kapitali&islamizmi

Kapitali i madh mafioz, Islamizmi i Lindjes së Mesme dhe i çmenduri Ibrik në Norvegji

Para 12-13 vjetësh, duke parë rastësisht lajmet në televizor, në kohë të ndrrimit të shekujve, pra mijvjeçarit të dytë nga ai i tretë, diku nga fundi i lajmeve spikerja dha një lajm të shkurtër mbi transportimin e katër maqinave speciale që do shtypnin monedhën e re, Euron, me tren nga një shtet (më duket Spanja apo Franca) në shtetin tjetër, (nuk më kujtohet tani mirë nëse për në Francë, apo Belgjikë, apo diku tjetër). Por sidoqoftë, lajmi i shkurtër mbaroi, duke njoftuar akoma më shkurt mbi arritjen në destinacion të tre makinave; njëra prej tyre ishte vjedhur dhe policia kishte nisur hetimet. Kaq! Në pamje të parë një lajm i zakonshëm, në të pazakonshmen e tij, sepse bënte fjalë për katër makinat e vetme që do të shtypnin eurot për sejcilin shtet europian, dhe kuptohet se çfarë sigurie kanë këto transporte. Humbja e një makine të tillë do të thotë të ndrrohen edhe një herë disa pjesë të makinave të tjera, për të ndrruar kështu pamjet dhe sekretet e monedhës Euro. Mirpo lajmi mbaroi brenda gjysëm minuti; në netët e tjera nuk u dha më ndonjë lajm mbi hetimet e mëtejshme të makinës së katërt të euros tonë aq të dashur. Pra, diçka është në këtë mes.

Pa e vrarë mëndjen shumë, çdo njeri që ka lexuar disa libra, që ka parë disa emisione dhe filma, që ka të paktën 10 klasë shkollë, e di si funksionojnë këto punë. Kështu ky njeri e di apo ka dëgjuar se sa qindra miliarda dollarë fallco qarkullojnë në botë, di apo ka dëgjuar se si operon fshehtas kapitali i madh nëpër vende me korrupsion, di apo ka dëgjuar se si në raste rrëmbimesh apo në eventualitete të tjera përdoren para të vërteta por pa vlerë këmbimi, pra që do të hiqen menjëherë nga qarkullimi po u dalluan, apo që nëpërmjet këtyre parave gjurmohen bisneze të ndaluara nëpër shtete të ndryshme, apo që këto para të përdoren në veprimtari të fshehta speciale, deri dhe ushtarake, të disa prej këtyre vendeve europiane, duke mos hyrë kështu në kontrollin ligjor të parlamenteve, e sa e sa aktivitete të tjera, që nuk i mbulojnë paratë e kontabiliteteve të njohura nga dy e më shumë palë zyrtare. Me një fjalë, kjo makinë e katërt e prodhimit të Euros, duhet të jetë hequr nga qarkullimi patjetër nga vetë kryesuesit tanë europianë të financës. Forma e vjedhjes pak rëndësi ka, pasi ata kanë njerëzit e tyre të besuar. Të paktën ky është dyshimi im.

Tani, çdo njeri me të paktën 10 klasë shkollë e di se çdo lek i painvestuar nuk ka vlerë, më saktë, vlera e tij si ekuivalent i vlerave të mallrave, nuk ekziston. Vlera e tij fitohet pikërisht në momentin e këmbimit. Përveç vlerës aktuale ai ka dhe vlerë hipotetike, njëlloj si tek trupat mekanikë, të cilët në rënien e tyre kanë energji kinetike, kështu dhe paraja gjatë këmbimit si ekuivalent vlerash, dhe në arritjen e pikës së sipërme ky trup mekanik ka pikërisht këtë kohë të shkurtër qetësie një energji potenciale, kështu dhe paraja në momentin përfundimtar të akumulimit si mbivlerë, një kohë e shkurtër kjo edhe për ‘të, sepse menjëherë ajo do nisë të investohet, ndryshe „fuqia e saj potenciale“ do bjerë, pra do nisë të vetshuhet; ndërsa trupi mekanik të paktën e ruan fuqinë e tij potenciale për një kohë të gjatë në momentin e tij të qetësisë në pikën e sipërme. (Nuk na kujtohet se kush e bën këtë krahasim të vlerës së parasë me trupat mekanikë, Marksi apo dikush tjetër para tij, sepse kemi 30 vjet që nuk i kemi kapur më me dorë librat e ekonomisë politike të shkollës dhe „Kapitalin“ e tij.) Sidoqoftë pranojmë njëzëri se suksesi i euros dhe mirqënia jonë europiane varen nga investimi i mëtejshëm i kësaj euroje dhe rritja e mallrave të shkëmbyeshëm e të përdorshëm nga njeriu. Një treg ku kjo euroja jonë po hyn në qarkullim është dhe Lindja e Mesme.

