Ëndërrime -A. Adami

Ëndërrime” poezi nga Aleksandra Adami  

Nëse ndokush do të mendonte se muza shqiptare e poezisë është bërë më e pjekur, më e plakur, do të thoja se për fat kjo nuk është aq e vërtetë! Akoma kjo muzë fluturon ëndërueshëm si një fëmijë-ëngjëll në vargjet e Aleksandra Adamit. Sa çiltër dhe pafajsisht bën përpjekje kjo muzë të duket në këto vargje një vajzë e rritur, po aq çiltër dhe naivisht tregon kjo muzë se është në shpirtin e saj një fëmijë që don të luajë.

Me kordhelen e kuqe mbi kokë,

me shoqet po luaja me top,

erdhe ti kordhelen ma tërhoqe,

dhe mëndjen nga loja ma hoqe,

Unë luaja, po nuk isha aty,

mëndjen atë çast e kisha tek ti,

Këto vargje kaq të thjeshta, (nga ato më të thjeshtat në librin “Ëndërrime”), i paraprinë drithërimeve më të mëdha, shqetësimeve më kuptimplote, trokitjeve më domethenëse.

Era fryn e ftohtë në zemrën time,

unë e ngrirë jam zhytur në mendime.

Eci në një rrugë të shtruar plot gjemba,

të cilët pamëshirshëm ngulen në trup,

dhe unë prej tyre ndjej shumë dhimbje.

Oh, sa dhimbje dhe oh, sa ftohtë!…

Më ndihmo të lutem, o i madhi Zot !

Kërkoj diku të mbështetem,

se dua vetëm të mos mbetem.

Kërkoj dhe unë pak dashuri,

lotët një njeri të m’i fshij…

Kërkoj, kërkoj, kërkoj, gjithmonë,

gëzimin që në jetë më takon…

Dhe nuk bëj faj, as gabim,

kur ma kërkon zemra dhe shpirti im…

Është e qartë, një muzë nuk shkon kurrë në shpirtra dhe zemra të ngopura nga pangopësi e jetës materiale. Një muzë kapllon shpirtëra dhe zemra që kërkojnë eliksirin e jetës hyjnore, që kërkojnë atë dashuri ideale dhe platonike, të humbur sot në trahullinë e zhurmës bulevardeske. Shpirtëra të tillë duket se ekzistojnë akoma në zemra të njoma.

Vendosa të shkruaj saktësisht për realitetin,

po lapsi ngeci, se nuk shkruante dot sekretin.

S’doja ëndërrime, as vargje me vajtime,

ndaj me dy fjalë shkrova: “Realitet, je dhimbja ime!”

Këto vargje shkron në fund të një poezie Aleksandra, pasi na tregon se ka grisur disa vargje të shkruara më parë mbi jetën gjithë patos, pasi ka grisur edhe disa vargje ku tregon ëndërrime zemre. Ajo duket se i pranon plagosjet e marra, ndonëse akoma fëmijë në shpirt, siç mund të jetë vetëm një rob dhe robneshë e muzës së poezisë.

Kjo botë e parritur ende mirë përplaset me kundërti botësh të rriturrish, larg poezisë dhe kuptueshmërisë fëminore, dosido të bashkngjitura jetës së kujdo njeriu, herët a vonë, ndaj dhe një shpirt i ndjeshëm fëminor do kuisë mes këtyre botëve të marra prej të rriturish:

Hapa bllokun ku shkruaj poezi,

dhe të gjithë ndaluam aty ku shkruhej: “Kuq e Zi”,

sytë na shkëlqyen, një ndjenjë na përshkoi,

me një zë thirrëm: “Kuq e Zi të rrojë!”

Atëhere mësuesi ynë pranë erdhi, vështroi,

ç’është kjo gjuhë që flisni: “kuq e zi të rrojë?”…

U munduam t’ia shpjegojmë për Shqipërinë,

po ai tha rreptësisht: Këtu flitet vetëm për Greqinë!

Sytë ulëm poshtë, nuk dinim ç’të thonim,

por në heshtje veç një gjë ne premtuam:

Shqipërinë tonë ne kurrë nuk do e harrojmë,

flamurin kuq e zi gjithmonë do adhurojmë!

Nuk është rima ajo që i jep kuptim këtyre vargjeve, as ndjesia kombëtare që po piqet e njëkohësisht –pa u pjekur mirë– pëson përplasjet e saja me ndjesi të tjera kombëtare më tej, por është ai shpirt poetik që di të nxjerrë nga thellësia e tij dashurinë e pashprehur të lidhjes aq të fortë gjenetike me gjuhën e ëmbël të të parëve, të atyre që kjo poete e parritur akoma di tu dhurojë po ashtu disa vargje.

Për mamin tim do shkruaj,

Do thur vargje pa kufi,

….

Si dashuria jote e madhe,

o mami, po të them nuk ka,

nuk gjenden askund në botë,

dashuri të tjera më të mëdha.

Apo për të atin:

Kur isha e vogël dhe hapat mësoja,

Të thoja ty babi se shumë të doja,

Ti me lot gëzimi më puthje si i çmendur,

dhe bashkë jetonim në të bukurën ëndërr.

Apo urimi me vargje për ditlindjen e të vëllait:

… Të kam vëllanë më të mirë në botë,

motra jote me shpirt të uron sot,

njëmijë vjet vëlla rrofsh për jet’ e mot!

Vargjet e poeteshës së re tregojnë jo thjesht pjekjen para kohe të saj, as thjesht dashurinë për njerëzit që e rrethojnë, as vetëm mallin për atdheun e prindërve të saj, të cilin ajo e konsideron me zemër si atdheun e saj, as vetëm nderimin për njerëzit e punës , dhe as vetëm dhimbjen për një dashuri të vrarë apo për njerëz të larguar nga kjo jetë; këto vargje tregojnë edhe më shumë se të gjitha këto, ato tregojnë një botë shpirtërore të pastër, të mbushur e të lartë, e cila pikërisht për këto cilësi ka vështirsi të gjejë vendin e saj në botën reale ku jeton. Ndaj të tilla botë shpirtërore vetëm Natyra i kupton :

Kur lotin derdh, nuk mund ta shohësh,

dhimbje kur kam, nuk mund ta njohësh,

flas me lulet, vetëm ato më kuptojnë,

buzëqesh me detin, valët më ledhatojnë,

lulet më ndjejnë, deti më kupton,

larg nga çdo dhimbje natyra më mbron…

mars 2016  robertthomai@gmx.de

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund të merret e të nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose robert thomanikaj