Koqet e Markos

Koqet e Markos, refugjatët sirianë, Akili i lashtësisë dhe Platoni i antikitetit

Markoja, atëhere (2007) rreth 17 vjeç, u njoh gjatë pushimeve të pranverës në Antalya të Turqisë me një vajzë angleze 13 vjeçare, dhe … ia hypi i eksituar. Se si ndodhi sak-saktë kjo dashuriçkë, kjo as sot nuk është marrë vesh, (familja e vajzës pretendon se Marko e ka ngucur kundër dëshirës së saj për seks, pra e ka përdhunuar, ndërsa Marko thotë se ajo e tërhoqi vetë, pasi u hoq sikur ishte 15 vjeçe), por të paktën faktin e kryer e morri vesh familja e vajzës, e cila edhe bëri një denoncim në policinë e qytetit. Kjo e fundit nisi menjëherë hetimet dhe e arrestoi Markon.

Po aq menjëherë u përhap lajmi edhe në Gjermani, vendin e Markos. Mediat buçitën, politikanët gjermanë u vunë në lëvizje dhe studiot televizive nuk kishin temë tjetër për muaj me radhë, përveç temës së adoleshentit Marko në qelitë jashtë standartit të Turqisë. Kjo lëvizje gati kombëtare në Gjermani, të kuptohemi: lëvizje mediale, nuk ishte parë në shtypin gjerman as për të burgosurit gjermanë mbas luftës së dytë botërore në gulaget sovjetike, as për ngritjen e murit të Berlinit në 1961, as për revoltat studentore të 1968-ës, dhe as për protestat masive gjatë 1982-it mbi vendosjen e raketave bërthamore amerikane në Gjermani. Për ditë e për natë lexuesi dhe shikuesi gjerman përcillej nga gazetat dhe media televizive mbi gjëndjen e rënduar të Markos në qelitë turke dhe për pafajsinë e tij fëminore. Të kish dalë gjatë këtyre muajve një njeri dhe të deklaronte, se koqet e Markos janë Zoti dhe Perëndia, jam i sigurtë se e gjithë media do ta mbështeste këtë nismë.

Për dreq, apo për fat, (nuk e di se unë nuk jam besimtar në Zot, të paktën atë biblik apo kuranik, por kështu si vijnë punët bëhem me zor besimtar dhe them: O Zot, nuk të besoj, por kam respekt për Ty), këtë kohë Turqia po përmisonte sistemin e saj juridik, duke ia përshtatur atij europian, ndaj dhe avokati i familjes së vajzës argumentonte në intervistat e tij, se Marko meritonte në bazë të proçedurës penale turke qëndrimin në qeli deri në gjykimin e tij. Mirpo, ka ligj, thotë një llaf i urtë i joni, por ka dhe Maliq! Ndaj Maliqët gjermanë hynë në bisedime të ethshme me Maliqët turq, shumë nga këto bisedime u shpalosën për shou edhe në studiot televizive, ku u luajtën hapja dhe mbyllja e syut si tek kurvat në filmat e Hollivudit, dhe së fundi Marko … uuu liiiruuaaa… Pra, nga njëra anë Gjermania bënte thirrje për përmisimin e sistemit juridik në Turqi, gjë që turqit e tregonin më së miri në arrestimin dhe hetimin e Markos, nga ana tjetër Gjermania nuk linte gur pa lëvizur ta shkelte këtë sistem juridik, të ngritur me aq sakrifica në një vend treçerek-oriental.

Natyrisht, nuk është për tu çuditur, suedezët e thonë: gjermanët janë skandinavët e korruptuar, ndaj dhe unë nuk do ndalem tek dashuria e gjermanve për koqet e Markos, as tek analogjia e tyre me sistemin e vjetër oriental të drejtësisë! Por po afrohem në kohën tonë, kur shohim se si politika gjermane dështoi pjesërisht në Ukrahinë; vajtja me vrap atje e ministrit të jashtëm gjerman dhe atij francez, pas rënies së Jakunoviçit, dhe rrjedhimet e mëtejshme në Krime dhe Ukrahinën lindore, treguan se politika gjermano-perëndimore nuk ishte aq e pjekur, por e nxituar. Po ashtu, politika perëndimore në Siri pësoi fiasko! Dhe së fundi, ftimi i emigrantëve nga kancelarja gjermane Merkel, (si pagesë –e përjetshme– që Gjermania bën për gabimet e saj), një ftesë e pandershme e saj, sa për të shplarë gojën, siç edhe po e tregojnë ngjarjet dhe rrjedhimet llogjike të pamundësisë së sistemimit të qindra-mijra emigrantëve në një kohë të shkurtër, (por megjithë këto dështime të panumërta të politikës gjermane, kjo vazhdon ta mbajë kokën lart si e fortë dhe e sinqertë), derisa një ditë të gjithë ne –sëbashku me emigrantët e panumërt– të ndodhemi në një gjendje gati lufte.

E gjithë kjo situatë jo normale mua më kujton luftën e përjetshme të Trojës, ku Akili na prezantohet më së shumti si një soldner, njëlloj si islamikët e sotëm, (ndonëse këta janë tjetër brum nga ai i ushtarve të A-killit), kështu duke u vrarë për zotërit e tyre perëndimorë, Agamemnonët e rinj, dhe në fund, si shpërblim i jepet diçka të birit të tij eponim, Neoptolemit, duke i dhënë për plaçkë Andromakën, të venë e Hektorit, sot kjo plaçkë janë disa konçesione që kanakari i Rusisë, Basar al-Assadi, do u japë opozitës së re siriane, pra Neoptolemit, legjendat e mëtejshme të të cilit turbullohen në rrjedhat e kohës, ashtu siç po turbullohen sot idetë e perëndimit me gjithë opozitën e sotme siriane.

Natyrisht që mua nuk më rref shumë se si do shkojë problemi sirian, ashtu siç nuk i rref shumë edhe një siriani fati i Europës. Por e di, se në këtë botë të zvogluar, ndikimi është më i shpejtë dhe më i dukshëm nga çdo efekt që ndodh diku. Ndaj çdo kush njeri në botë –do apo nuk do– uron dhe dëshiron një paqe edhe larg brigjeve të tij. Mirpo kjo paqe ka mbetur tani midis Agamemnonëve të rinj dhe Neoptolemenve të rinj, përfshi aty Amerikën dhe Rusinë, gjithashtu ka mbetur midis “koqeve të Markos” dhe sistemit juridik, pra lekëve që Maliqi gjermano-europian duhet ti paguajnë Maliqit turk dhe ndalimit të këtij matrapazllëku, që sistemi ynë europian nuk e lejon. (Sa për dijeni, sot në parlamentin europian u denoncua ky matrapazllëk; dhe nesër nëpër gazeta do keni më shumë material.) Pra, si do zgjidhet ky problem? Emigrantët nuk kanë të shuar! Ata vazhdojnë dhe ka mundësi të paralizojnë jetën në shumë vende europiane!

A nuk do të ishte më mirë që Europa të kthente sytë nga antikiteti!? E të merrte ato ligje më të sinqerta, më të qarta e më dobiprurëse!? Po, kjo do të ishte metoda më e mirë. Ajo nuk duhet të kopjojë 100% tezat e Platonit, mbi diktaturën! Jo! Por ajo ka nevojë që në këto situata jo-normale të vendosë pjesërisht një gjëndje të jasht-zakonshme, (kjo i përgjigjet termit “diktaturë” në antikitet), por mos u friksoni, kjo nuk do të thotë që të shpalli gjëndjen e jashtzakonshme kudo, as gjëndjen e luftës në Europë, por duhet ta marri vetë situatën në dorë dhe të ndali eksodin masiv të sotëm në kufinjtë e Europës jugore dhe asaj lindore. Në të kundërt, ajo do të bëjë vetëm matrapazllëqe të përjetshme me vende të ndryshme në kufinj të saj! Sot me Turqinë, nesër me Rusinë, pasnesër me vendet e Afrikës veriore, e kështu pa fund! Politkanët europianë, (që vetëm politikanë të dështuar mund ti quash, apo e shumta: matrapazë çerek të sukseshëm), duhet të marrin masa të jashtzakonshme në mbrojtje të kufinjve të Europës, dhe po ashtu një kthim masiv të emigrantëve! Në të kundërt do të luajnë sa për sy e faqe rolin e humanitarit. 2016

robertthomai@gmx.de

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund të merret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose robert thomanikaj