Pra vimë tek ato teza të hedhura aty në fillim të viteve ’90 nga disa ekonomistë-historianë, mbi ngritjen në të ardhmen të një fuqie të re monetare të Lindjes së Mesme, proçes ky ku Europa po luan rolin e saj, për ta patur si një konkurrente të kontrollueshme këtë zonë të re monetare të së ardhmes.

Kuptohet se për ta patur në kontroll një konkurrent të ri, duhet që ky konkurrent të ketë dobësitë e tija, një nga të cilat është feja zyrtare e këtyre vendeve, muhamedizmi, apo siç quhet ndryshe me një emër të vjetër: islami (iz lami, të hidhurën me e lënë, inatin me e lënë, me qenë pra paqësor; ironia e kuptimit të këtij emri është se kjo është feja më pak tolerante për momentin në botë), dhe me emrin tjetër, atë mysliman, -në zbërthimin etimollogjik të të cilit akoma nuk është arritur një përfundim i sigurtë. Meqë rrymat e ndryshme politike, nacionale, fetare në botë kanë marrë në fund të emrave të tyre nga një prapashtesë ndërkombëtare „ismus“, „isëm“, „izmi“ etj. të njëllojta, dhe meqë së shumti këto rryma kanë dështuar krejtësisht apo pjesërisht, edhe kjo fe e Lindje së Mesme është quajtur vitet e fundit islamismus (islamizëm), përgjithsisht jo aq për shkak të reprezentimit të saj në këto dy shekujt e fundit si më pak tolerante nga fetë e tjera, por për shkak të reprezentimit të saj vitet e fundit nga një pjesë e ithtarve të saj si mjaft agresive dhe aspak tolerante, aq sa një shumicë besimtarësh myslimanë janë distancuar nga radikalët.

Kështu nuk ishte e rastit që disa nga këto vende europiane i ndihmuan vjet ushtarakisht rebelët kryengritës të vendeve arabe, dhe tani as që e hapin gojën fare kur po shohin se ndihma e tyre shkoi në favor të „armiqve“ të tyre, islamikëve. Këta të fundit po fitojnë së fundi zgjedhjet në këto vende që u hodhën në revolucione, çfarë d.t.th. se nuk kemi patur revolucione, por kemi patur një farë lloj regresionesh, apo më e pakta, revolta. Pra, ajo që në pamje të parë nuk kuptohet, kuptohet po të vendosim lentet-syrin-mëndjen rembrandeze e të shohim ç‘ ndodh në prapaskenë.

Kështu këto pranvera arabe, të quajtura nga dikush në internet me të drejtë „vjeshta arabe“, kanë aq pranverë sa kërkon kapitali i madh perëndimor, pra aq sa ne europianët të përfitojmë më tej, kështu të kemi kohë edhe për hobitë tona, bie fjala të shkruajmë libra për të kënaqur deri diku sedrën tonë, ndonëse të vetëdijshëm që këto libra nuk kanë fatin më të madh se të lexohen deri në gjysmën e tyre nga disa kokrra lexuesish të ngeshëm.

Mirë se deri këtu i di pak a shumë çdo kush këto gjëra, do thotë ndokush, por ky krimineli i çmëndur norvegjez, Ibriku ç’hyn në këtë mes?!

Po, dhe ky ka pjesën e tij në këtë mes. A nuk thuhet shpesh me shaka: të gjitha fenomenet dhe subjektet kanë lidhje me njëri-tjetrin!

Ibrikut norvegjez po i zhvillohet këto ditë gjyqi. Në vendin verior europian, një nga vendet që, në raport me popullsinë e saj, mban vendin e parë në botë sot për ndihma ndaj vendeve të botës së tretë (siç quhen), nuk ka dënim me vdekje. Pra, çfardo krimi të kryesh, njeriu nuk dënohet me vdekje por me maksimal 21 vjet burg. Dhe, kur themi burg, mos të kujtojë njeri se bëhet fjalë si në burgjet e Shqipërisë, Greqisë, Rusisë, Izraelit, Iranit, Kinës, Kolumbisë, Amerikës, etj.. Jo-jo, burgjet e Norvegjisë mund ti rendisësh në vendin e parë në botë për komformitetin e tyre; -të paktën kjo sipas njoftimeve të TV dhe internetit.

Kështu dhe Ibriku që kreu një masakër me 76 njerëz të moshës tepër të re, mund të marri maksimumi 21 vjet burg, të cilat mund të shtohen edhe 5 vjet apo maksimumi 2×5=10 vjet, dhe pastaj të dali si një pensionist i ri me fuqi të reja e ta gëzojë jetën si çdo qytetar tjetër norvegjez! Biles ta gëzojë jetën edhe më mirë nga një qytetar tjetër norvegjez, i cili është kapur nga policia me veturën e tij pasi ka pirë vetëm një gotë birrë, apo se ka kaluar të djelën mbasdite, kur qarkullojnë pak makina, një kryqëzim rruge me këmbë teksa shenja e kalimit nuk ishte dhënë, apo nga një qytetar tjetër i cili po nën delikte të tilla ka në shpinë proçese gjyqsore dhe gjoba të mëdha, të cilat ai nuk mund ti paguajë dot, dhe si i tillë do ketë proçese sfiluese gjykimi dhe dënime me burg në fund. Pra, ligji norvegjez ia mundëson Ibrikut kriminel ta gëzojë jetën më mirë nga një njeri tjetër, i cili nuk ka zemër të vrasë qoftë dhe një mizë, por që nga gëzimi apo pamëndja ka kryer një delikt të vogël të qarkullimit rrugor dhe këmbësor! A është për ta besuar?!? Po, kjo është për ta besuar.

Kështu bie fjala, një njeri si unë, që përveç ndonjë mize dhe mushkonje nuk ka vrarë krijesë tjetër, por që nuk është ushtar i disiplinuar, ndaj disa nga gjobat në Gjermani i ka kundërshtuar deri në fund, mund ta kalonte gjithë jetën nëpër burgje në Norvegji për faktin e këtyre delikteve të vogla, ndërkohë që krimineli Ibrik do të dilte e do të gëzonte jetën më së miri.

Mirpo ç’lidhje ka ligji norvegjez me investimin e kapitalit europian në Lindjen e Mesme, do pyesë ndokush. Nëse ky ligj është qesharak, duhet ndryshuar, vazhdon tjetri. Vërtet. E biles as unë besoj se ai do të dalë ndonjëherë nga burgu. Dhe po doli nga burgu, patjetër që e pret psiqiatria, ndonëse ligjërisht do të ishte më mirë që kjo të bëhej qysh tani në fillim me vendim gjyqi, pasi një krim të tillë mund ta bëjë vetëm një i papërgjegjshëm. Kështu, një izolim i përjetshëm psiqiatrik do të ishte dënimi më i drejtë, në këtë rast.

Por nuk është ky problemi direkt lidhës me islamizmin dhe kapitalin që kërkon të investohet. Problemi është se ky njeri ishte vëzhguar nga policia, njëlloj si të djathtët në Gjermani që kryenin herë pas here vrasje në të huaj. Pra, këtyre tipave u lejohet një farë dore e lirë, sepse këta mbajnë ndezur mërinë orient-oksident, kështu mbajnë gjallë si kontrollin perëndimor ashtu dhe forcat konservatore të zonës së caktuar të orientit, (pa përfillur këtu konjukturat e tjera të ndryshme në lidhje me fuqi të tjera më tej), kështu indirekt, këta kriminelë të çmendur si Ibriku mbajnë gjallë këtë luftë të ftohtë të së ardhmes.

Vetë këta të çmendur kriminelë nuk e dinë se sa e dëmtojnë pikërisht kauzën apo frontin e tyre, -nëse do ta quanim kauzë apo front. Kështu dhe me radikalët islamikë. Veprimet e këtyre të fundit nëpër vende të ndryshme gjatë këtyre viteve e kanë dëmtuar vetë fenë e tyre. Me dhjetra, për t’mos thënë me qindra, janë (dhe do jenë në të ardhmen më shumë) të larguarit nga feja myslimane. Dhe sa më të çmendur të jenë këta radikalë oksidentalë dhe ata orientalë, aq më mirë është edhe për kapitalin perëndimor dhe për të moderuarit orientalë, të cilët po kapin dita me ditë financat në vendet e tyre, kjo nga fakti se këto dy palë do merren me njëri-tjetrin akoma më mirë vesh në tranaksionet e tyre biznesmene dhe financiare të së ardhmes.

Dhe, duke ditur se kapitali perëndimor ka më tepër eksperiencë dhe liri lëvizjeje, duke ditur edhe se kapitali foshnjë oriental as që do të ndihmohet nga forcat radikale fetare të atyre vendeve, pra do ketë deri diku kufizime, elementë dhe grupe financiare të orientit do të jenë të detyruara deri një një farë mase të koolaborojnë me sistemin financiar perëndimor. Kundërshatari i tyre kryesor për momentin është kapitali kinez, i cili ka vlerë më të ulët këmbimi dhe i cili mbështetet nga forca prodhuese mjaft të lira. Ky është një favor i kapitalit të ri oriental, i cili ka filluar të luajë kartën e tregëtarit, pra të zgjatjes herë të njërës dorë e herë të tjetrës dorë.

Kështu si përfundim mund të themi: dashur pa dashur edhe ne njerzit e thjeshtë e të rëndomtë, jemi në një farë mase jo vetëm spektatorë të shout financiar ndërkombëtar dhe pasojave të tij, por deri diku edhe aktorë figurantë të këtij shou të mjegulluar me pasoja kriminale. Kjo tregon se rruga jonë evolutive është më e gjatë nga sa e kishim kujtuar.

Do. 08. 03. 2012

robertthomai@gmx.de

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund të merret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose robert thomanikaj