festa e 1 majit

                                Në festën e punëtorve   

   Kësaj radhe festa e 1 Majit do t‘festohej ndryshe në kyeqytet. Nuk do të kishte ato parakalimet dhe paradat në bulevardin kryesor, përpara udhëheqjes së vendit, por do të kishte shëtitje dhe festime të lira në kodrat e liqenit artificial. Kështu kishte vendosur partia dhe qeveria. Kështu ishte aprovimi i përgjithshëm. Kështu edhe popullit i pëlqente. 

   Vërtet, të gjithë njerëzit dualën këtë ditë pushimi nga kodrat e liqenit. Të gjithë gëzuan, luajtën, hëngrën, pinë birrë, bërtitën kot në qiell, bënë mundje klasike kush të donte, disa edhe u lanë në liqen, ndonëse kjo nuk ishte e lejuar nga qeveria, (por dhe qeveria kishte kohë që e kish bërë një sy të mbyllur e një vesh të shurdhër për këto qejfe të rinjsh me rrezik për jetën); në këtë ditë u panë dhe disa që luajtën me lekë apo bixhoz, lojra të ndaluara këto, por mbi të gjitha ranë në sy lojrat e fëmijve, zërat e të cilëve gëlonin deri në kupë të qiellit; dhe një pjesë e tyre u lodhën dhe u kënaqën sa s’kishte ku të shkonte më, aq sa u duhej më pas prindërve ti mbanin në krahët e tyre. Këtë ditë, më tepër se gjysma e pensionistëve të moshuar shëtitën gjithë qetësi, më pak se gjysma e tyre mbanin shkop në dorë; por dhe pjesa jo-shëtitëse e kaloi kohën më së shumti jashtë në natyrë, pranë banesave të tyre, me kutitë e dominove dhe të shahut përpara. Për habi, këtë ditë u panë shumë që shkruanin në natyrë poezitë e tyre të para, ndërkohë të tjerë mbyllnin ciklin e dytë të poezive; patjetër këtë ditë të bukur edhe dashuria do të kishte mbërthyer me dhjetra zemra. U panë shumë që dukeshin se kishin humbur rrugën e kthimit në shtëpi, e megjithatë ecnin të shpenguar, disa që kërcenin deri pasditen e vonë, e të tjerë që këndonin këngë dashurie, kuptohet, nga ato që nuk jepte radio dhe televizioni. Disa u grindën me gruan, por këta ishin pak, sepse shumica me tu kthyer në shtëpi, patjetër që do të kish kërcyer mbi gruan si dem i harbuar, -ato shëtitjet krah më krah nuk kishin qenë më kot. Edhe gjithë ajo birrë e konsumuar në kodrat e liqenit artificial të Tiranës dhe në lokale të tjera nuk të çonte në tjetër përfundim. Nuk llogaritej në këtë gëzim mbarë-popullor kënga e pijanecëve dhe as zërat e tyre të çjerrë, të cilët herë e lezetonin këtë ditë gëzimi dhe herë e prishnin imazhin e haresë së përgjithshme. Por nuk munguan këtë ditë edhe shkëmbime grushtash, siç ishte e zakonshme mes të rinjsh në kësij rastesh, ku shkaqet kishin qenë nga më banalet, si pse më pe shtrembër, apo kujt i qesh ti! Vështrime gëzimi, habie dhe epshore u shkëmbyen gjatë gjithë kohës nga të dyja gjinitë. Patjetër, në darkë pak prej  tyre mund të mbanin mënd fytyrën e atij apo asaj që u kish hedhur gjatë ditës vjedhurazi vështrime lakmuese! Shumica e njerëzve ishin veshur këtë ditë me rrobat më të mira; ngjyrat e shumllojshme farfuronin ngado prej erës së majit; një pjesë ishin veshur këtë ditë si për verë, e pjesa tjetër si për pranverë. Për habi, ishin ndjerë edhe aroma të ndryshme parfumi. Gjatë gjithë ditës ishte festuar, bari i kodrave të liqenit ishte mbushur plot me grupe njerëzish, të cilët kalonin kohën ulur rreth e rreth batanijes së tyre me ushqime; ngado vlonte gëzimi dhe hareja. Pra, kishte qenë me të vërtetë një ditë e veçantë për popullatën. Raportet e ndryshme në mbarim të ditës i tregonin të gjitha këto.  

  Ishte hera e parë që kjo festë e puntorve nuk festohej tradicionalisht, pra politikisht, me ato parakalimet dhe brohoritjet para tribunës së udhëheqjes politike të vendit. Jo! Por, me udhëzim të udhëheqjes, festohej në formë të lirë. Gjithsejcili sipas qejfit. Edhe në këtë vend njerëzit mund të dëfrenin lirshëm. Jo patjetër çdo gëzim duhej të politizohej. Dhe kjo gjë patjetër ishte e mirëpritur nga popullata. Prandaj, në fund të festës udhëheqja priste relacionin përmbledhës të festimit. Si kishte kaluar kjo ditë? Ç’kishte ndodhur? Kishte dërfryer e kënaqur popullata e kryeqytetit? Si e kishin gëzuar këtë ditë njerëzit? Ishte dalluar me shumë e qeshur, apo më shumë pesimizëm? A kishte kaluar mbarë dita e pushimit, apo kish patur shumë incidente të provokuara nga lloj-lloj elementësh?.. Për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pregatiti një relacion, në bazë të relacioneve të shumta të sjella nga shumë rajone police. 

   Asgjë tepër e veçantë, dalluan tre policët që merreshin me përpilimin e raportit final. Ata shkruan në formë të përmbledhur gjith‘ sa kishin përpara, nga raportet e shumta të policëve dhe vrojtuesve civilë. Si në veçanti ashtu edhe në përgjithësi, shkruanin ata në raport, gjithshka kishte shkuar edhe më mirë nga sa kish parashikuar policia më parë, -nisur kjo nga përvoja e festimeve të shumta të muajve dhe viteve më parë. Vërtet, për habi të tyre, kishte patur këtë ditë shumë më pak zënie nga ç‘ndodhte rëndom në ditë të tilla pushimi, ku të rinjtë dinin si ti shfrynin energjitë dhe komplekset e moshës. Biles, nuk ishte dëgjuar në këtë ditë as edhe ndonjë fjalë kundra pushtetit dhe partisë, këto as nga pijanecët, siç kishte ndodhur herë-herë me këta të fundit. Ata i përmëndën në raport këto fenomene pozitive, po ashtu (sipas udhëzimit) edhe rastet negative, ku hynin ato pak raste zënie të rinjsh, një për punë birre, një për punën e një femre, dy-tre raste për arsyet banale të shikimit, si dhe një zënie familjare pa rëndësi. Ata përmëndën në raportin e tyre edhe dy rastet e vetme të vjedhjes, një rast bixhozi dhe atë të kapjes së një personi që shiste bizhuteri, të pa identifikuara akoma këto të fundit, nëse ishin të vjedhura, të trashëguara, apo të hyra nga jashtë. Në fund ata përmëndën edhe atë rastin enigmatik të fotografimit të policisë nga një i ri i parruar e me flokë të gjata, teksa policët kishin hyrë mes disa zënësve për ti ndaluar, ku së fundi u arrit të ndalohen dy zënësit kryesorë sëbashku me fotografistin. 

   Raporti prej tre faqesh, i nisur rreth orës 19, mbaroi brënda dy orësh, sipas planifikimit. Në orën 21, u duk në zyrat e drejtorisë së policisë vetë shefi i madh, -edhe ky fiks, sipas parashikimit të përfolur-, i cili kish ardhur drejt e nga shëtitja e tij, vetëm për punën e raportit. Ai duhet ta lexonte para se ky raport të merrte rrugën e Ministrisë së Brendëshme, ku do ti paraqitej të nesërmen vetë ministrit. Ai u ul në zyrën e tij, ndrroi syzet dhe nisi të lexojë. Gjithshka i dukej në rregull. Buzëqeshja e lehtë në fytyrë tregonte kënaqësinë e tij për gjith‘ sa lexonte. Përpëliste herë-herë qepallat dhe pohonte shpesh edhe me kokë. Po,po, vërtet i dukej në rregull. Gëzim i përgjithshëm, si dhe raste të vogla incidentesh. Disa zënie të vogla, dy vjedhje, një rast bixhozi dhe kapja e një trafikantit bizhuterish, iu dukën mëse normale në punën e policisë. Biles nuk do habitej edhe po të ishin shënuar më shumë raste negative. Vetë drejtori i tij në ministrinë e brendëshme i kish thënë të raportohej gjithshka, dhe ky udhëzim vinte patjetër nga ministri, ose edhe nga më lart, nga  kryeministri ose vetë sekretari i parë i partisë. Pra, ai mund ta niste pa merak më tej raportin e pritur!

   Mirpo… mirpo diçka e pengoi të ngrihej. Ai rasti i fotografimit të policisë sikur nuk i pëlqente. Ç’ishte kjo kështu!? Ai nuk kish dëgjuar ndonjëherë që të fotografohej policia në punën e saj. Hera e parë që ndodhte një fenomen i tillë! Si mund të fotografohej policia, tek mbërthente zënësit!? Ç’ishte ky kokë-krisur, të cilit i tekej të fotografonte policinë!? Ndonjë i pirë që e kish shkrepur aparatin pa menduar … apo ndonjë i huaj?.. Jo, jo, tundi kokën, po të kish qenë i huaj, kjo do të ishte shënuar në raport!.. Atëhere si t’ia bënte?!.. Dreq o punë, mendoi. Ta hiqte fare këtë rast nga raporti?.. Ë?.. Apo të pyeste një herë se si kishte ndodhur? Lexoi dhe një herë, dhe … rasti iu duk edhe më enigmatik. Policia e paskësh kapur djaloshin me mjekër dhe flokë të gjata, që kish fotografuar policinë në momentin kur ajo kish ndërhyrë mes zënësve dhe po i mbërthente këta! Atëhere ky i ri duhet të ndodhej tani në një nga rajonet e tyre të policisë, konkludoi drejtori i policisë. Kështu mund të pyeste fare lehtë kush qe ky i ri dhe përse e kish bërë këtë gjë!? Jo-jo, mendoi në çast. Kishte për ta trashur muhabetin kot! Rasti në fjalë dukej në pamje të parë i papërfillshëm, dukej thjesht si një trill prej të riu, mirpo … seç kishte diçka bezdisëse! Ai e dinte mirë se policët do të kenë qenë duke rrahur ata rrahësit, e pikërisht ai gango tironeje do të ketë shkrepur aparatin e tij!.. Hëm! Ç’të bënte?.. Për ta hequr, nuk mund ta hiqte rastin në fjalë nga raporti, sepse ai djalosh ndodhej patjetër akoma në ndonjë rajon policie! Pra nuk dihej si vazhdonte kjo punë! Mund të dilte puna më e thellë, por mund edhe të fshihej ndonjë lojë pas këtij rasti!.. Binte fjala, nëpërmjet këtyre rasteve mund të kontrollohej puna e policisë nga instanca të tjera të shtetit! Gjëra që ndodhnin! Nuk ishte pak ai gjykim jo i mirë për policinë nga poshtë, nga mileti, e sidomos nga të rinjtë, që nuk linin barcaletë pa treguar për ‘ta, por tani kishin filluar edhe gjykimet dhe kontrollet nga lart! Punë dreqi, shfryu gjith‘ turfullim. Nuk i ngelej tjetër veçse ta rregullonte pjesën në fjalë. Po-po, mendoi, nuk mund ta linte ashtu me gjithë ato hollësira që kishin shkruar policët e tij. Duhet ti bënte një lloj konçizimi rastit në fjalë, një përmbledhje paksa më të zbutur. Ndaj iu afrua makinës së tij të shkrimit dhe nisi edhe një herë faqen e tretë të raportit. Me të ardhur tek rasti në fjalë, shkruajti: 

       Rreth orës 18°°, në rrugën pranë gardës, teksa dy të rinj filluan të zihen me grushta nën stimulimet dhe inkurajimet e shokëve  të tyre  përreth, kush më pak e kush më shumë i alkolizuar, dy-tre policë që u ndodhën jo larg vendit të ngjarjes, vrapuan  menjëherë për ta parandaluar këtë  zënie. Në  momentin që ata  ndërhynë mes dy të rinjve zënës, një tjetër i ri nisi të fotografonte me aparatin e tij skenën e ndalimit të zënësve nga policia. Së bashku me zënësit, policia ndaloi me këtë rast edhe inkurajuesin e veçantë, me gjithë aparatin e tij. 

  E pas këtij rasti vinte ajo zënia familjare; aty nënvizohej edhe puna e përbashkët e policisë me banorë të tjerë, e kështu vazhdohej me faktet e tjera pozitive. Rasti i fotografimit nuk binte dhe aq në sy. Thjesht, dukej si një trill i zakonshëm i një të riu që kish pirë, po si të tjerët Ai e kishte rregulluar shumë mirë. Ata lart, kur ta lexonin, patjetër do ti përgëzonin për raportin dhe për punën e policisë në përgjithësi. Me këtë ndjesi, drejtori i policisë përfundoi kopimin e pjesës së mbetur të raportit, deri në fund të faqes së tretë. U ngrit pastaj me të shpejtë, e futi raportin në një zarf të madh dhe e nisi me korrierin e tij për në ministri. Pas kësaj, u nis i qetë në shtëpi, për tu përqafuar me gjumin e tij, aq të dëshiruar. 

   Aty rreth orës njëmbëdhjetë pa çerek të natës, zarfi përfundoi në dorën e njërit prej vartësve të zëvendsministrit. Ky kish pritur deri atë moment, (dhe kish për të pritur edhe deri në mëngjez, po të mos vinte raporti), ndaj pa e zgjatur nisi ta lexojë qysh me frymën e parë. Urdhëri i drejtorit të tij ishte që të priste derisa të vinte raporti; ta lexonte dhe, po të kish ndonjë gjë të veçantë, ta merrte në telefon. Mirpo raporti po i dukej atij normal. Gjithshka në rregull. Neutral, mendoi kur kish arritur në fund, asgjë e jashtëzakonshme. Asnjë shenjë grupi armiqsor, asnjë shenjë intervecioni nga jashtë! Thjesht disa zënie ordinere dhe asgjë më shumë, shtrembëroi buzët. Raporti mund ti lihej drejtorit në sirtarin me çels. Dhe, pasi eprori i tij ta lexonte, (e ndoshta edhe nuk e lexonte fare), do ia jepte ministrit të tyre. Hëm … ndali për një moment. Nuk po i shqitej nga mëndja ai veprimi i fotografimit të policisë!.. Gjë tepër e zakonshme me këta të rinjtë e sotëm, mirpo … mirpo kjo gjë kaq e zakonshme ishte shënuar në raport!.. Pse? -pyeti gati me zë vetveten. Ç’do të thoshte ky rast?!. Dhe për më tepër, vuri ndërkohë gishtin në tëmtha, përse ky rast merrte një veçanti kaq të madhe duke u shënuar në raport?! Përse e kishin shënuar ata të policisë në raport? Për ta zymtuar këtë ditë?!. Jo-jo, tundi shpejt kokën. Po, pse? Për të treguar se ky veprim nuk i bënte fare përshtypje atyre të policisë?! Dhe… ah, pshehëritiu thellë. Të ish për ‘të, as do të çante kokën fare. Mirpo drejtori i tij, që ishte edhe njëri nga dy zëvendsministrat, mund ti tërhiqte vëmëndjen për këtë rast? Apo nuk kishte një shef… që hiqej më katolik se papa për punë rregulli dhe disipline. Dreqi e morri!.. Nuk po dinte si t’ia bënte! Po ta linte punën kështu për deri në mëngjez, nuk ishte çudi që drejtori i tij ti tërhiqte vëmëndjen dhe ti kërkonte llogari!?. Të nesërmen nuk do të kish më kohë të sqarohej ç’kish qenë ky rast fotografimi i policisë. Raporti do ti dorëzohej ministrit në orën tetë. Dreq o punë, shfryu dhe një herë. Kishte frikë ta merrte zëvendsministrin në telefon në këtë orë. Ora ishte njëmbëdhjet e njëzet dhe shefi i tij patjetër që ishte në gjumë! Mund të hante edhe ndonjë të sharë më vonë për zgjimin. Në djall të vejë, vendosi, dhe kapi telefonin në dorë. Më mirë të hante një kritikë apo të sharë për zgjimin e panevojshëm, se një kritikë për punë jo-vigjilente… 

   Në anën tjetër të receptorit i doli vetë drejtori i tij, me zërin e përgjumur. Pasi i kërkoi të falur për zgjimin, e sqaroi se raporti i sapoardhur dukej në rregull, përveç një fakti disi të veçantë, por pa preçedencë në pamje të parë, e për të cilin ai ndoshta edhe kish bërë gabim që e kish zgjuar, se në të vërtetë nuk dukej ç’ë, por… -Më prit aty! -ia ndërpreu dërdëllitjet shefi i tij dhe mbylli telefonin. 

  Pa rënë kufiri i ndarjes së ditëve, pak minuta para dymbëdhjetës së natës, zëvendsministri u duk në zyrë. Pa ia varur fjalëve të varësit të tij mbi një rast paksa të çuditshëm fotografimi, ai kapi letrat e raportit dhe nisi ti lexojë pa zë. Me ti mbaruar, lëshoi njëherë frymën si i lodhur dhe nuk foli fare. Duket i kish kuptuar fjalët e para të varësit të tij mbi rastin në fjalë. Hëm, lëshoi pas pak. Kjo pshehrëtimë e qetësoi vartësin e tij. -As un‘ s’e kuptoj! -foli ky i fundit, sa për të justifikuar telefonatën e tij të zgjimit, aq edhe për ta nxitur shefin e tij të thosh diçka. Mirpo zëvendsministri nuk foli as kësaj radhe. Ai i hodhi edhe një sy faqes së fundit dhe nisi të mendonte. Ishte vërtet ashtu siç i kish thënë vartësi i tij, i gjykonte një anë e mëndjes, rasti në fjalë dukej pa ndonjë domethënie të madhe. Mirpo kjo mund të ishte vetëm aparenca, gjykonte ana tjetër e mëndjes, ai rast jepej pikërisht ashtu lehtshëm, sepse mund të përmbante ndonjë barut të fshehur!?.. Hëm, vuri dorën në buzë, pa vënë re se vartësi i tij po buzëqeshte ndërkohë. Hë-hë, tundi kokën, pas atij shkrimi të bukur mund të fshihej lepuri i madh! E dinte mirë ai si gatoheshin këto punë! Diçka mimnimizohej vetëm e vetëm për të vlerësuar punën e tyre, e thuhej me përshpërima, se kjo bëhej për të mos përhapur panik në popull. Pastaj vinte një ditë, dhe ata kritikoheshin për rastin në fjalë, se pse nuk e kishin informuar mirë partinë, dhe nuk ishte çudi që tu viheshin edhe hekurat. Hëëë, fërkoi mjekrën me pëllëmbën e dorës, kohrat kishin ndryshuar dhe… dhe kohrat e arrestimeve kishin kaluar për fat, … por ja që këto dreq kohra po sillnin disa fenomene jo të mira!… U ul mbi tavolinë, duke mos ia ndarë sytë letrave. Për herë të parë po ndjente një ndjenjë përçmimi tek vetja, një lloj nënvleftësimi jo vetëm nga vetja e tij, por edhe nga të tjerët, nga të gjithë! Ai ishte përgjegjësi kryesor për sigurinë e qytetarëve në vend, dhe ja që nuk ish informuar për këtë rastin e fotografimit të policisë! Përse nuk e kishin informuar, xhanëm!? Kaq shumë të kish hyrë kjo era e lindjes, sa vartësit e tij nuk e përfillnin fare aktin e atij alabakut!?. Ë? -pyeti gati me zë. Po sikur ai djalosh të mos ishte kapur? -i lindi në mëndje. Vërtet, vërtet, nisi të tundë kokën, nuk ishte çudi që në atë rast filmi i aparatit fotografik të përfundonte në ndonjë ambasadë të huaj!.. Hëm, buzëqeshi, rasti në fjalë dukej vërtet i koklavitur. Po ç’të bënte!? Të merrte në telefon e të pyeste ç’ishte ai rast fotografimi?!. Jo, jo, i tundi vetes kokën, kish kaluar mesi i natës dhe një telefonim i tillë për një rast që mund të ishte thjesht kapriço inati e një të riu, do të binte në sy për keq. Nuk mund të bënte punën e zhurmëxhiut për çingërrima. Këto punë verifikimi bëheshin ditën, në orarin e rregullt të zyrës. Ah, të ishte fjala për ndonjë Xhevdet Mustafë, atëhere ndryshonte puna. Nata bëhej ditë dhe gjumit i jepej leja e zakonshme. Por për këtë dreq rasti, jo, jo, nuk kishte përse ti frynte zjarrit kot më së kot! Hëm, lëshoi së fundi me zë duke drejtuar sytë nga varësi i tij. -As un s’e kuptoj! -i foli këtij si i habitur. Vartësi mblodhi supet pa ditur ç’të thoshte. 

   -Pija të jep guxim të madh! -vazhdoi shefi të fliste, duke tundur letrat në dorë. -Por diçka duhet ta ndryshojmë! -i foli prerë vartësit të tij, i cili aprovoi edhe me fjalë: -Atë mendoj dhe unë shoku drejtor! Shumë e stërgjatur puna e fotografimit të policisë!.. 

   Duke i bërë shenjë vartësit të tij nga makina e shkrimit, zëvendsministri mori për nga karrikja e tij. -Nuk është vetëm ai problemi, -vazhdoi ti fliste vartësit -por kjo puna e konsfikimit të aparatit, seç e trash pak veprimin e këtij alabakut. 

   Vartësi tundi kokën në formë pohimi pa mënuar edhe të buzëqeshte paq. Shefi i kish rënë tamam më ‘të, mendoi. Puna e konsfikimit të aparatit linte të kuptohej se diçka jo e mirë nga ana e policisë, ishte fotografuar nga djaloshi. Dhe vërtet, çdo kush mund të mendonte se ai djalosh mund të kishte fotografuar policët në dhunën e tyre!  

   Shkruaj, i tha shefi, pasi kishte shënuar diçka me dorë në një letër më parë. Dhe vartësi nisi të shkruajë ato që i thosh shefi. Faqja e tretë u rishkrua edhe një herë. Në pasazhin e fotografimit të policisë në punën e saj, teksi ndryshoi si vijon: 

     Rreth orës 18°°, në rrugën pranë Gardës, mes qytetarëve që po ktheheshin të qeshur e të gëzuar, dy grupe të vogla të rinjsh, siç duket nën efektin e alkolit, nisën të grinden duke prishur qetësinë e qytetarëve të pranëndodhur. Dy prej tyre filluan sakaq të goditen me grushte, e ndërkohë shokët e tyre përreth inkurajonin zënësit me të  bërtitura, pa munguar mes tyre edhe veprimi pa shije i fotografimit të zënësve nga njëri prej tyre. Për fatin e mirë të zënësve e atë të keq të inkurajuesve, policia u ndodh jo larg. Ajo  ndërhyri, duke bërë të mundur ndalimin e disa prej  tyre, midis të cilëve edhe të fotografit të famshëm. 

   E pas pasazhit të ndryshuar, gjithshka vazhdonte si më parë. Të dy punonjësit e ministrisë së brëndëshme pshehrëtinë të çliruar, tek mbaruan me të gjithë faqen. Kishin nxjerrë vërtet diçka për të qenë. Vartësi dhe shefi panë njëri-tjetrin të kënaqur në sy. Më mirë nuk kishte ku shkonte, pohuan të dy. Vërtet, tani nuk bëhej më fjalë për ndalimin e fotografistit me gjithë aparatin e tij. Thjesht përmendej fakti i ndodhur, pa hyrë në të thella. Edhe sikur në të ardhmen të dilte vetë një agjent i CIA-s pas rastit në fjalë, ata, si ruajtës të rendit kishin bërë punën mëse normalisht. Dhe kjo punë e tyre pasqyrohej në raport ashtu siç kishte ndodhur në të vertetë. Shoqëria kishte problemet e përhershme, kishte gëzimet dhe hidhërimet e saja, elementët e paformuar kryenin si përherë veprime jo të rregullta. Asgjë për tu çuditur. Të dy i buzëqeshën të lodhur njëri-tjetrit, teksa i lanë në sirtar ministrit raportin e 1 majit. U përshëndetën sakaq dhe muarën drejt shtëpive të tyre, për të shfrytëzuar me gjumë ato pak orë që kishin mbetur nga nata. 

    Në mëngjez, ministrit nuk i ra gjë në sy. Ai e lexoi raportin shpejt e shpejt dhe e la mbi tavolinë. Pastaj nisi ti hidhte një sy shkresurinave të tjera, për të dhënë udhëzimet e nevojshme, para se të nisej në mbledhjen e byrosë politike. Për fat nuk kish shumë gjëra të rëndësishme. Iu kujtua edhe një herë mbledhja e mëvonshme, me atë rast edhe raporti që do të lexonte. Si ministër i punëve të brëndëshme, ai përgjigjej para partisë për mbarvajtjen e sigurimit të qytetarëve, për mos-shqetësimin e tyre nga elementët armiq dhe keqbërës. Për fat, dita e 1 majit kishte shkuar normal, mendoi. Raporti i dukej në rregull. Vetë sekretari i parë do ta pëlqente patjetër. Shumë bukur pasqyrohej edhe gëzimi i qytetarëve, ashtu dhe veprat kundërpenale të ndodhura. Asgjë nuk dukej e fshehur. Sekretari i parë kështu donte, asgjë të mos fshihej. Ai donte ti dinte të gjitha të metat që vëreheshin në popull. Nuk ishte si ai i pari, që po të mësonte për ndodhira të tilla, do ti shkonte të gjithë në hell. Po, po, ai legjendari donte të dëgjonte vetëm gjëra të bukura. Ndërsa ky i tanishmi, përkundrazi, donte të dëgjonte më shumë të metat. Si të ish i dashuruar pas të metave! Dhe sot mund ta pyeste edhe më gjërë mbi kundërvajtjet e ndodhura dje. Ndaj duhet të merrte pak informacion më të gjërë për ndodhitë e djeshme. Duke vënë gishtin në faqe, thirri njërin nga dy zëvendësit e tij. Zëvendsministri u paraqit menjëherë, me sytë e tij të buavitur nga pagjumësia, por kjo pagjumësi e tij nuk i ra në sy eprorit. Pasi dëgjoi fjalët e mira për raportin, ministri e pyeti për rastet e ndodhura. Ishin kapur vjedhësit? Ç’ishin këto bizhuteri? Ky me këtë aparatin fotografik, kë po fotografonte, zënësit apo policinë?.. 

 Dreq o punë, kapërdiu pështymën zëvendsministri. -Nuk dimë asgjë, shoku ministër!.. Sot do të pyesim mbi të gjitha rastet!… -Si? -lëshoi i habitur ministri, nuk dini akoma mbi rastet e djeshme. -Mund të pyesim qysh tani, shoku ministër! -u përpoq të ruante autoritetin zëvendsministri. Një aprovim me kokë e shefit, bëri që ky të kthehej mbrapsh e ti sulej telefonit të tij. Nisi të pyesë për të gjitha rastet dhe, pas pak, u kthye në zyrën ku kish qenë pak më parë. 

   -Dy vjedhjet e denoncuara kanë mbetur pa u identifikuar; personi i bizhuterive është marrë gjithë natën në pyetje dhe është lënë sot në mëngjez i lirë, sidoqoftë kallzimi penal qëndron mbi ‘të nga rajoni numër katër. Ndërsa ai i fotografisë është liruar po ashtu pas verifikimit dhe konfiskimit të filmit. 

   -Çfarë filmi? -hapi sytë i habitur ministri. 

   -Filmi i aparatit fotografik!..  Tani ndodhet në laboratorin tonë për tu larë. 

   -Edhe!?…  Ç’farë ka filmi?!..  Zëvendsministri mblodhi supet. Me këtë doli edhe krejtësisht nga gjëndja e tij e përgjumur. U detyrua ti jepte ministrit të dhënat e tjera që kish marrë nga telefoni. -Nuk mendojmë se do të ketë ndonjë gjë të rëndësishme! Personi në fjalë, një i ri psikopat, iu tek të fotografonte ata zënësit dhe policitët gjatë ndalimit të tyre. U la i lirë pasi iu konfiksua filmi dhe pasi u identifikua. Është një i sëmurë psiqik, … patjetër ndonjë manjiak fotografimesh…  

   Një tundje e dorës së ministrit në formë mospërfillje dhe një „në rregull“ e tij, dha në të kuptohej se ai nuk kish më nevojë për sqarime. Ndërkohë që zëvendsministri u largua, ministri kapi në dorë edhe një herë letrat e raportit. Ç’budadallëk, mendoi për rastin e fundit. Një rast krejt ordiner, kishte gjithë ato fjali në raport. Të jepej përshtypja se diçka ishte mbuluar… diçka ishte zbukuruar, … po-po, tundi kokën, sekretari i parë do ta kuptonte menjëherë ç’fshihej pas rastit në fjalë. Ajo era e mallkuar e lindjes kish nisur të hynte edhe këtu! Në një kohë që partia e tij po përpiqej tu dilte situatave përpara, duke treguar një demokratizim më të madh të jetës, disa nga të rinjtë e keqpërdornin këtë demokratizim!.. Popull i pabindur, shfryu gjithë tërfëllimë. Ku e ku të talleshin me policinë, me atë organ që i mbronte!.. Ky rast edhe mund të mos përmendej fare, i tha vetes. Mirpo tani ishte vonë. Ai e dinte mirë se raporti kish kaluar në disa duar dhe… ky veprim psikopati i fotografisë, mund të merrej vesh nga udhëheqja edhe nëpërmjet kanaleve të tjera! Ndaj nuk mund ta hiqte fare!.. Por të paktën ta ndryshonte pak, që të mos binte dhe aq në sy, sa të rrinte pastaj e tu përgjigjej pyetjeve. Po-po, vendosi, duhet ta ndryshonte sa më shpejt rastin në fjalë! Thirri sekretaren dhe nisi ti korrigjonte: 

      Edhe në një rast tjetër zënie të rinjsh të alkolizuar, jo larg Gardës, policia ndërhyri menjëherë, duke bërë ndalimin e disave prej tyre. Ajo bëri jo vetëm ndalimin e dy zënësve kryesorë, por edhe  të dy-tre prej inkurajuesve përreth, në veprimin pa shije të të cilëve ishte edhe ai i një „fografi të mbaruar“. 

   Kjo po, mendoi. Duke pritur që sekretaria të mbaronte korrigjimin e plotë të faqes, dha udhëzimet e zakonshme. E ndërkoh që jepte udhëzimet e zakonshme, mëndja i rrinte tek pjesa e ndryshuar e raportit. Atë ai do ta leonte sa më i qetë. Vetëm në fund do të theksonte me ironi fografin e mbaruar, e ndoshta shtonte: „në thonjza“. Kështu do të kuptohej se bëhej fjala për veprime të rinjsh të alkolizuar dhe pa përgjegjësi. 

   Me të marrë faqen e korrigjuar të raportit, u nis me shpejtësi drejt veturës së tij. Po me shpejtësi arriti në sallën e mbledhjes, dhe vetëm uljen në karriken e tij e bëri me ngadalë. Ndjente se ishte djersitur pak, por jo thjesht kjo, mbi të gjitha kishte të ngulitur në kokë kujdesin e paraqitjes sa më neutrale dhe sa më me pak emocione. I zgjati dorën një kolegu në krahun e majtë, dhe nuk harroi të përshëndesteste edhe funksionarin tjetër në krahun e djathtë. Përshëndeti me kokë dy-tre të tjerë, me të cilëve edhe kryeministrin dhe do të donte të përshëndeste edhe sekretarin e parë, por ky seç po merrej me ca shkresurina të tij përpara. Ndërkohë kish nxjerrë edhe ai raportin prej tre faqesh dhe po shfletonte kot më së koti bllokun e shënimeve. Nuk kaloi shumë dhe sekretari i partisë hapi mbledhjen e radhës. Do të raportohej për festën e bukur të 1 Majit, deklaroi ai duke i drejtuar atij dorën, e do të vazhdohej me disa probleme ndërkombëtare të ditëve të fundit. Dhe, tek sekretari po fliste edhe disa fjalë të mëtejshme, ai rregulloi gjithë buzëqeshje raportin përpara tij. Nxorri edhe syzet nga këllëfi dhe u bë gati për të lexuar. Dreqi e marrtë, mendoi pa e shuar buzëqeshjen, do të kishte dashur që raportit të tij ti vinte radha më vonë, mirpo … edhe kjo nuk qe keq, pshehrëtiu i lehtësuar; vendosja e leximit të raportit të 1 Majit qysh në fillim të mbledhjes, tregonte se ai qe problemi më pak i rëndësishëm për atë ditë. Bereqaves, foli gati me zë, tek pa se fjala e sekretarit të parë mbaroi. 

   Heshtja e varrit që ra në sallën e vogël, e hutoi për një moment, megjithatë nuk e dha veten. Nisi të flasë disa fjalë jashtë raportit mbi festimin e bukur të ditës së djeshme, duke përmendur si kohën e bukur ashtu dhe shëtitjet e popullatës së kryeqytetit. Pastaj informoi për pregatitjen e atij raporti të shkurtër nga policia e përgjithshme dhe uli sytë mbi raport. Do të kish dashur të bënte edhe pak shaka, mirpo momenti nuk iu duk i përshtatshëm. Nisi me faqen e parë, pikërisht ashtu siç e kishte të ngulitur në mëndje, i qetë dhe pa emocione. 

   Përmendja e kohës së bukur dhe dalja e njerëzve të shumtë për shëtitje, e hutoi sërish, pasi ishte pikërisht ai fakt që përmendi para se të niste me leximin. Nejse, i dha kurajo vetes, pa guxuar të ngrinte sytë e të shihte reaksionin e të tjerëve. E dinte që ndonjëri edhe do të kish nënqeshur paksa, por tani ishte vonë. Vazhdoi të lexonte edhe më qetë nga sa kish nisur. Donte të gjente një moment për të ngritur sytë, e kështu të çlirohej plotësisht. Mirpo arriti pa dashur tek përmëndja e rastit të parë të vjedhjes, ndaj vazhdoi më tej me ngadalë dhe me zë normal. E ndërkohë që po fliste për rastin e denoncuar, mëndja i vajti tek faqja e tretë. Në atë faqe do të kish kujdes të ngrinte sytë sa më shpesh nga të tjerët, e kuptohet, këtë do ta bënte ashtu si rastësisht, thjesht për të parë reaksionin e sekretarit të parë. Me të mbaruar me ironi atë rastin e fotografistit, ai do të ecte më tej pasi të hidhte atë shikim të shpejtë në drejtim të udhëheqësit. Nëse sekretari i parë buzëqeshte pak, kjo do të thoshte se ishte në rregull. Po të qeshte shumë sekretari, kjo mund të thoshte se rasti në fjalë i kish tërhequr atij edhe më shumë sa duhet vëmëndjen. E nëse sekretari i tyre rrinte i vrerosur, kjo gjithashtu nuk ishte shenjë e mirë, por në këtë rast ai nuk mbante përgjegjësi direkte. Fenomene moderniste ndodhnin edhe këtu tek ‘ta, dhe raporti i tyre nuk mund ti fshihte gjërat, ashtu siç kërkonte partia, … dhe ja, ai po ua jepte gjërat siç kishin ndodhur, … e në të vërtetë dje nuk kish ndodhur ndonjë gjë e veçantë, …dukej se po i mërziste të pranishmit, po ndjesonte ndërkohë që lexonte insiktivisht e thuajse pa e patur shumë vëmëndjen në ato që lexonte. 

   Pa dashur bëri një gabim në të lexuar, duke tërhequr vëmëndjen e disa prej të pranishmëve. Dreqi e marrtë, mallkoi veten. Kish menduar shumë mbi faqen e tretë dhe atë rastin e fotografistit, qortoi në heshtje veten. Në fund të fundit edhe mund të mos e lexonte fare, ose… do ta lexonte me ndonjë improvizim të tijin, … po-po, me të qeshur do ta lexonte, … mirpo kjo e qeshura i kish ikur fare!… 

   Filloi të djersinte dhe, për bela, nuk kish hequr as xhaketën! Ku e kishe mëndjen, budalla, qortoi sërish veten. U përpoq të çlironte pak kravatën, mirpo dhe ajo dreq i ishte shtërnguar më keq se ato gonxhet e litarëve të anijeve!.. Fakti që të pranishmit mund t’ia kuptonin sikletin, e zhyti edhe më në pasigurinë e çlirimit. Mendoi njëherë të pinte pak ujë, por mendoi se kjo do ti merrej si një tentativë e tepruar në qetësimin e fakteve të raportit. Sapo kish ardhur tek rasti i bixhozit me lekë dhe nuk po dinte si ta lexonte, më ngadalë apo më shpejt. Mendoi se me të mbaruar me faqen e parë, do të pinte një gllënkë ujë. Mirpo, ajo dreq fjalie e gjatë vazhdonte pandërprerje në të dyja fletët. Vazhdoi leximin, pa guxuar të bënte gjë tjetër. Mendimi për të bërë një pushim të vogël pas rastit të bixhozit, iu fashit pas pak, tek kish nisur të lexonte për rastin e atij të bizhuterive, rast ky të cilin ata shkruesit e raportit e kishin lidhur bukur me rastin parakalues. Dreqi e marrtë, mallkoi sërisht veten, si e kish harruar lidhjen e dy rasteve!?.. 

   Tek kish mbaruar me rastin e atij të bizhuterive, po lexonte edhe më ngadalë disa fjalë të mira mbi ato ç’ka ishin vërejtur ditën e djeshme të festës. Mendimi për të pirë ujë i ishte fashitur fare, pasi në këtë moment ndjente vetëm disa mornica të ftohta në trup. Ndërkohë, që nga ana emocionale ishte qetësuar diçka, ana fiziollogjike i ishte rënduar. Ajo djersë që po i thahej ndërkohë në trup, po i shkaktonte një ftohje bezdisëse. Nxorri shaminë dhe fshiu disa bulza djerse të ftohta në ball. E ndjente se nuk po e kontrollonte veten plotësisht. Mendimi për të ngritur kokën i ishte fashitur fare. Donte të mbaronte një moment e më parë e të merrte njëherë frymë thellë. Mirpo sikleti i kapur nuk po e linte të lexonte shpejt. Do të kish dëshiruar atë moment ti binte të fikët e ta çonin drejt e në spital. Raportin ta lexonte dikush tjetër, e kështu të shihnin se ajo ditë feste nuk kish patur ndonjë gjë të veçantë. Dhe, edhe nëse ndokush shihte në ‘të diçka të veçantë, le ta diskutonte me të tjerët. Për ‘të nuk kish patur asgjë të veçantë… 

   Po i afrohej fundit të fletës së dytë, duke lexuar me të njëjtin ritëm, si një robot dhe në mëndje iu fashit sërisht rasti i fotografisë që do të vinte pas pak. U mundua të buzëqeshte, por nuk e dinte nëse kish buzëqeshur apo ishte zgërdhirë më tepër! Me të mbaruar fletën e dytë, ngriti sytë insiktivisht nga sekretari i parë. Nuk e kish llogaritur këtë ngritje sysh, por ja që kjo i kish ndodhur insiktivisht. 

   -Të bëmë të djersish! -i folir me buzëqeshje sekretari i parë. 

   -E po festa e një majit! –u hodh edhe kryeministri, një rumbaduc ky, që nuk i kuptohej ku i mbaronin faqet e ku i fillonte gusha. 

   -Unë për vete u kënaqa! –u hodh përsëri sekretari i partisë, që i shijonte këto momente ndërprerje, ku asnjë nuk merrte guximin të fillonte pa shenjën e tij. -Gjithë ditën ka shkëlqyer dielli dje. E keni shënuar këtë në atë raportin tuaj? -iu drejtua me të qeshur ministrit. Ky, i hutuar, por njëkohësisht edhe i çliruar nga ai raport i mallkuar, iu përgjigj: -Jo, ata kishin harruar ta shënonin shkëlqimin e diellit në raportin e tyre. Në fakt atij as që i kujtohej tamam nëse kishte ndonjë fjalë për diellin në veçanti, por ai e dinte se përgjigjia negative ndaj pyetjes së sekretarit ia ngrinte vlerat këtij të fundit. Vërtet, të gjithë filluan të zgjohen nga të qeshurat. 

   -Epo nuk merren të gjithë me artin si ju, shoku sekretar! -i bëri qejfin këtij kryeministri. Të qeshurat servile u shtuan. Situata po merrte në të mirë për lexuesin e raportit, sepse po flisnin edhe të tjerë. Së fundi sekretari i tha ministrit të brendshëm, se të gjithë e dinin që ajo ditë e parë maji kish shkuar mirë, prandaj po të donte mund të qetësohej e s’ishte nevoja të vazhdonte, … por vetëm nëse kishte ndonjë gjë të veçantë… 

   Për ç’rast të veçantë fliste sekretari, mendoi në çast ministri. Jo-jo, tundi kokën gjithë buzëqeshje, asnjë gjë të veçantë. Gjëra të vogla mbi të cilat nuk ia vleje të zgjateshe. Gjithshka kish shkuar vërtet shumë mirë, ngriti zërin. Këtë rast nuk mund ta humbte, dhe palosi letrat përpara. Gjithshka kish shkuar edhe më mirë se mund të mendohej, theksoi fort. Edhe ai vetë kish qenë dje me gjithë familjen e tij në shëtitje, … e biles kish shkuar edhe në një lokal. Dhe kish pirë edhe një birrë të ftohtë! Po, po, birrë për kokën e birrës!…  

   Të qeshurat ishin shtuar. Për shaka nuk ia hidhte dot njeri atij, ndjesoi ministri. Edhe për muhabet nuk ia kalonte njeri aty. E dinte fort mirë se kishte disa aty në byronë politike që e mbanin për pak leshko, e mbanin si të lehtë nga mëndja, por ai dinte ta bënte punën shumë më mirë nga disa vetujngrysur të atyshëm, me ato të qeshurat dhe shakatë e tij. Po, po, ajo birrë e kish bërë kështu si të hipnotizuar sot… Ha-ha, vazhduan të qeshurat. -Si të apatizuar, donit të thonit! -i erdhi një kritikë nga dikush. Hodhi sytë dhe pa se ishte „filozofi“ i byrosë, siç e quanin njerëzit zëvendsekretarin e parë të partisë. Edhe këtij i kish dalë paksa boja, ndjesoi për tjetrin. -Jo, jo, i paralizuar…  Ha, ha, ha, vazhduan me të madhe të qeshurat. Ehh, sa mirë, i ndriste së fundi fytyra lexuesit të pakpërparmë, situata ishte çliruar krejtësisht, së fundi ai mund të hiqte xhaketën, mendoi, dhe pa e zgjatur nisi ta hiqte atë. E ndërsa të qeshurat dhe romuzet nuk mbaronin, ai vazhdonte të fliste për paralizën e tij prej birrës së ftohtë. -E shohim, e shohim!.. -i thonin disa. -Na duhet tani edhe një ligj për temperaturën e birrës!.. -po shakatonte edhe kryeministri me sekretarin e parë, të cilin e kishte në krah. 

     -Ç’t’ju them, -nuk i pushonte më goja ministrit  të raportit,  -hëngra një akullore më pas, e m’u duk e ngrohtë si ashure. 

      Të gjithë byroistët i kapi e qeshura. Oh-ho, rast më të mirë nuk kish, ndjesoi ministri i djersirë. Menjëherë, sikur ai të mos e kish vëmëndjen, futi raportin në xhepin e brendshëm të xhaketës. Me kaq mbaroi, i foli i gëzuar vetes, pa e ndalur dhe ai bashk-shoqërimin qeshës. –Tamam si ashure! –buçiste ndër udhëheqsit e partisë. E qeshura nuk po pushonte. Raporti ishte harruar. E në fund të fundit, raporti kish qenë vërtet për bukuri, nuk po i ndahej nga mëndja ministrit faqe-rrombullak. Tamam, siç e donte edhe sekretari i parë! Ja, as edhe një pyetje nuk po shtrohej! E ç’të shtrohej! Ajo ditë e bukur me diell kish kaluar vërtet pa incidente të mëdha. Kish qenë vërtet një idè gjeniale e partisë për ta festuar ndryshe atë vit 1 majin. Disa kishin patur frikë, por ja që ajo ditë kish kaluar aq e qetë. E ç’ë, se kish patur disa incidente të vogla?!? Ato ndodhnin në çdo vend! Ato ndodhnin në çdo kohë? E biles ato kishin ndodhur edhe më parë, kur nuk kishin filluar akoma këto erërat e lindjes! E çfarë, se dikujt i ishte shkrepur në mëndje të shkrepte aparatin fotografik kundër policisë!?. Do të friksoheshin nga disa psikopatë, që përfitonin nga diagnozat e tyre dhe as që punonin!?.. Jo, jo, ata e kishin situatën në dorë. Në fund të fundit le të kishte edhe disa psikopatë. Mbi ligjin nuk mund të dilte njeri. Ja këtë po nisnin tani të diskutonin. Raportit të tij i kish kaluar radha. Në vetvete ndjente edhe një lloj keqardhje që nuk kish arritur deri tek ai rasti i fotografistit. Do të kish dashur të shikonte reaksionin e shokëve të tij byroistë!.. A do tu bënte përshtypje!.. Apo, ai e kish rregulluar aq bukur, sa kërkujt në atë mbledhje nuk do ti binte diçka e veçantë në sy. Eehh, të përqëndrohej tani në pikat e tjera, pikërisht në ato temat mbi situatat e reja në botë dhe në vendin e tyre. Po-po, më vonë, mund të kishte edhe ai ç’të fliste mbi situatat e reja që po afronin…  

                                          ***  

.