faleminderit zot

                                 Faleminderit o Zot për tërmetin   

   Faleminderit o Zot që na çove këtë tërmet! Faleminderit edhe që na paralajmërove me lëkundje të mëpërparme. Faleminderit, sepse mund të kish qëlluar edhe më keq dhe ne do të gjindeshim edhe më të papregatitur! 

   Papregatitja e strukturave shqiptare të emergjencave të ndryshme dihet dhe nuk përbën sot ndonjë sensacion. Por papregatitja e strukturave emergjente të rasteve të tërmeteve, të lë pa mënd! Asnjë qytetar, asnjë strukturë ndihmëse jo-shtetërore, asnjë strukturë shtetërore dhe njeri i shtetit ka bërë përgjatë këtyre 30 vjetëve të fundit ndonjëherë stërvitje, trajnim, parapregatitje për të këtilla raste, po të mos llogarisim ato trajnime rutinë të zjarrfiksave, por jo aq për raste tërmetesh! 

   Dikur, në kohën e Mehmetit bëheshin herë pas here trajnime dhe prova të situatave të tilla të hipotetizuara. Këto nisnin qysh nga zyra e tij e vazhdonin deri tek qytetari i thjeshtë, përfshi aty edhe nxënësit e shkollave. Mua më kujtohet qysh nga fillorja, kur zysha na mësonte futjen nën banka për raste tërmetesh, apo kur me prindërit shkonim me vrap tek strehimet buzë Lanës, ndërkohë që më tej dëgjohej sirena, e cila simulonte rastin e bombardimit me avionë nga të huajt. Edhe dhënia e ndihmës së shpejtë ndaj një njeriu të alivanosur ose plagosur ka qenë një mësim i detyruar. Gjithshka nuk i ishte lënë rastësisë. Çdo zyrtar dhe cilido qytetar e dinin pak a shumë detyrën e tyre në raste të tilla. Bëheshin prova, krijoheshin raste hipotetike katastrofash, trajnoheshin specialistë të caktuar. Telefonat binin, automjetet lëviznin, njerëzit vepronin. Dhe nuk kishte si sot celularë, nuk kishte as komunikime via skype, kishte vetëm një njeri autoritar si ky i sotmi, kishte dhe një kabinet qeveritar dhe zyrtarë të bindur si këta të sotmit. Megjithatë pamjet e asaj kohe, për sa i përket funksionimit të strukturave shtetërore dhe jo-shtetërore në raste katastrofash, janë shumë më të kënaqshme nga pamjet e sotme. Pse? Sepse njerëzit trajnoheshin; dhe jo vetëm njerëzit, por edhe qentë. 

   Qëndra sizmologjike lajmëronte qeverinë dhe kjo e fundit vinte në lëvizje të gjithë hallkat e shtetit që kishin të bënin me tërmetin. E gjithë kjo pa shpallur Gjendjen e Jashtzakonshme. Policia vihej në lëvizje, emergjenca mjeksore në gadishmëri, skuadrat e shpëtimit në punë.  Sot në kohën e celularve këto organizime duhet të ndodhin edhe më shpejt. Por nuk ndodhin se! Sepse nuk ka përvojë, nuk ka mjete, mbi të gjitha: nuk ka mëndje tek shtetarët dhe qeveritarët tanë, që ti mendojnë dhe ti marrin seriozisht këto gjëra! Ndaj dhe autoriteti i Edi Ramës i ngjashëm me atë të Mehmet Shehut nuk i vlen këtij të sotmit. Ky nuk ka pregatitur as specialistë për raste tërmetesh, as ka mbledhur mjetet e nevojshme për këto raste, as di kujt strukture ti drejtohet për njërin dhe tjetrin rast! Qesharake, por … me pasoja! 

   Në rastin e një tërmeti relativisht të vogël e të lokalizuar, si ky i tanimë, nuk është e nevojshme shpallja e gjëndjes së jashtëzakonshme, por ajo e emergjencës, që do të thotë, se mjaftojnë strukturat e policisë, skuadrave të shpëtimit, ato mjeksore-spitalore dhe ato të furnizimit. Për vënien në gadishmëri të disa çadrave nga ushtria, nuk është e nevojshme mobilizimi i të gjithë ushtrisë. Biles, nëse këto çadra do jenë në gjëndje tek rezervat e shtetit, çadrat e ushtrisë nuk është e nevojshme të përdoren në një rast si ky tërmet relativisht i vogël.

    Si fillim duhet thënë, se skuadrat e shpëtimit për këto raste janë të pajisura me qen nuhatës të stërvitur, me shkallë litar, me litarë të ndryshëm, me bobla oksigjeni, me kamera termike (kamerat që dallojnë ndryshime temperaturash edhe pas një muri), me kabllo të gjatë me kamera të vogla, të cilat futen nëpër të çarat e ndërtesës së rënë, për të dalluar trupa njerëzish të gjallë ose të vdekur, me aparatura të ndjeshme dëgjimi, të cilat arrisin të dëgjojnë rënkime të lehta nën gërmadha, me manikota mbajtëse, me të cilat mbahen shtylla betoni për të mos rënë, kur një njeri i skuadrës së shpëtimit futet nën gërmadha, me tubacione të hollë për ujin, që u jepet njerëzve të mbërthyer nën gërmadha, për ti mbajtur ata në jetë derisa të mundësohet dalja e tyre, me sa e sa mjete të tjera shpëtimi të vogla e të mëdha, –tek këto të fundit hyjnë gjithfarë mjetesh që largojnë me kujdes shtylla betoni të rënda. Të gjitha këto mjete, skuadrat e shpëtimit shqiptare nuk i kishin! Ndërsa ekipet vendeve të tjera i kishin, përfshi këtu edhe ekipin e Kosovës, shtetit më të ri në Europë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që si kryeministri ashtu edhe zevëndësat e tij kukulla nuk i kanë menduar këto gjëra ndonjëherë në jetë të tyre, pasi sigurimi i këtyre mjeteve dhe trajnimi me ato mjete nuk kërkon shuma marramëndëse financiare! Pra, qeveritarët tanë dhe kryetari i tyre, që tha se do bëj shtet, e kanë bërë shtetin duke fjetur mbi dafina! Gjumin e ëmbël! 

   Përsa i përket emergjencave mjeksore, duket se këto janë disi më të kompletuara në Shqipëri, një trashëgimi inerciore kjo e sistemit që lamë, ku mjeksia shqiptare radhitej gati në të njëjtin nivel me vënde të tjera për nga shërbimi, ndërsa për nga shkollimi ua kalonte edhe shumë prej këtyre vendeve të huaja. Por vihet re diçka e lënë mangut tek emergjencat mjeksore, e pikërisht bashkveprimi i tyre me forcat e zjarrfikësve dhe skuadrave të tjera të shpëtimit. Ato nuk kanë kryer as edhe një herë një trajnim të përbashkët për raste të këtilla, apo dhe raste të tjera të përngjashme! Kjo nuk kërkon veçse pakëz organizim dhe thuajse fare lekë! 

   Shpesh njerëzit mendojnë se personel mjeksor don të thotë vetëm një njeri me bluzë të bardhë, i cili pret tek pavioni i spitalit ti sjellin pacientët e lënduar. Jo! Ka edhe personel mjeksor të shkolluar dhe pregatitur për të vajtur në terrene nga më të ndryshmet, ku të lënduarit i duhet dhënë ndihma mjeksore aty ku gjindet, dhe vetëm më pas mund të lejohet transportimi i tij në spital. Në gjuhën popullore kjo quhet metoda franceze dhe ka rezultuar si një nga ndihmat mjeksore më efikase. Shpesh shohim raste, ku një i lënduar çfardo kapet nga dy-tre veta dhe futet me shpejtësi në një makinë, për ta çuar në spital. Diçka jo e këshillueshme nga mjeksia. Përparsia është që mjekimi të bëhet në vend. Atëhere, pse nuk kryen të tilla trajnime të përbashkëta midis personelit të skuadrave të shpëtimit dhe personelit mjeksor? Sepse Shqipëria drejtohet nga njerëz që nuk i dijnë dhe nuk i çojnë nëpër mend gjëra të këtilla!  

   Përsa i përket rezervave të shtetit, rezerva këto të cilat i kanë të gjitha shtetet e botës, kush më pak e kush më shumë, flitet se Shqipëria nuk disponon të tilla qysh nga vitet 1992-93. Në lajmet e sotme (28 Nëntor) të mëngjezit shoh dhe dëgjoj tek një stacion shqiptar (euronevs) se disa kamionë të mbushur me ushqime e veshmbathje, të ardhur nga Kosova për gjithë natën, kanë mbrritur në qëndrën e rezervave të shtetit në Lundër. Unë nuk e di ku bije Lundra, por ky emër më kujton rezervat e shtetit qysh në kohë të Enverit, çfarë të jep të kuptosh se shteti shqiptar po nis e krijon sërisht rezervat shtetërore; (patjetër për ushtrinë dhe në kuadër të NATO-s). Komikja në lajmin e dëgjoar ishte se shoferët e kaminionave, të cilët kishin udhëtuar rreth 7-8 orë për të sjellë ndihmat për bashkombasit e tyre, duhet të pritnin nga ora 3 e natës e deri më 8 të mëngjezit, kur erdhi magazinieri! Por dhe ky nuk kishte punëtorët e duhur për shkarkimin e mallrave! A mund të quhet shtet ky? Të mos harrojmë se gjendja e jashtzakonshme ishte shpallur qysh një ditë më parë, çfarë do të thotë se tek rezervat e shtetit duhet të kishte përgjatë 24 orëve shërbim! Mirpo nuk kish! Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se ky shtet, nga kreu i vet e deri tek punonjësi më i fundit i saj janë të papregatitur dhe të patrajnuar për të këtilla raste! 

   Përsa i përket punës me qytetarët, me nxënësit, me studentët, me punonjësit dhe punëtorët e ndryshëm, këtu shumë njerëz mund të qeshin po t’ua zesh në gojë këtë muhabet! Si? Çfarë? Do të pyesin një shumicë njerëzish sot! Një para-pregatitje e tillë në kohën e sotme post-“komuniste” dhe pas Luftës së Ftohtë duket si diçka e tepruar, si diçka e tejkaluar kohës, si diçka qesharake. Mirpo ja fakti e tregoi se ky mendim dhe qëndrim është i gabuar. Njerëzit duhet të trajnohen, siç trajnohen edhe në shumë vende të tjera me tërmete, si në Japoni, Iran, Turqi, etj.. Ky trajnim nuk është me receta, pasi tërmetet shfaqen të ndryshëm, me intesitete të ndryshme, ndërtesat janë të ndryshme, gjëndja dhe situatat prezantohen nga më të ndryshmet. Por sidoqoftë, një farë trajnimi duhet të ketë edhe për këto raste nëpër shkolla dhe qendra pune. Të paktën një herë në dy vjet! Një trajnim i tillë, mund të çonte edhe në më pak viktima kësaj radhe, mund të çonte edhe në një ndihmë vullnetare qytetare tek godinat e rrënuara, pasi ndihma e orëve të para është mjaft deçizive në shpëtimin e njerëzve nën gërmadha. 

   Vetkuptohet se tragjedi të tilla sjellin solidaritet tek njerëzit, por këto i kanë disa nga të këqiat e tyre ditë më pas. Shpesh mbledhja e ndihmave bëhet në mënyrë kaotike dhe pa një planimetri të caktuar. Mund të ndodhë që mjaft prej ushqimeve të prishen, rroba të ndryshme të hidhen andej-këndej, mund të nisin matrapazllëqet e ndryshme të shitje-blerjeve të mallrave të dhuruara, shpesh nisin edhe vjedhjet e shtëpiave të pabanuara, dhe nisin edhe kurvëlliqet apo përdhunimet aty ku ndeshen shumë njerëz të panjohur me njëri-tjetrin. Këto fenomene negative të mëpasme janë ato më të pakontrolluarat, nëse një shtet nuk i ka gati njerëzit e pregatitur për të këtilla raste. Ndaj janë mjaft të nevojshme edhe trajnimet për këto raste, që bashkveprimi i njerëzve të Kryqit të Kuq me organizata të tjera bamirëse dhe me policinë e shtetit të jetë në nivelin më të lartë për të parandaluar gjithë këto fenomene të mëpasme negative. Këto fenomene, mëndje si ajo Erjon Braçes dhe Edi Ramës nuk kanë aftësinë ti mendojnë. Në të kundërt do ti kishin organizuar të tilla trajnime. 

  Sëfundi ngelet etapa e riparimeve dhe rindërtimeve. Siguracionet e shtëpive dhe apartamenteve, për të cilat mëndja e Edi Ramës nxorri edhe ligj, nuk besoj se kanë miliarda lekë të reja, për të rindërtuar të gjitha shtëpitë e prishura nga tërmeti! Jo vetëm nuk i kanë, por as do ti kenë ndonjëherë, sikur edhe të gjithë banorët e Shqipërisë të jenë të siguruar tek ‘to. Këto firma sigurimi mund të mbulojnë vetëm raste sporadike, por jo të përmasave të tilla. Ndaj në këto raste janë të nevojshme tre burime, rezervat e buxhetit të shtetit, (që shteti shqiptar nuk i ka, sepse ka paguar me mijra bileta udhëtimi avioni për zyrtarët e vet), ndihmat e njerëzve dhe shoqatave të ndryshme brenda e jashtë vendit, (për të cilën duhet një konto bankare e shtetit e për të cilën mëndja e kryeministrit ka menduar, –si gjithmonë kur është fjala për lekë ai ka një mëndje gjeniale, duket kjo nga trutë e peshkut që ha nëpër restorante peshku), dhe burimi i tretë janë ndihmat e shteteve të ndryshme dhe OKB-s, të cilat ne nuk e dimë akoma nëse do të vijojnë për tërmetin e tanishëm. Mendoj se kontoja e ndihmave të njerëzve dhe shoqatave të jetë transparente për sytë e cilitdo njeri, gazetar dhe donator. Por, mbi të gjitha e rëndësishme në riparimin dhe rindërtimin e pallateve, do të ishte pjesmarrja urbanistëve të vjetër të Durrësit, të cilët padiskutim do ti sugjerojnë qeverisë qëndrore dhe asaj lokale prishjen e godinave pranë detit, prishjen godinave të dëmtuara tani rëndë, ngrejtjen e ndërtesave stabile e jo të larta, ngrejtjen e pallateve në vende ku nuk ka rrënoja arkeologjike.  

   Në mbyllje falenderojmë edhe një herë Zotin për këtë tërmet jo të madh që na dërgoi, (ndonëse nuk jemi besimtarë në kuptimin fetar biblik dhe kuranist), pa dashur edhe të lëndojmë njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre, por e falenderojmë sepse na kujtoi sa të pregatitur jemi për situata të tilla, na kujtoi se jeta vlen më shumë se paratë që mbledhim, ky tërmet i kujtoi ndoshta edhe kryeministrit shqiptar dhe kanakarit të tij, Erjon Velisë, se ngritja e kullave të larta në Tiranë mund të ketë pasoja të pariparueshme për kryeqytetin në rastin e një tërmeti të madh! Ndaj rishikojini ato plane kullash!  28.11.2019 

.                                              ***

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund t’merret e t’nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj