sokaku i te marrve

                     Gjurmë të shqip-tar-it në sokakun e të marrve   

   Një turmë e madhe shqiptarësh, me në krye gjuhëtarë me emër, të huaj e të vendit, (por unë nuk do t’ua përmend emrat, se janë shumë e nuk di njeriu i varfër kujt t’ia ndreqë e kujt t’ia prishë), po kërkojnë prej dekadash gjurmët fillestare të shqipes dhe shqiptarit, –e kam fjalën për gjurmët fillestare të këtij emërtimi “etno-ndajfoljor”: shqip; si dhe emërtimit nacional të ri të tyre, ndryshe etnonimit: shqiptar. Herë u afrohen burimeve e fillimeve të këtyre dy përcaktimeve identifikuese nacionale të gjuhës dhe popullit, e herë u humbasin gjurmët! Faktet e gjetura shtohen, argumentat ngatërrohen, një lëmsh i madh i ka kokolepsur të gjithë, përfundimi i deri-tashëm: –lesht e Currit! 

    Me dhjetra artikuj, për t’mos thënë me qindra, gëlojnë në Internet për këtë temë. Lëre më pastaj komentet e gjindjes! Ç’farë thotë njëri, s’e thotë tjetri! E nganjëherë thonë të gjithë të njëjtën gjë, e me njëri-tjetrin nuk bien dakort! Një shkencë e re më duket se ka lindur, e pikërisht shkenca e asaj që nuk ka brirë! Të cilën e ushtrojmë ne shqiptarët për shqiptarët, më saktë: specialistët e fushës për turmat e fushave! 

   Disa artikuj gazetash, të njëjtë me njëri-tjetrin, flasin për 12 teza të ndryshme në këtë temë. Përderisa janë 12, padiskutim vetë Zoti në qiell është ulur këmb-kryq në këtë problem etno-gjuhësor, që ne delet e urta besimtare ta dimë se me çfarë vështirsie linguistike kemi të bëjmë! Dhe, nëse ne shohim përfundime të ndryshme gjuhëtarësh, të besojmë se kështu donte Zoti në qiell! Pas kësaj, stampa e të paditurit në ballë na bën të hijshëm në sytë e Atij lart? E në mos jo në sytë e Tij, (se ne plebejtë kështu që kështu na ka dënuar Ai lart me injorancë të përjetshme), të paktën në sytë e patricve tanë linguistë do të gjejmë amshim, më e pakta: mëshirë! Rroftë padija! 

   Ishim mirë me emrin mesjetar arbër! Po edhe gjuha që shkruanim ishte aq bukur arbërishte. Po se nga dreqin fryu një erë e marrë veriu, që ua ftofi kokat arbërve, stërgjyshërve tanë, dhe këta u mërzitën me emrin e vjetër dhe nisën të eksperimentojnë me emra të rinj. Një familje drishtiane (pranë Shkodrës) na regjistrohet 100 vjet para kohës së Skëndërbeut në ca dokumenta raguzjane (Dubrovnikut të sotëm turistik) me mbiemrin skapudari a shipudari, se kështu iu tek kryefamiljarit, që ishte mërzitur sa s’kish ku të vente me emërtimin e vjetër. Ca e interpretojnë ndryshe skenën e zhvilluar: kur doganieri raguzjan po e pyeste për mbiemrin dhe nga vinte, drishtiani, duke mos e kuptuar se ç’po i fliste tjetri, ia ktheu: shka po do, shi po do, dhe qe gati atë moment të zihej me grushta, mirpo doganieri e shkruajti ndërkohë mbiemrin dhe vendin nga vinte. Dhe kështu u ngeli arbërve emri i ri: shkapodo, shkipëdar, shqipëtar; fillimisht tek raguzjanët e pastaj kaloi tek ‘ta vetë, sepse kjo histori komike u përhap gojazi më tej e kudo.  

   Një tjetër histori, e dokumentuar aty nga viti 1702, por nuk më kujtohet nëse në pranverë apo në vjeshtë, e pikërisht në Fjalorin e da Leçes, i botuar 300 vjet më vonë, në Shkodër më 2009, (kjo vonesë erdhi për shkak të mos rënies dakort mbi ngjyrën e kapakut), na jep përkthimin creanza = schip, e cila duket lexohet skip (meqë c+h në italishte japin k), dhe që sipas dokumenteve të deklasifikuara të CIA-s, na del se shkruesi Da Leçe nga Leçe e Italisë e ngatërroi fjalën e dëgjuar derisa vajti në shtëpi, pasi albanezi i pyetur i kish thënë shpik për creanza-n e tij dhe jo skip; –në gjuhësi këto quhen vendkëmbime, por që nuk do t’ua besoj njeri, ndaj përdorni më mirë linguistikën, ku këto vend-këmbime quhen metateza, dhe argumenti juaj do të pranohet menjëherë. 

   Në këtë fjalor bëhet fjalë edhe për fjalën italiane reverendo (i nderuar), e cila përkthehet me shqipen e atëhershme aq të njohur e të përdorshme: schipinij, fjalë kjo me të cilën autori italian përkthen edhe fjalë të tjera të italishtes. Nga disa gjurmime të thekura që studentë e profesorë shqiptarë i kanë bërë këtyre fjalëve gjatë viteve të diktaturës së proletariatit, teksa kjo diktaturë i çonte këta intelektualë për dënime në Itali, që të plasnin trutë e kokës me mësime, rezulton se gjithë këto onorata (lavdërime) na vijnë nga goja e vetë Skënderbeut tonë, tek vajti në Itali të ndihmonte Ferdinantin e Napolit, kur ky i fundit kish nisur ca grindje për mustaqet e Leços me çunat e dajës së tij. Aty Gjergji ynë iu mburr mbretit të Napolit, se ai kish për ti shqy për ni her armiqtë e Ferdinantit. Shqy për ni er u morr për ndihmë nderuese ndaj Ferdinantit, kështu u përcoll më tej në shekuj si schi-pi-nij në kuptimet: i nderuar, edukuar, mirsjellshëm. 

  Por gjurma më e fortë e gjetur i përket gjuhëta… më falni, linguistëve gjermanë, në radhën e të cilve u vendosën pas, po si tek radha e qumshtit dikur, edhe linguistët shqiptarë me emër e pa emër, –këto të fundit kanë kuptimin: me emër të madh dhe me emër në rritje, që më konkretisht duan të thonë se, nëse ju e keni emrin e madh, mund të lëshoni të gjitha broçkullat që përmban planeti dhe do t’ua besojnë, ndërsa kur e keni emrin në rritje duhet të jini akoma të kujdesshëm, pra broçkullat mund ti mbuloni nën petkun e emrave të mëdhenj. Kështu, këta emra të mëdhenj gjermanë gjetën se si shqip –për gjuhën, edhe shqiptar –për njerëzit, kishin ardhur nga fjala kuptoj, marr vesh qartë, të cilat kaluan me urdhërin e peshkut magjik në shqiptoj, –kjo fjalë e re kishte kuptimin e kuptimit të gjuhës që kuptohet. Urdhëri i peshkut magjik është një mister, të cilin nuk mund t’ua shpjegojmë, sepse kjo gjuhë është e mistershme, hermeutike, astronautike. 

   Dhe, pasi kjo fjalë (shqiptoj) u bë e përdorimit të përditshëm, u kuptua se kuptimi i vetëm i të kuptuarit të kombësisë kishte të bënte vetëm me atë njeri që kuptonte gjuhën. Kështu kësaj iu shtua një tar, meqë me këtë emër do të thirreshin ndër shqiptarët të gjithë ata që gërmonin në dokumentet e deklasuara me biografi të keqe të sigurimeve të ndryshëm të botës, dhe doli se ky popull kërkues i emrit të tij nëpër dokumenta mund të thirrej vetëm shqipetar. Pra tar-ja rrinte prapa fjalëve në punët e shqipes. E kështu, herë me tar-e e herë me tor-e, u bënë sa e sa fjalë të reja të gjuhës tonë, si tradhëtar, gjurmëtar, bashkpunëtor, kontrollor, etj.. Duke patur parasysh se kishte akoma njerëz që nuk e kuptonin mirë njëri-tjetrin, disave u mbeti edhe për ca kohë emërtimi arbër dhe arbëresh, por aty në mesin e shek. XIX e kuptonin të gjithë aq mirë njëri-tjetrin, sa këtë kohë qarkullonin proverbat: shqiptarë jemi e një gjuhë s’kemi, apo ajo tjetra deri në shek. XX: pukjanin e marr vesh me një përkthyes, por për lumjanin më duhen dy! 

   Rreth këtij gjurmimi të mësipërm sillen vërdallë edhe gjurmimet e tjera, duke gjetur diku një exipio latine për ndijimin dhe dëgjimin, të cilat shqiptarët dhe stërgjyshërit e tyre i kishin më të zhvilluara se popujt fqinj, apo duke gjetur një scoppetto italiane për pushkën, që po ashtu u shkon shqiptarve të shek. XVIII, sepse për një pushkë këta shisnin edhe shtëpinë, (nga fakti se pasi të kryenin vrasjen e hasmit, kështu që kështu do të largoheshin në drejtim të paditur me gjithë familjen), apo duke gjetur së fundi edhe një dialektizëm të përdorur në sokakun e të marrve në Gjirokastër, prej nga Shqipërisë i kanë ardhur të gjitha punërat e mëdha, e kjo ishte pikërisht fjala shqipëlloj në kuptimin e kuptimit; për fatin e keq kjo fjalë është lëshuar vetëm një herë të vetme në këtë sokak, ashtu siç dikur ne fëmijët lëshonim fjalë të çuditshme pa kuptim, ashtu siç vetë ky popull shpikës e kreativ lëshon herë pas here me mijra të tilla, si bie fjala: –po c’mu qurullopse kështu, a derbardh!, të kanë zënë gagazhulat?!, ore burdëllak, çfar po na gjerbëzon kështu!?, ma ke kaptinën si paxhmaxhul!, ore, boll kapsallose!, shife atë tipin, a nuk duket si… furfurek!?, ç’i ke këto sy të sqipillosur more!?, a të hëngsha me … xabërlluqen tënde!, ore llapërdan!, ore gabzhul!, ii-i, ç’bërzhuk, lluq, zgalluq!. E sa të tilla pa fund!.. E pikërisht për të kapur ndonjë nga këto fjalë, apo edhe një herë shqipëllo-ren gjirokastrite, agjentë gjuhësorë të Fakultetit Histori-Filologjisë kanë nisur së fundi të bredhin natë e ditë nëpër këtë sokak të çmëndurish me pajisjet e tyre të dëgjimit, duke u hequr gjoja si turistë e për të regjistruar çdo bisedë. 

   Shpresat janë të mëdha, për më tepër që tezat qëndrojnë akoma tek numri hyjnor 12, kështu hyjnorë siç janë edhe vetë shqiptarët, e biles edhe të drejtë, si dhe më të vjetrit e sistemit tonë diellor, –kjo e fundit ka të bëj me legjendën e vërtetë, që pellazgët, paraardhësit e ilirve, ishin më të vjetër se Hëna. Pra, pellazgët vinin vërdallë planetit tonë me anije kozmike për disa miliarda vjet, derisa u formua Hëna, ndërkohë që Toka u ftoh. Pastaj ata, si bij të Zotit, duhet ta kenë ndihmuar Atin e tyre të formonte Adamin, Evën dhe njerëzit e tjerë. Por nuk dihet mirë, nëse ata e ndihmuan Zotin në ndërtimin e planetëve të tjerë, pasi provat ku ne do të bazoheshim për këtë gjë kanë humbur. Shpresojmë që miqtë tanë amerikanë të na afrojnë të dhënat e fshehta të NASA-s në këto drejtime të tjera mbi lashtësinë tonë, një afrim i përbashkët ky si dhe qehajai me bujkrobin, diçka afër këtij afrimi të gjuhëtarve të fanepsur zyrtarë me të fandaksurit gjuhëtarë pellazgjiotë.

   Sidoqoftë, me këto prova që ne kemi gjetur deri tani, mundëm të ndërtonim deri diku burimin e etno-ndajfoljes shqip-e dhe etnonimit shqiptar, të cilët disa gabimisht dhe nga dëshira e mirë i lidhin me shqiponjën. Aq thjesht studjuesit tanë nuk mund a linin këtë çështje, ndaj ata iu futën punës dhe na suallën këtë labirinth të mistershëm të burimit të këtyre dy fjalëve, që kaq bukur dhe rastësisht zunë vend në gjuhën arbërore, pra këtë të sotme shqipe. 8.8.2020  

.                                                 ***

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund t’merret e t’nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj