, në çdo eveniment, në çdo vizitë a qëndrim diku, njeriut i mbeten në mëndje pas shumë kohësh vetëm disa pak njerëz, disa pak ngjarje, disa pak fjalë a fjali të dëgjuara. Në lidhje me këto të fundit, fjalitë, pak më mbetën të skalitura në tru nga një njeri i dashur përgjatë verës që shkoi. Ndërsa në këtë qëndrim të shkurtër 8-9 ditor mu ngulitën në mëndje vetëm dy fjali. E para nga një botuese, një vajzë e re. Duke konsumuar temën e botimit, duke dalë e hyrë tek kjo temë, një fjali e saj ishte (pak a shumë): Brezi ynë është tjetër nga i juaji, është më i hapur, ndërsa i juaji më i mbyllur!

Në moment mu kujtua kënga e Sabri Fejzullahut me të birin (‘Nostalgjia’), që rreh po këtë ‘temë’, mu kujtuan plot narrativa të tilla, përshtjellime të tilla individësh e breznish, dhe doja ta kundërshtoja, … në fakt, jo ta kundërshtoja, ndoshta as ta riparoja dhe relativizoja atë lloj pikpamje, doja në fakt të mësoja pak më shumë në faktet dhe argumentet e saj, sepse … sepse unë përjetoj përditë tek brezi i saj një botë hologramike, përjetoj disa qënie aliene, që i thonë a nuk i thonë tre fjalë në ditë, që dinë aq mjeshtërisht të tërhiqen mbrapsht prej “vulgaritetit” llafazan të brezit tim. Mirpo aty në panair nuk ishte as vendi e as momenti i duhur për këtë debat, sepse klienti i radhës u duk në stendë, kështu u ndamë.

Fjalia e dytë që më mbeti në mëndje ishte nga Astriti (Hykaj). Nuk e di sa libra kish botuar Astriti, por pas një muhabeti të shkurtër dhe pyetjes sime mbi mendimin që i kishin dhënë të njohurit për romanin e tij, (ma dhuroi edhe mua, siç dhe unë atij dy libra historikë), më tha: –Kjo është e keqja, se nuk më kanë dhënë një mendim për librin tim!

Kjo përgjigje më trishtoi, jo aq se mund të tregonte që romani i tij mund të mos u kish pëlqyer atyre, të cilve ua kish dhuruar, se sa për faktin që njerëzit janë shumë më të mbyllur, se ç’ua kërkon natyra e tyre! Në fund të fundit, edhe një kritikë e lehtë është e mirpritur nga autori. Dy fjalë, një sugjerim, a thjesht një notë shkolle e ndihmon autorin. Për më tepër tek ata që kanë në librat e tyre edhe e-mailin. S.d.q., unë do ta lexoj shpejt romanin e Astritit dhe do i jap mendimin tim, edhe sikur kjo ta mërzisë ndopak atë.
***
Kjo qe! Nuk ju dhashë reportazh gazetash mbi panairin e librit 2023 në Tiranë, por ndava përshtypjet e mia me ata pak lexues që erdhën deri këtu me leximin e tyre. E ç’u lodhe kot, thotë ndonjëri!… 26.11.2023

Cdo kritike eshte e mirpritur ne: robertthomai@gmx.de dhe mund te dale poshte shkrimit me kerkesen e derguesit.

Cdo shkrim i kesaj faqe mund te merret pa leje te vecante nga kushdo e te nxirret kudo e kurdohere, por si gjithnje me referimin: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj.