zgjedhjet europiane

                                      Të gjithë në zgjedhjet europiane   

    Be-bee-beee! Bëërrrr! Sa të gëzuara që jemi ne bagëtia e Europës që do të votojmë për barinjtë tanë të Strazburgut! Nga data 23 deri më 26 maj kemi të drejtën e votës! Sa simbolikë e bukur! 23-shi, një numër që ka treguar gjithmonë të renë e të fortën, kryesisht përfaqsues i të ashtuquajturve të majtë europianë. Me gjoja kjo. Por edhe 26-a po ashtu me mjaft simbolikë brenda, si përfaqsuese e atyre tradicionalë, që janë në fakt gjysma e të tërës, pra atyre të Mëmës Tokë, të cilët u ndanë gjysma andej e gjysma këndej, po si mitet simbolike akoma më të lashta europiane, ku Titanët luftuan kundër vëllezërve të tyre Gjygandë, -këta të fundit u bashkuan me Zeusin (Xojsin) dhe i mundën Titanët; pak me dredhi, po nejse, dredhia mëma e të fortit, thonë. 

   Këta barinj europianë, që na drejtojnë ne bagëtinë përmes ligjeve, përmes ligjeve po ju them, (por edhe kjo me gjoja), bëhen atje në sallën e debateve dhe dërdëllitjeve nja rreth 600 vetë. Hëm! Sërish me numra simbolikë na drejtojnë këta të djallosur! Nuk u ndahen skemave të tyre skematike! I kanë shinat e tyre të shtrira këtu e mijra vjet më parë! Tashmë u duhet vetëm të ecin mbi ato shina. Ashtu siç na duhet edhe ne bagëtisë këtu poshtë të blegërimë gjithnjë, beee-be-e-e-eeee! 

   Kësaj radhe duket sikur gjërat ndryshojnë pakëz. Po edhe kjo me gjoja është. Janë po ata barinj, që ndrro herë culën e herë veshjen, herë kapellen e herë qillotat, si e si të duken më ndryshe, si e si të duket zgjedhja e tyre prej nesh si e vërtetë. Qeratallenjtë! Na e kane hedhur gjithnjë! Neve deleve na kanë lënë barin, vetë pinë qumështin tonë e hanë mishin tonë. 

   Vërtet, barin na e kanë përmisuar, -po të pranojmë se pa ata nuk do të mundnim vetë ta siguronim këtë bar, që hamë. Biles edhe për organizimin tonë kanë sjellë metoda më të rafinuara. Na kanë vënë shpesh në protesta e demostrime, si e si të duket jeta demokratike në mënyrë të përsosur. Siç e do dhe puna, me gjoja! Se gjoja jemi ne që i zgjedhim ata! Se gjoja ne mund të zgjedhim edhe nga radhët tona bagëtore barinjtë tanë! Pika që s’u bie! Sikur nuk e dimë ne, kë zgjedhin ata! E cila morracake nga radhët tona ka bërë ndonjëherë karrierë në radhët e barinjve! Ne jemi bagëti, ndërsa ata barinj të bekuar më parë nga Zoti i madh në qiell! Ata kanë para dhe gjithshka, kanë edhe qenër-policë, që i ruajnë. Ne kemi vetëm leshin tonë, që quhet lesh curri, e i cili nuk na mbron nga kurrfarë ujku! 

   Po ajd mo! Përderisa kanë gjetur, le të bëjnë me ne ç’të duan! Ne do shkojmë edhe kësaj radhe ti zgjedhim barinjtë tanë të mënçur, barinjtë tanë të zgjedhur më parë nga vetë Zoti si barinj! Dhe ata do konfirmojnë sërish demokracinë, e kësaj radhe me gjoja disa kritika më të forta. Ne bagëtia poshtë do ti mbështesim. Dhe do blegërijmë si gjithmonë: beee, bee-ee-e!   23.5.2019  

 .                                               ***   

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund t’merret e t’nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj