I pastrehi dhe flaka

I pastrehi dhe flaka e Krishtlindjes

Dje paska ndodhur! Disa të rinj sirianë dhe libiaë kanë tentuar ti venë flakën palltos së një të pastrehu në një stacion treni këtu në Gjermani, gjatë kohës që ai po dremiste i veshur me pallton e tij të pazhveshur prej vitesh. Dhe tashmë prokuroria me vrap na paska lëshuar një urdhër arresti për këta të rinj!

Po pse o vlla?!.. Çfarë kanë bërë këta djem të rinj, aq të pafajshëm dhe… ta themi hapur, pa letra pune e të papunë!? Hiç, asgjë nuk kanë bërë! Thjesht po vinin vërdallë kot më së koti, siç i thonë gjermanisht: të frustuar! Dhe, tek panë një gjumash të pastrehë me pallto rrecka-rrecka, të entuziazmuar edhe nga gëzimi i përgjithshëm i krishtlindjeve, thanë ajd ta ndezim zjarrin e festës! Dhe i vunë flakën të pastrehut, duke i bërë edhe një nder biles, sepse e zgjuan të lemerisur e të lebetisur, që të shkonte e të respektonte ligjin gjerman, atë të fjetjes në kapanonet e të pastrehve! (Të mos harrojmë se ligji në Gjermani respektohet si Zoti!)

Mirpo kujt t’ia thuash!?.. Për një shaka të vogël, të lëshohet urdhër arresti! Dhe kur? Në rastin e kësaj feste kaq gazmore, krishlindjeve, e cila gjithnjë është shoqëruar me shakara dhe të ngrëna deri në kollaps! E ç’u bë se një pallto rrecka-rrecka do të digjej! Apo i pastrehi do të ngrohej për herë të fundit në jetë të tij! Do të kalonte nga acari i përjetshëm, në ngrohtësinë e përjetshme!..

Në vënd që të vazhdohet lufta kundra kundravajtësve të ndryshëm, si bie fjala, kalimi i semaforit me të kuqe nga këmbësori, teksa makina është duke ardhur brenda minutit! Apo ndonjë maskara dhe i poshtër, që nuk deklaron ndonjë orë pune diku, duke tronditur kështu sistemin ekonomik të Gjermanisë!.. Apo pse jo, si rasti im i fundit, (ndonëse akoma në proçes), ku me vite të tëra i dhuroj Qëndrës së të papunëve 4-5 orë pune pa pagesë në vit, si formë ndihme, gjë për të cilën shpresoj që të marrë më në fund dënimin e merituar, të paktën disa vjet burg!

Them shpresoj, sepse deri tani kam shpëtuar paq pa u lagur, ndonëse krimet e mia kanë qenë jo të ralla. Shoqërim me një shqiptar që u akuzua për vjedhje biçiklete! (Panvarsisht se më vonë doli se ai nuk e kishte vjedhur biçikletën, por shenjat e gishtrinjve dhe proçesi do kalohej edhe nga unë që nuk kam vjedhur ndonjëherë!) Hypje në tren pa biletë, për tu larguar nga Gjermania përgjithmonë. (Gjobë me proçes!) Kalim i semaforit me të kuqe. (Gjobë me proçes; në fund falje, padiskutim nga zemmërgjerësia e shtetit gjerman!) Marrje e biçikletes në tren, pas pyetjes drejtuar fatorinos dhe aprovimit nga ky i fundit për lejimin e saj, por që gjatë kontrollit të mëvonshëm nga policia na doli se ishte e palejuar! A mund të mendosh se policia bën gabime? Kurrë! Ndaj fajin duhet ta kem patur vete! (Gjobë me proçese të stërgjatura, në fund çështje e mbyllur!) Hetim i përjetshëm nga dogana për punë të zezë! (Nuk është nevoja që ata të harxhojnë kohën me mua, se e kanë një letër të bardhë të firmosur nga unë, pasi gjoja nuk u punonte printeri, një ditë kur më morrën në pyetje, pasi unë me 40 gradë temperaturë sapo kisha dalë nga mjeku; kështu letrën e bardhë e mbushin vetë po të duan e kur të duan!) Tani, këto javët e fundit pres sërish proçes gjyqsor, për shkak të ndihmës që ofroj 1-2 herë në vit tek qendra e papunësisë (Arbeitslozenzentrum), ku kalojnë pa u taksuar nja 4-5 orë në vit, ndonëse të papaguara këto, pra dhuratë nga ana ime për këtë qendër!

Përmenda vetëm çerekun e gjobave dhe proçeseve, të cilat janë bërë si ajo zemra pas buke! Biles, kur kalon ndonjë gjysëm viti në qetësi, pa letra zyrtare ndëshkimi dhe verifikimi, filloj e shqetësohem mos ka rënë gjë ndonjë kolerë nëpër zyrat e ndryshme! Që shpëtofshin nga kolera, shpëtofshin!

Nejse, do thotë ndonjëri, mos e bëjnë përkastile, se po të gricesh me atë, me këtë, me tjetrin e tjetrin, do të vijnë edhe pasojat nga mbrapa!?. JO! Kurrë nuk ndodh kjo në një demokraci dhe shtet ligjor! Vërtet, gricem me fetarizmin fanatik dhe ritet e pakuptueshme mesjetare, gricem për bashkpunimin e fshehur të shteteve perëndimore me islamizmin radikal, gricem me kontrollin total të shtetit, gricem me sasinë e pamatshme të ligjeve dhe kundërtinë e tyre, gricem ndaj zinxhirit të ri për Shqipërinë, të ashtuquajturës reformë në drejtësi, (pa e kuptuar dashurinë e madhe të disave matanë oqeanit për shqiptarët), gricem me disa metoda seleksionimi të mediave të ndryshme dhe gësheshtrat e stërholluara që përhapin, gricem me ndonjë artikull gazete, gricem edhe me politikën ndonjëherë, gricem me x-teori dhe y-hipotezë, meqë i fus hundët edhe në shkencë, gricem e grisem për të nxjerrë në shesh ndonjë të vërtetë! Gjithnjë gricem kundra fenomeneve negative, (siç i kujtoj unë të paktën, patjetër gabimisht)! Por kjo nuk do të thotë se dhe hetimet dhe proçeset e shumta ndaj meje kanë të bëjnë me këto gricje! Kurrën e kurrës! Nuk kemi shtet hakmarrës sot! Ndaj kriminelë si puna ime duhet të marrin dënimin e merituar, gjë që e shpresoj në proçesin e ardhëm!

Duke u kthyer edhe një herë tek rasti i fundit i tentativës për djegie të të pastrehut gjerman në stacionin e trenit, nga disa të rinj sirianë dhe libianë, shpresoj që drejtësia gjermane të mos hutohet dhe irritohet kot më së koti, duke i dënuar disa të rinj që do të jenë e ardhmja e këtij vendi! Ose, e shumta, të dënojë paksa rëndë vetëm ndonjërin prej tyre, i cili do ti japë mundësi drejtësisë ti ulë dënimin pas pak vjetësh dhe ai pastaj do të japë intervista në TV, si të gjithë vrasësit e penduar, për të përlotur mijra shikues, e kështu edhe të pasurohet pak, siç i ka hije kriminelve të penduar! Kjo drejtësi gjermane duhet të mos largohet nga tradita e saj, duke patur kështu në synim të saj njerëz të pakënaqur e të papenduar, si puna ime dhe shumë të tjerë, të cilët edhe në mos qofshin kriminelë aktivë, janë teorikisht kriminelë në potencë, si gricës të gjithanshëm e të pakanalizuar në një drejtim të caktuar, duke mos e lenë drejtësinë, shtetin, ligjin, shkencën, fenë, krimin, etj. të bëjnë punën e tyre në qetësi! 27.12.2016 

robertthomai@gmx.de

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund të merret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose robert thomanikaj