letër përgëzuese

                    Letër përgëzuese Edi–Erionit & Co. nga miqtë e tyre parellinj

   Të dashur kanakarët tanë, Edush dhe Erush, 

   nuk mund të rrinim pa ju përgëzuar për arritjet që keni patur muajt e fundit, në lidhje me zhvillimet e mëtejshme demokratike e të shoqërive të hapura. Ngritja e mëtejshme e gradaçielave, që keni vënë në udhë të mbarë, do t’ua uli edhe më tepër hundën protestuesve dhe dhunuesve të hapur të rendit demokratik. Deri më tash këto shqiponjëza anti-demokratike kanë flutuar në shëtitjet e tyre mes gjelbërimit të pemëve të shumta të qyteteve, deri më tash këta zogj të lirë janë ulur dhe e kanë pirë kafen nëpër lokale me lulishte dhe hapsira të pafunda, të mbetura këto të fundit qysh nga koha e diktatorit tuaj 40 vjeçar, duke patur kështu mundësinë e mbërthimit me sy të qytetit të tyre, për ta përfshirë dhe ndjerë atë në dejet e tyre fluturakë, në damarët e tyre me gjak të lirësh. Deri më tash qytetarët tuaj kanë patur mundësi të fluturonin me ëndrra varfanjakësh në soditjen dhe shëtitjen e hapsirave pa fund, duke u shkrirë me horizontin e largët e të pafund, përgjatë çdo hapi të hedhur në lulishtet e shumta që keni patur deri më tani. Por tash, tash ata do ta përplasin shikimin me muret tona të ftohta dhe hijen e rëndë kull-gradaçielore, për t’mos patur më shpresën dhe ngazëllimin fëminor, që u ngjall hapsira e mbushur me rreze dielli. 

   Deri më tash ata kishin patur krahë zogjsh, e më të vegjlit e tyre krahë fluturash; ata bënë edhe poezi me vargjë qiellore dhe tentuan sa herë të thyenin vargojtë e skllavërisë me fjalë të lira; ata mbërthyen qytetin e tyre me një shtërngim të vetëm gjoksi dhe e ndjenë vendin e tyre aty brenda gjoksit të tyre; –këto i bënë ata më të mëdhenj se sa ishin në përmasat e tyre fizike. Por tash ata do të ndjehen poshtë kullave tona si kërmilli nën guackë, shpirti do tu ndrydhet, hapat do tu kthehen në zvarritje. Tash ata do të zvarriten me frikën mos kullat tona i zënë përfund; e vetëm si fillim do tu vijë pak turp nga vetja për frikën shoqëruese e të pa mundur për ta shfaqur, më pas kjo frikë do të jetë pjesë e tyre, sepse shpirti i tyre, dikur i madh, do te jetë zvogluar e do t’ia ketë lënë vendin vetëm nevojave trupore. Për bashkime e protesta kundra ligjeve tona –ha-ha– as që do u shkojë më mëndja. Dhe ne, drejtuesit e tyre të përjetshëm, den baba den me nipërit e stërnipërit tanë, nuk do të kemi më frikë se do të na kundërvihen, për t’na larguar nga drejtimi i tyre… 

   Gjithashtu ne duam t’ju përgëzojmë, që edhe në drejtime të tjera keni bërë përparime, biles ca më të mëdha. Sistemin e gjobave e keni vënë në udhë të mbarë. Deri më tash ai popull ishte mësuar që të shkonte në burg, kur bënte shkelje ligjore. Dhe, me të dalë nga burgu, linin prapa krahëve të tyre me harresë demostrative të gjitha vuajtjet dhe mundimet, duke u ringjallur edhe më shumë me një shpresë të pamatë jete të gëzuar, duke e lënë shpirtin të lirë përmes ëndrrave dhe idealeve të ndryshme. Por tash –falë mendimeve tona dhe veprimeve tuaja– mundimi i këtyre shkelësve të ligjit nuk do marrë fund. Teksa ata marrin fillimisht gjoba, ata kujtojnë se sistemi ynë është i dobët, se ne jemi të pafuqishëm ti fusim në burg, ata kujtojnë se ne po i përkëdhelim. Dhe nisin e i injorojnë gjobat tona, pa e ditur se ato shtohen dita me ditë dhe laku në qafën e tyre shtërngohet edhe më shumë. Atëhere ata nis e i zë frika, tërbimi, pasiguria. Dhe bëjnë veprime edhe më të dëmshme. Gjë që na jep neve mundësinë t’ua lëmë lakun në fyt, por –si demokratë që jemi– pa ua bllokuar frymën, pa ua marrë jetën, pa i vrarë; në fund të fundit na duhen për krahë pune. I lemë me frikën e lakut për kohë të gjatë, mundësisht për gjithë jetën, nëse nuk ulin kryeneçësinë e tyre. Ata e shohin kështu vetë se nuk kanë nga t’ia mbajnë dhe pak nga pak u largohet instikti i luftës, i grindjes, i përplasjes me shërbëtorët tanë të bindur, –policinë tonë të super-përforcuar. 

   Sistemi ynë i gjobave i bën ata të ulen e të ankohen përmes letrave të pafundme, të kërkojnë ndihmën e kastës së avokatëve, kështu, në vend që të protestojnë me grumbullime e thirrje çirrëse kundra nesh, tashmë protestat e tyre humbin nën letrat e shumta, të cilat kështu që kështu përfundojnë pas pak muajsh në koshat e plehrave. Ata, jo vetëm do ta humbin ndjesinë e të protestuarit të dhunshëm në sheshe të hapura kundra nesh, për shkak të mosekzistencës së këtyre shesheve të gjëra e me hapsirë, por ata do ta humbin këtë ndjesi edhe për shkak të manovrave tona në gjoja zgjidhjen e problemeve të tyre të shtruara në këto letra të pafundme. Sepse ne, përmes ekzekutivit apo gjyqsorit do tu falim disave gjysmën e gjobës së vendosur dhe disave çerekun e saj. Por kurrë dhe kërrkujt do ti falim të gjithë gjobën. Sepse vetëm kështu tregojmë forcën dhe patundshmërinë tonë, gjoja zbatimin e ligjit… 

   Së fundi ne, miqtë tuaj, duam t’ju falenderojmë edhe për reformat që po zbatoni në drejtësi në bazë të atyre udhëzimeve që u kemi dhënë dita-ditës. Tashmë xhungla e ligjeve është aq e komplikuar, sa aty nuk mund të orientohet dhe bazohet as edhe një avokat, as edhe një prokuror, as edhe një gjykatës. Kjo xhungël do të mundësojë që as edhe një qytetar të mundet të shpëtojë gjatë jetës së tij pa disa proçese gjyqsore. Gjithkush si pa ndjerë e pa kuptuar do të ndodhet sot ose nesër para gjykatësit, do të jetë i detyruar të kapë një avokat, derisa siguracioni juridik të jetë një domosdoshmëri e jetës së sejcilit. 

   Natyrisht, qëllimi i miliarda neneve të krijuar nga ne dhe ju bashkë nuk është nxjerrja e të gjithë popullit para bangës së të akuzuarit; –këtë ata do ta arrisin vetë përmes grindjeve të shumta që u shkakton makutëria e tyre dhe shpresa që ne u nxisim për pronë, poste e para. Por ne kemi mundësi përmes kësaj xhungle të pafund nenesh të padisim ato kokrra individësh, të cilët do të vazhdojnë të ruajnë akoma shpirtin e tyre prej rebeli të papajtueshëm me kastat e shoqërisë, (ç’dreq genesh të pandryshueshëm që kanë xhanëm!), duke na kritikuar, akuzuar, paditur dhe sulmuar me gjithë arsenalin e tyre faktues-argumentues. Dhe, pas përplasjeve gjyqsore që do të kemi, ne shkojmë përmes avokatve tanë ballas dhe kryelartë, pa frikë dhe komplekse, të sigurtë se drejtësia e vendosur do të na detyrojë neve –në rastin më të keq– të pranojmë kompromisin, këtë magji të sistemit tonë, që nuk na nxjerr kurrë fajtorë, por na bën të gjithve fajtorë dhe të gjithve na jep të drejtë. E nëse ndonjë të çmëndur do ta gënjejë mëndja, që në sistemin tonë të drejtësisë do të gjejë të drejtën e plotë, le të ëndërrojë deri në grahmat e fundit, ha-ha…  

  Vazhdoni punën tonë të përbashkët miq të dashur, Edi–Erjon & Co.! Miqtë tuaj të përhetshëm parellinj.  

1.6.2020                                         ***

 Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund t’merret e t’nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj