Të mënjanuarit

                                      Të mënjanuarit  

   Përgjatë Rrugës-Bulevard, siç quhej tashmë ajo lloj rruge automobilistike, e njëkohësisht edhe shëtitjeje këmbësorësh, hidhnin shtat godinat e reja, vinin e iknin mijra njerëz çdo ditë, shtoheshin dhe pakësoheshin dyqanet, bizneset, zyrat, çdo moment. Përkrah atyre godinave, sa private dhe shtetërore, dhe nën hijen e tyre mjegullore rreshtoheshin me dhjetra vepra arti, përfshi piktura, skluptura, modele të çuditshme dhe abstrakte, mjaft edhe konkrete, ca të kuptuara e ca të pakuptuara, ca me drita e ca me dritë-hije, disa as tamam objekte e as tamam ndërtesa, lloj-lloj të shumllojshme në qëllimet dhe pretendimet e tyre. Pranë të gjitha këtyre kalonin këmbësorë, biçikleta, karroca dhe makina, nuk mungonin as aeroplanët në internerarët e tyre të çrregullt, si për t’ia shtuar rrugës-bulevard çrregullinë zhurmëmadhe të subjekteve të tjerë.

Ndonëse njerëzia nuk para e kishte mëndjen tek sejcila prej godinave dhe objekteve të Rrugës-Bulevard, (e si ta kishte xhanëm, kur preokupimi kryesor i njerëzisë ishte paraja, po njëlloj siç dhe preokupimi i atyre krijuesve dhe investuesve të objekteve në bulevardin-rrugë), ishte media ajo që ia kujtonte asaj këtë efekt estetik dhe afekt biologjik. Nesër hapet dyqani i syzeve pa xhama! –spërdridhej reklama e televizioneve dhe e gazetave për evenimentin e radhës. Dhe vuu, njerëzit të nesërmen suleshin me gojë hapur, për të parë inagurimin e biznesit të panjohur, uaauuu shpërthenin në gëzimin e tyre të papërmbajtur. Po kështu edhe anarshistët, që ishin kundra gjithshkaje, (vetëm pak e dinin se ata paguheshin për rolin e tyre), çirreshin gjithë banalitet kundër inagurimit dhe evenimentit të ri. Si të gëzuarit, që përbënin shumicën, ashtu dhe anarshistët, që përbënin pakicën, mbushnin sheshin në çdo festë inaguruese, e sidomos në ato të veprave të artit. Mes tyre kishte më shumë të papunë se sa të punsuar, ndaj dhe kureshtja mbushte kronikat e lajmeve. Sot një dyqan, javës që vinte një vepër arti, e pas dy javësh inagurimi i një objekti-ndërtesë me zyra. Kështu muaji, viti, jeta. Krijim, inagurim, spektakël, por edhe buzëqeshje, fjalë të bukura dhe duartrokitje të zhurmshme. Gjithshka shkonte bukur. Nuk dallohej mangësi, sepse edhe gjatë një stepje-ngurrim-hutim, ishte muzika e DJ-ive profesionistë, ajo që e përmbushte atmosferën gazmore.

Nuk ishte sekret të thuhej, se ishte edhe puna e qeverisë dhe vetë komandantit të saj, ajo që i jepte impulse kësaj jete gazmore. Një sasi e buxhetit, (ky i fundit ishte i përbëre jo vetëm nga taksat, por edhe nga borxhet e marra diku), shkonte pikërisht për këto evenimente afektuale të kulturës popullore, ku afektet e shpërrthimit të gëzimit përziheshin me ditrambe vargjesh poetësh të medias. Për ti dhënë edhe më shumë bukuri festave të tilla, ishin piketuar disa zevzegë e ngatrresaxhinj, të cilët na paskëshin si qëllim neutralizimin e këtij afekti popullor, pra hedhjen e baltës ndaj atij gëzimi shpërthyes e ngashërues. E vetvetiu nuk kish si të bëhej ndryshe, përderisa ligji universal i poleve do të vepronte që do të vepronte diku! Ndaj, më mirë ky lloj piketimi të organizohej nga mëndje të ndritura, se sa ti lihej rastësisë dhe natyralitetit.

Kush dhe cilët ishin këta zevzek-edepsezë, kjo nuk sqarohej qartë dhe detajërisht, sepse mund të qëllonte që objekti negativ të neutralizohej përfare, gjë që nuk ishte ky qëllimi i piketuesve. Dihej mirë kush ishin ata nursezë dhe inatçinj, por kjo nuk shpallej hapur. Një gabim i tillë mund ti ngrente të piketuarit nga padukshmëria në dritë! Një sulm i hapur ndaj tyre mund të drejtonte vëmëndjen e publikut drejt tyre. Një përmendje emrash mund t’ua përjetonte atyre emrat për një kohë të gjatë! Oh Zot, mos ndodhtë kurrë! Ndaj aludimet, sarkazmat dhe paralajmërimet në mënyrë të papërcaktuar ishin bashkshoqërueset e jetës festive. Pas këtyre piketimeve negative pa emër, gjithkush që nuk i bashkngjitej me shpirt festës festive, do të paramendonte se ishte ai vetë në piketimin e caktuar. E kështu do të kompleksikohej keqaz me veten! Mund ti vinte turp nga vetja e vet! Gjithkush tjetër, do të mendonte se shkruhej për x-in ose për y-in, ose dhe për dy-tre të tjerë, meqë këta ishin mjaft indiferent ndaj festës, apo dhe më keq, ishin kritikues ndaj një evenimenti të caktuar festiv.

Piketuesit e vërtetë rrinin fshehur, jo aq për atë se nuk dinin të lidhnin dy fjalë, jo aq për atë se ishin edhe frikacakë, por edhe se këtë punë kishin bërë gjithë jetën e do të vazhdonin deri në grahmën e fundit, kështu duhet të rrinin të pazbuluar në lluksin e tyre të panjohur. Piketuesit e hapur, pra zbatuesit e urdhërave të marrë me veshë apo me mënd, (sepse shpesh piketuesit e hapur i kuptonin zotërit e tyre edhe pa hapur këta të fundit gojën e tyre), punonin hapur pastaj; këto ishin forma të ndryshme pune, si ta sillte rasti dhe mundësia e tyre. Disa ishin të aftësuar në ndalime të ndryshme administrative dhe marrdhënie pune. Kur efekti i këtyre nuk arrinte të neutralizonte zevzekët inatçinj, viheshin në punë ata të grupit të shkruesve; këta piketues ishin të aftësuar për të bërë fejtone aludues, sarkazma kuptimplote, ironime pa adresë, të gjitha pa vënie gishti. E kur edhe efekti i këtyre nuk jepte rezultatet e duhura, gjë e rallë kjo dhe e veçuar, atëhere shtohej në veprime edhe grupi i përfolsve lart e poshtë, që me pa të drejtë quheshin thashethemexhinj, grup ky i cili kishte një nuhatje të mahnitshme ndaj zevzegëve, duke e nisur kështu punën e përfoljes mjaft herët, pra edhe më parë se të kristalizohej qartë puna e shkruesve aludues.

Duhet pohuar se, përfolja lart e poshtë dhe vesh më vesh bëhej duke përmendur emra, pra i piketuari dihej gjithandej se kush ishte dhe çfarë ishte. Dihej se ishte një njeri jo normal nga trutë, zevzveg, mburravec, mëndjemadh, hundpërpjetë, qaraman, mos-komunikues, etj. epitete të zakonshme për një të piketuar në gradë jo popullore të shoqërisë. (Sepse, për ata me gradacion të ngritur popullor në shoqëri, vetvetiu që kish epitete shumë më të rëndë!) E pikërisht, pasi bota e dinte tashmë me çfarë njeriu torolesh kish të bënte, ishte më tej e kollajtë të veprohej me të piketuarin e deklasuar. Çdo veprim dhe mësymje e mëtejshme e të deklasurit, jo vetëm do provonte se tipi në fjalë ishte një i çmendur, pra do ta diskretitonte atë vetë, por ky tip do të binte padiskutim ndesh me ndonjë sylesh nga shoqëria e festuesve, kështu do ta pësonte për faj të tij. Dhe, po të kish fatin të kish dalë fitues në grindjen e parë, i dërgohej nga pas ndonjë kopanues i mirë, i cili ia tregonte vëndin menjëherë. Në këtë rast, çfardo lloj dëmtimi që tipi i piketuar të pësonte, gjithkush do t’ mendonte se grindaveci e kish krruajtur vet, si tip ngatrrestari që duhet të qè!

Kështu, rruga-bulevard festive, megjithë çrregullinë në dukje të saj dhe lëvizjet kaotike, sillte investime, para dhe gëzime. Duke ruajtur normat demokratike, ajo rrugë-bulevard u jepte mundësi edhe zevzekëve-krijues të prezantonin veprat e tyre, duke u garantuar nga një vend prapa godinave dhe krijimeve të afirmuara të Rrugës-Bulevard. Diku nëpër qoshka periferie çelnin dhe lulëzonin disa vepra artistike, të pavlerësuara, nëse të bukura apo jo, sepse kërrkush apo shumë pak njerëz dinin gjë për ‘to. Masat e gëzuara popullore ishin të mbytura deri në grykë me bukurinë zhurmëmadhe të Bulevardit-Rrugë. Në një ngopje të tillë nuk i shkonte kujt mëndja të gërrmonte më tej në periferi për diçka të paparë, për diçka tjetër. Sapo dikush ta çonte nëpër mend një aventurë të tillë, fap media madhështore jepte lajmin e evenimentit të ri në Rrugën-Bulevard. E sërish vëmëndja popullore drejtohej pranë këmbëve, e sërish gëzimi popullor-mediatik shpërthente gjithë ngulçima ngë-ngë-ha-ha-aah-uh-rra-h… Gjithmonë të reja, përherë gjëra madhështore, gjithnjë lëvizje pa mbarim.

E ndërkohë që veprat artistike të rrugës-bulevard prisheshin dhe harroheshin shpejt, sepse të reja u zinin vendin, disa nga veprat artistike të skluptorve periferikas –siç quheshin tashmë ata lloj pizevengësh mistrecë– vazhdonin e ruanin shkëlqimin e dikurshëm. Disa nga autorët e tyre mund të kishin vdekur, mirpo veprat e tyre vezullonin akoma përballë nënvleftësimit dhe injorimit të zhurmës së Bulevardit-Rrugë. Kjo i shqetësonte krijuesit e vjetër e të rinj bulevardas, aq sa këta dhe pasuesit e tyre akoma më shumë i mëshonin gazit shpërthyes të festimeve inaguruese. Edhe më e madhe rrezatonte reklama mediatike për veprat e objekteve të Bulevardit-Rrugë. Edhe më shumë ngrihej në qiell zhurma ekzaltuese e spazmatuese e çirrjeve të festimit. Duhej si e si të harroheshin ata periferikët e mallkuar! Ata të çmendurit e fëlliqur e të pakënaqur! Ndaj çirrjet ekzaltuese buçitnin deri lart në qiell. Le të shqetësoheshin Zotat dhe Perënditë bashkë! Gëzimi ishte i papërmbajtshëm. Le ta shihte gjithë bota! Ta dëgjonin edhe ata të mallkuarit! Arti i Rrugës-Bulevard kish nevojë të shpërthente me thirrje dhe çirrje festive të papërmbajtshme.

Di. 11. 10. 2016  

.                                          ***

.