ankthi

                                       Ankthi 

     Bruf, hapi sytë me tmerr ai, duke u ngriur në gjysëm. Pështeti insiktivisht njërin brryl tek jasteku dhe hodhi sytë i hutuar në errësirën e dhomës. Mezi po merrte frymë, i friksuar nga ajo ëndërr e llahtarshme. Makthi i saj e kishte tronditur. U ngrejt edhe pak më mirë, tek kuptoi se asgjë nuk kishte lëvizur, përveç atij vetë në atë mbushje frymëmore me vështirësi. Vuri dorën tjetër afër zemrës dhe filloi ti binte me grushtin e mbledhur, si për ta nxitur të pomponte më shpejt. Gjithashtu nisi të hapte gojën edhe më shumë, duke u përpjekur të mos e ndalonte thithjen dhe nxjerrjen e ajrit. Ajo ngushtësi në gjoks e kapi qysh kur ishte në gjumë dhe, ndonëse nuk e kujtonte mirë nëse kishte kohë në atë bllokim, apo ishin vetëm momentet e fundit të asaj ëndrre makthngjethse, një gjë e kujtonte mirë. Ai përpiqesh për të dalë nga një gropë-dhomë, ku binte pareshtur dhè. Dikur në atë kohë,… nuk i kujtohej mirë nëse kish dalë nga gropa në formë dhome, apo ishte akoma brënda, po, po, nga fundi i ëndrës atij iu u zhduk ajri dhe ai filloi të asfiksohej, … nuk po merrte më dot frymë, apo më saktë, ajrit i mungonte oksigjeni. Ai thithte ajër, por ajri nuk kishte oksigjen, … si fillim e kish menduar këtë gjë, pastaj e kish kapur lemeria, ngaqë nuk po mbushej dot me frymë. Pikërisht në këtë kohë edhe u zgjua mes asaj llahtarie ëndërore. Kish arritur vetëm të mendonte mbi mungesën e atij elementi aq të dobishëm dhe biles, … ishte vërtet për tu çuditur, … ai kish menduar mes asaj llahtarie vetë simbolin e atij elementi.  O-O-O, i dukej se kish bërtitur, … apo të paktën, e kujtonte qartë se e kish menduar. Çudi, pshehrëtiu duke nxjerrë një oohhh të gjatë. Palosi jastekun më dysh dhe u pështet më mirë; frymëmarjen e stimuluar që kish nisur, as nuk e ndali. Kjo e ndihmonte jo vetëm në qetësimin psiqik, por po i kthjellonte edhe mendimet. Ishte i qartë dhe i sigurtë në këtë. Puna prej dy dekadash si infermier në spital i plotësonte bagazhin e dijeve në drejtim të funksioneve jetësore. Një furnizim i bollshëm me ajër në mushkri, gjallëronte milionat dhe miliardat e qelizave në tru. Këtë, biles, edhe e imagjinonte vizivisht, siç e jepnin ato dukumentarët e ndryshëm televizivë. Filloi të qetësohej. E ndjente. E ndjente me tërë qënien e tij. Dukej se ankthi kish qenë vetëm momental, … siç edhe mund të jetë një ankth, mendoi.  

   E shpalosi përsëri jastekun dhe u shtri ngadalë duke i drejtuar sytë lart, drejt tavanit, i gëzuar që dritat e rrugës sillnin pakëz ndriçim edhe në dhomën e tij të errët. Frymëmarja kish filluar thuajse ritmin e zakonshëm. Kjo kishte rëndësi, i buzëqeshi errësirës së thyer. Hodhi sytë nga ora elektronike dhe dalloi se ajo tregonte katër e gjashtëmbëdhjetë minuta. Brof, u ngrit në gjysëm për të parë më mirë; kësaj radhe jo aq i frikësuar, si gjysëm minute më parë. Nguli sytë tek ora digitale, duke u përpjekur të kujtonte diçka, ndërkohë ajo kaloi pas pak sekondash në minutën e shtatmbëdhjetë. Lëshoi trupin mbi krevat duke mos e hequr mëndjen nga një detaj tjetër i asaj ëndre makabre. Ai kish menduar në ëndër mbi vëndin e oksigjenit në tabelën e elementëve. Po, po, padashur kish kujtuar atë gjashtëmbëdhjetë, atë numër që zinte ai element në tabelën e Mendeljevit. Ç’ishte kjo kështu? Përse atij i kish vajtur mëndja tek ai numër, pikërisht në ato momente të vështira?… Ndoshta kjo kish ardhur ngaqë ai kish dalluar mungesën e oksigjenit në ajrin që po thithte, dhe kjo ishte e natyrshme në profesionin e tij; ai kish të bënte jo rallë me vendosjen e bomblës së oksigjenit tek pacientët e dëmtuar. Ai u jepte të shtruarve të ndryshëm atë element aq jetdhënës dhe të domosdoshëm. Kështu, ato qeliza të pabindura të trurit të tij kishin nxjerrë nga sirtarët e tyre simbolin e atij elementi, pra „O“-në, gjë që ish pasuar pastaj patjetër insiktivisht nga grupi i atij elementi në tabelën e Mendeljevit, grupi i gjashtmbëdhjetë. Kjo duhet të ish, mendoi. Truri punonte i pavarur, aq më tepër në gjumë. Nuk kishte përse të çuditej!…  

   …Mirpo…, u ndal pas pak në përpjekjen qetësore, ç’ishte ajo rastësi e asaj kohe?!. Përse të kish qëlluar ajo minutë dhe jo tjetër?!.  Biles, kishte mundësi që edhe momenti i makthit ëndëror të kish nisur paralel me atë minutë të çuditshme. E po pastaj, i ra ballit me dorë. Ai nuk do të ndalte rastësitë. Problemi i tij ishte të merrte veten pas asaj zënie fryme që kish kaluar. E ndoshta, në realitet nuk i ish bllokuar frymëmarja, ndoshta kjo kish ndodhur vetëm në ëndër. Aq më keq, gati sa nuk tha me zë. Të kish kjo një kuptim?!…  Tundi kokën në shenjë mohimi, duke mos mundur të ndalte kështu në anën tjetër të peshores së ndjesive, pasigurinë e mohimit. Kot nuk ndodhnin rastësitë, i tha vetes. Edhe ato ishin pjesë përbërëse e jetës, … e gjithë natyrës, pjesë e të cilës ishin edhe ata njerëzit. E ç’duhet të kish në këtë mes?… Gjëja e vetme e çuditshme në këtë mes ishte të mbajturit mënd e asaj ëndre, … apo më saktë, vetëm e një pjese të saj. Përse i kish ndodhur kjo, këtë nuk mund ta dinte. Dhe as donte ta dinte!. Nuk e vriste mëndjen për të gjitha! Biles nuk mbante shpesh mënd se ç’farë kish ngrënë dje apo sot. As datat nuk i fiksonte, … jo rallë i harronte edhe ato!. Çfarë…  po prit pak, gati foli me zë. Ç‘datë ishte sot?… O Zot, theu terrin e natës me zë të ulët. Sot qenkësh data gjashtëmbëdhjetë. Po, po, sot qenkësh gjashtëmbëdhjetë!… Si nuk i kish vajtur mëndja më parë, dreqi e marrtë?!. Insiktivisht hodhi sytë nga ora digitale me dritë të zbehtë. Jo, jo, foli përsëri gati me zë, data gjashtëmbëdhjetë kish disa orë që kish kaluar. Sot ishte … kish hyrë shtatmbëdhjeta, … po aq më keq!.. Çudi!?. Vuri dorën në zemër të kontrollonte nëse rrahja e zemrës ishte shpejtuar, por nuk dalloi gjë preokupante. Qetësohu, qetësohu, filloi ti fliste zëri i brëndshëm, gjithshka e ka një kuptim, por… me qetësi një herë. Kombinacioni i rastësive ishte shtuar dhe kjo nuk ishte ashtu kot, i thosh zëri shqetësues i brëndshëm. Të kishin vërtet lidhje me ëndrën?!. Nuk i kish vënë re asnjëherë  ëndrat, … lëre që kur zgjohej as nuk i mbante mënd në shumicën e rasteve. Ndaj edhe nuk u kish dhënë ndonjëherë rëndësi. Kur kish rënë ndonjëherë muhabeti për ‘to në grup biseduesish, thjesht më tepër kish dëgjuar se kish folur. E ç’të tregonte?!. E shumta që mund të kish thënë, qe vetëm ai aprovim snob që bënte në mbështetje të tezës, se ato kishin një mesazh të caktuar. Por, që të kishin vërtet apo jo mesazh të caktuar, aq më tepër qiellor, (siç i komentonin njerzit), për këtë nuk e kish vrarë shumë mëndjen. Në fund të fundit, në shkollë kishin mësuar për funksionin e neurozeve të trurit, dhe kaq kish mjaftuar. Ç’duhej më shumë?!. A nuk mjaftonte gjithë ajo punë mjeksore që bënin në spital për shërimin dhe shpëtimin e jetës së njerëzve?!. Ata i diagnostikonin dhe mjekonin pacientët pa u mbështetur tek ëndrat, i mjekonin me mjetet e tyre shkencore. A nuk bënin vërtet një punë të bekuar!?.. 

    Mori frymë thellë i lehtësuar dhe kaloi dorën mbi ballë. Ai fërkim i dukej i pamjaftueshëm për ti hequr dyshimet dhe pyetjet e pashtershme. Kishte bindjen se ai numër,… apo ajo ëndër në përgjithësi, nuk kishin qenë kot! Për herë të parë në jetën e tij e kish parë kufirin e jetë-vdekjes aq pranë, ndonëse kjo në ëndër. Po afrohej tek të pesëdhjetat dhe nuk kish patur deri më tani asnjëherë ndonjë shqetësim zemre, apo frymëmarrje. Biles as nuk kish menduar ndonjëherë mbi ‘to. Kjo duket vinte nga jeta e qetë që bënte. Nuk i kish bërë njeriu keq dhe as dinte ti kish bërë ndonjë tjetër keq, po të mos llogariste ato problemet e vogla të punës, të cilat, në mos të përditshme, ishin të paktën të përjavshme. Gjithashtu edhe jeta familjare kalonte si jo më mirë. Vërtet flinte prej më se dy vjetësh i veçuar në një dhomë të vetme, por kjo vinte thjesht nga gërhima që lëshonte nganjëherë gjatë natës; ai nuk donte ta shqetësonte të shoqen, e cila flinte në dhomën tjetër së bashku me vajzën e tyre, të vetmen fëmijë që kishin pas asaj lindje të vështirë, që e shoqja kish patur para pesëmbëdhjetë vjetëve. Duke bërë një jetë të tillë, ai as nuk kish patur ndonjëherë për vetveten mendime serioze rreth vdekjes, ndonëse përballej shpesh me atë fenomen në profesionin e tij…  

   Mirpo sot, …sot e kish kapur si asnjëherë tjetër një ankth, … një ankth vdekje, mund ta quante. Gjashtmbëdhjeta e çuditshme e kish futur në mendime. Nuk besonte në simbolikë numrash, në atë paracaktim fati të tyre, siç komentonin disa. E sidoqoftë, një lidhje duhet të kish!.. Po, i kujtohej tabela e kimisë, poshtë oksigjenit pasonte në atë grup një element asfiksues, o Zot, lëshoi, a thua të përcillte ëndra e tij një domethënie të caktuar?.

   Nëpër trup i shkuan mornica të lehta. E ngrejti jorganin më mirë dhe filloi të sillte nëpër mënd copërza jete të ditëve të kaluara, momente që duhet të kishin lënë gjurmë në ato neuroza trunore, siç i quante. Mirpo nuk dallonte gjë të veçantë. Kish patur vetëm një zënie të lehtë para dy ditësh me një infermiere të re, e cila i kish futur me zor një pacienti të vjetër një supost nga poshtë, gjë që për këto raste rregullorja e tyre nuk parashikonte një gjë të tillë. Gjithashtu kish kundërshtuar kryenfermieren para një jave për planin e punës, tek ajo kish dashur ta vendoste të shtunën në punë. E kish kundërshtuar kryenfermieren me argumentin, se gjithë ato javë të fundit ai e kish patur punë në njërën apo në të dyja ditët e fundjavës; së fundi donte edhe ai të bënte një fundjave të plotë pushim, sepse nuk ishte skllav i saj, ia kish kthyer me sarkazëm në fund. E ç’mund të kujtonte më shumë?!.. 

   … Deri dje pasdreke, kur ish larguar për në shtëpi, nuk kish patur ndonjë gjë të veçantë për ta mbajtur mënd. … Prit pak, iu kujtua diçka, …  E ç‘dreqin rëndësi kish kjo, fërkoi sytë….  Brof, u ngrit menjëherë në gjysëm!.. Iu kujtua diçka. O Zot, foli insiktivisht me zë. Paskësh qenë … vërtet paskësh qenë … o Zot i madh, ç’ishte kjo kështu, po fillonte të çmëndej më dukej, … ai numër nuk paskësh qenë më kot!… Pikërisht dje, tek ai po ndrronte turnin me ata të pasdites, kish ardhur një ambulancë dhe kish prurë një paciente të plagosur. E kishin shpënë menjëherë në sallën e operacionit. Ai kish ndenjur edhe pak në ndihmë të atyre të turnit të dytë, të cilët u morën menjëherë me pacienten e re. Pastaj kryeinfermjeria kish thënë, që pas operacionit pacientja të kalonte në dhomën numër gjashtëmbëdhjetë. Këtë ai e kish dëgjuar tek po largohej. Dhe as e kish vrarë mëndjen, nëse tek ajo dhomë gjindej një krevat i lirë apo do të bëhej ndonjë lëvizje. Kish dashur vetëm të ikte një minutë e më parë, për tu dukur aty të hënën, në orën tre të pasdites. Biles, me të dalë në ajrin e ngrohtë diellor, kish harruar ç’kish bërë pakëz më parë. As që i kish vajtur më mëndja tek pacientia e plagosur, lëre më pastaj tek numri i dhomës!.. Gjëra të tilla ata i kishin të përditshme.  Mirpo tani përmëndja e atij numri po e cfiliste…  

   … Budall!, i foli pa zë vetes. E ç’kishte për tu habitur në këtë mes?!. Po të vazhdonte kështu, nuk ish çudi ti ngadalsohej vërtet frymëmarrja, si në ëndrën e llahtahrshme! U ngrit më mirë në krevat, duket për të vendosur rregull në mendimet e ngatërruara. Si fillim i bëri vetes pyetjen, nëse mendimi rreth atij numri ishte një fiksim i tij, apo kish aty vërtet diçka irreale të pakuptueshme, por me kuptim!… Nënqeshi me sarkazë, si përgjigje ndaj pyetjes së ngrejtur. Budall, përsëriti. Pikërisht ky ishte problemi, … problemi final. Atë çka ai duhet të dinte në fund të fundit, duhet më parë ta analizonte. Mirpo nuk po kuptonte akoma gjë. Ç’lidhje kish pacientja me ëndrrën e tij xhanëm?!. Duhet të shihte më parë datat e rëndësishme të jetës së tij në lidhje me gjashtëmbëdhjetën. E ndoshta edhe me shtatëmbëdhjetën! Mirpo nuk i kujtohej gjë, përveç se sot ishte data shtatëmbëdhjetë. As gruaja apo bija kishin lidhje me këtë numër. E bija kish lindur më 15 nëntor, por kjo prapë nuk i thosh gjë. Ajo do të mbushte në pak muaj pesëmbëdhjet vjeç, por prapë kjo … çfarë… jo, jo, s’ishte gjë, … apo!?.. Prit njëherë, i tha vetes. E bija kishte ditëlindjen më pesëmbëdhjetë dhe do të mbushte pas disa muajsh pesëmbëdhjetë vjeç. Dje kish qenë data gjashtëmbëdhjetë dhe ajo pacientia e sapoardhur do të shkonte më pas në dhomën numër 16. Sot ishte data shtatëmbëdhjetë dhe …, nuk po i kujtohej ndonjë gjë që të kish lidhje me këtë numër.  Mos ai dhe gruaja e tij kishin 17 vjet të njohur?.. Jo, jo; i binte që ata të mos kishin më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet që njiheshin!.. Aq sa numri i atij grupi në tabelën e Mendeljevit, ku ndodhej ai element aq kryesor, ai element i menduar në ëndër. Bërr, u drodh, duke ndërprerë mendimet e këqia. Kombinacioni numëror që po kërkonte nuk shkonte më tej, i mbushi mëndjen vetes! Ashtu është, vazhdoi aprovimin e nisur, po të kërkonte numrat në këtë mënyrë, patjetër do ti dilte diku një i tillë!.. Dhe ajd‘ ta merrte vesh pastaj, ku niste misteri dhe ku mbaronte marrëzia e tij!.. Kështu, duke gjetur edhe raste të tjera gjoja të ngjashëm, të nisej më mirë me këmbët e tija në çmendinë, vulosi prerë!… 

   U ngrit nga krevarti dhe filloi të vishej. Gjumi i ish larguar krejt. Në thellësi të qënies i kish lindur jo vetëm dëshira të shkonte sot në punë, por nënvetëdija i thosh, se ai do të gjente diçka sot. Do të zbulonte ndoshta vërtet atë lidhje të mistershme të atij numri pa kuptim, ëndrës së tij dhe diçkaje tjetër, që as ai e dinte! Në fund të fundit, duke u ingranuar me punë, ai do ta harronte edhe më shpejt ankthin ëndëror. Pavioni ishte plot me pacientë, e prezenca e tij atë të shtunë do të mirpritej. Kërkush nuk do të pyeste përse kish ardhur. Nuk ishte hera e parë, që ai apo kolegë të tjerë e anullonin me dëshirë ditën e pushimit.  

  Filloi të vishej ngadalë, për t’mos bërë zhurmë. Pas daljes nga banjo kaloi i qetë në guzhinë dhe filloi të bënte një kafe. Mendoi për një moment, se mos ajo i bënte keq kësaj radhe, mirpo, pikërisht për shkak të kësaj frike, vazhdoi më tej në pregatitjen e saj. Pas pak, tek e pinte i qetë, i gëzohej guximit të shfaqur në injorimin që i kish bërë asaj frike të kotë. Duhej të ishte sa më normal, po i mbushte mëndjen vetes. Kllapia e ëndrës kish kaluar! Tani kishte ajër sa të donte, kishte atë oksigjenin e tij të dashur. Oh Zot, u përpoq mos ta kujtonte atë moment ëndëror, që e kish trembur aq shumë. Vërtet, ishte në botën e oksigjenit, në botën e ajrit, kllapiti i kënaqur sytë.

    E vetmja gjë që ia turbulloi këtë kënaqsi, ishte koha e ndodhur. Ora nuk kish trokitur akoma pesë dhe ai nuk kishte ç’të bënte më. Po të dilte aq shpejt nga shtëpia, mund të dëgjohej nga e shoqja, gjë që do ta merakoste atë. Nuk e mbante mënd nëse i kish thënë asaj, që atë fundjave e kishte pushim, por sidoqoftë, largoi me një lëvizje instiktive të dorës dyshimin e ngritur, kjo pak rëndësi kishte. Në fund të fundit, e justifikonte vajtjen në spital me atë, që kishin shumë punë. Problemi ishte se ora po lëvizte shumë ngadalë. Ajo lëvizte edhe më ngadalë se frymëmarrja e tij, tashmë e ngadalsuar. Ku të shkonte, nga të bridhte?!. E shoqja, edhe po ta dëgjonte daljen e tij, do të mendonte se ora ishte tej gjashtës, koha kur ai nisej si gjithmonë, kur ishte turni i parë. Mirpo vetë …, ai vetë ishte problemi!  U ul në karrike dhe nisi të mendojë përsëri.  

    Ëndrën nuk po e sillte më nëpër mënd. Këtë e bënte me vetëdije që të mos shqetësohej, ndonëse e dinte se gjithë ky shqetësim i kish ardhur nga ajo ëndër e llahtarshme. Dhe ajo që e kish futur tani më tej në mendime ishin ato rastësi num… , jo, jo, kundërshtoi veten, këtu duhet të kish diçka më të thellë. Nuk kish përse të përpiqej të kujtonte momente, që kishin lidhje vetëm me ato numra të pakuptueshëm. E gjithë jeta vërtitej rreth numrave, në fund të fundit! Po të vriste mëndjen rreth tyre, do të humbiste kohën kot. Ja, ajo dhoma numër 16 e pavionit ku punonte përshëmbull, ishte dhoma e fundit, por kjo nuk kishte ndonjë gjë të veçantë!.. Apo?!.. Jo, jo!… Tek ‘ta problemet më të mëdha i kish patur dhoma një, ku shtronin ata në gjëndje më të rëndë. Biles, tani po i vinte çudi, përse nuk e kishin caktuar pacienten e re në dhomën një. Pacientia e re ishte vërtet e dëmtuar. Siç dëgjoi para se të ikte, ajo grua kishte prerë damarët e pulsit të saj dhe kish dashur të mbytej në vaskën e banjos. O Zot, pshehrëtiu, ajo kish përjetuar në realitet atë gjëndje që ai kish përjetuar në ëndër!… Kish dashur të asfiksohej nën ujë!… Ç’farë tmerri!…  Dje nuk e kish vrarë mëndjen shumë për këtë fakt. Raste të tilla ata kishin plot, ndaj nuk kishte përse ta vriste mëndjen. Pas ndihmës që u kish dhënë kolegëve të turnit pasues, kish hequr përparsen dhe ishte nisur për në shtëpi. Këto ishin veprime të pamendueshme; e kush nuk gëzohej që mbaronte turni i punës!?. Pasi kish dalë jashtë kishte rastisur të puqej me shoferin e ambulancës, i cili duket se sapo do të largonte makinën e tij nga oborri. Tjetri e kish pyetur nëse pacientia e sjellë ishte jashtë rrezikut, dhe ai kish aprovuar me kokë. Fatkeqësi, fatkeqësi, kish vazhduar tjetri si për inerci, gjë që e kish bërë atë të ndalte një herë këmbët. Po, i kujtohej mirë, … çudi, këtë mëngjez atij po i kujtoheshin fare mirë fjalët e shoferit. Tragjedi familjare, kish vazhduar i merakosur tjetri me tundjen e kokës, tek do të kish kujtuar se ai kish ndaluar vërtet për të ditur diçka më shumë. Pas kaq e kaq vitesh e ka zbuluar i shoqi, se e bija nuk qenka e tij!…  Ai kish hapur njëherë sytë si i habitur, -kjo më tepër ti bënte tjetrit qejfin për lajmin e dhënë; por në të vërtetë as këto fjalë i kishin tërhequr atij ndonjë vëmëndje të madhe, dhe kjo, sepse i ishte fiksuar në kokë të ikte një minutë e më parë. Pas hapjes së syve, kish tundur edhe ai gjoja i merakosur kokën po si tjetri, për faktin e dëgjuar. Dhe, para se të hidhte hapat më tej, vetëm sa kish belbëzuar: E bija?!… Shoferi i ambulancës, i pamerakosur fare që ai kish nisur largimin, kish lëshuar prapa krahëve të tij: -E bija e ikur, i ati i tredhur, e ëma në spital, eh botë o botë!… Në ikje e sipër ai vetëm sa kish kthyer pak kokën, kjo thjesht për respekt të fjalëve të shoferit, por më shumë se kaq nuk kish bërë. As kujtonte të kish menduar për pacienten e re, apo për problemet e punës në përgjithësi.  Deri këtë mëngjez nuk e kish shkuar fare nëpër mënd këtë rast. Biles, tani nuk po e kuptonte, përse ky rast mund të kishte lidhje me ëndrën e tij?!.. As me jetën e tij nuk kish përse të kish! Ato dashnore që kish patur, nuk i kish lënë me barrë!… 

   Buzëqeshi me sarkazëm, ndonëse ishte i vetëm në guzhinë. Rrufiti kafen me zhurmë dhe shkrythi pas pak krahët. I ati i tredhur  i erdhi sërish në mëndje, gjë që e bëri të buzëqeshte përsëri. Nuk po e kuptonte ç‘donin të thonin ato fjalë!..  I tredhur, i tredhur, përsëri disa herë insiktivisht me mëndje, pa u përpjekur të zbulonte ç’fshihej pas kësaj. Duke i vajtur mëndja tek fjalët e tjera të shoferit, kuptoi se duhet të ish fjala për ndonjë analizë të atij burri. Duket, mosbërja e fëmijve të tjerë, do ta kish shtyrë atë njeri të bënte analizën që provonte gjallërinë e spermatozoitëve të tij. Po, po, kjo do të kish qenë!.. Mirpo gjuha snobe-popullore përdorte atë fjalë të gabuar për ato raste: tredhje. Fakti që ai baba paskësh zbuluar, -siç i tha shoferi-, tregonte se kish të bënte me dallimin që ai i kish bërë vetes në paaftësinë e fekondimit. Pra, ai ishte i paaftë të bënte fëmijë dhe kjo e kish çuar…, po, po, kjo kish sjellë atë tragjedi familjare. Ai kish zbuluar se e bija nuk ish e tij, sepse ai kishte zbuluar që ishte i paaftë për fekondim, … apo siç i tha shoferi, i tredhur.  Kështu duhet të ish! Ajo grua e kish tradhëtuar atë, … apo më saktë, … o dreq, akoma më keq, e paskësh gënjyer qysh në fillim të martesës së tyre. Nuk e luante as topi. Kjo ishte e gjitha. Dhe nuk i kish mbetur gjë tjetër ruspies, vetëm se të vriste veten, … apo të vetdëmtohesh të paktën, siç e dinte ai nga eksperienca e punës. E paska patur vetë fajin putana, vulosi zinxhirin e mendimeve. U pështet më mirë në karrike, gjë që e bëri të pendohej menjëherë për lëvizjen e bërë, tek dëgjoi atë kërcitje të saj. I vajti menjëherë në mëndje e shoqja me të bijën që flinin një dhomë më tej dhe, kujdesi për t’mos i zgjuar, e bëri të ishte më i kujdesshëm. Gjerbi kafenë me ngadalë, sepse mendoi mos edhe rrufitja e saj mund të dëgjohej në dhomën matanë. Bukuroshja e babit, lëshoi me mëndje për të bijën, duke imagjinuar fjetjen e saj. I erdhi në mëndje darka që kishin kaluar një natë më parë, ai, e shoqja dhe e bija. Ajo grindje e lehtë që kishin patur. Ishte mosha kur e bija nuk para i dëgjonte aq shumë prindërit e saj. Ai dhe gruaja kishin vetëm një dëshirë, që ajo të mësonte sa më shumë, për të vazhduar në të ardhmen universitetin. Asgjë më shumë kërkonin prej saj!.. Ky investim i sotëm do të ti japi rezultatet në të ardhmen, bija ime, kish zbrazur dufin e shoqja. Ai kish mbështetur gjithashtu të shoqen, duke i kujtuar të bijës atë ligjin e tretë të Njutonit, të cilin vetë ajo ua kish kujtuar ndonjëherë të dy prindërve gjatë hakërrimeve të saja: ata ishin aq injorantë sa nuk njihnin as ligjin e tretë të Njutonit!  

    Kjo është, i kish thënë ai bukuroshes së tij mbrëmë, një sforcim sot, për të patur lehtësi në të ardhmen. Por duket se kishin folur kot, sepse e bija as kish dashur ti dëgjonte. Eehh, pshehrëtiu. Vazhdoi rrufitjen e kafes duke kaluar nëpër mëndje atë analogji të tij me atë të familjes së pacientes, ajo familja e shëndoshë me atë të shkatërruar. Të dyja familjet kishin nga një vajzë. Por të paktën ai e dinte se e bija e tyre ishte produkt i tij dhe e së shoqes, i atyre dy prindërve që ajo bukuroshe shihte përditë. Ai nuk kish patur nevojë ti bënte analizat, sepse ngjashmëria e fytyrës së tij dhe e të bijës ishte e dukshme. Të paktën në këtë ishte i sigurtë. Ishte tamam si ai ligji i tretë njutonian. Ajo pacientia kish bërë një veprim dikur, për të cilin paguante tani. Ndërsa ai, … ai, …?!… Vërtet, edhe ai kishte ndonjë veprim, … eehh dikur … ah, çfarë, gruaja e tij e kish zbuluar vetë para disa vjetësh tek ai shoqërohej me njërën, … alamet femre, i erdhi për të qeshur, … gënjeshtra e kënaqshme me atë femër i kish zgjatur vetëm nja gjashtë muaj, derisa e shoqja u kish rënë në gjurmë, … por shyqyr, ai muhabet u mbyll pas ca zëniesh të vogla. E shoqja e kish parë, që pas asaj dashuriçke, atij nuk i kish vajtur më mëndja për broçkulla të tjera. Më të shumtën e kohës ai e kalonte në punë dhe në shtëpi me familjen e tij. Nuk donte të rrezikonte përsëri, e të humbte kështu gjithshka. Nuk kishte më as moshën për ato punë. Po i afrohej të pesëdhjetave, … nuk ishte më i ri, … ah, dreq moshe, hoqi ndonjë vizion të padëshirueshëm të asaj kohe nga mëndja. E shoqja dinte gjithshka, ndaj mund të rrinte i qetë. Ajo dinte edhe për ato dashuritë e tij para martesës me ‘të… 

   Rrufiti kafen me ngadalë duke e shijuar momentin.  I vetmi kuptim që kish ajo rastësi ishte ai deduktim llogjik, se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtëra. Hëm, buzëqeshi hidhur. Si?.. Mblodhi buzët sikur diçka e padëshirueshme ta kishte shqetësuar. Jo, jo, ata i kishin nisur marrëdhëniet e tyre pastër dhe pa gënjeshtra, mendoi shkoqur.  Edhe ai e dinte dashurinë e të shoqes para se ajo të njihej me ‘të. Nuk kishte gjë që do ta rëndonte bashkjetesën e tyre. Ah, mblodhi përsëri buzët, … ai kish patur edhe një herë me njërën marrdhënie, … po kohë të shkuara, … gjë që nuk e mbante mënd nëse ia kish thënë të shoqes apo jo!..  Eh, pshehrëtiu. Nuk kishte pse të shqetësohej! Në familjen e tij ishte gjithshka në rregull. Ëndra e parë do të kish patur të bënte me ndonjë pozicion të keq të tij në krevat. Ndoshta mund të kish mbuluar gojën me jorgan dhe kështu ti ish bllokuar frymëmarrja!.. 

   Ngrejti insiktivisht dorën pranë gojës dhe përpëliti qepallat. Iu kujtua padashur dhe një detaj tjetër i ëndrës. Në fakt mund të kish qenë edhe ëndër tjetër, që e kish parë para se ti vinte ëndra e llahtahrshme. Ai kish qenë në një si tip korridori të llustruar, … po, po i kujtohej që ishte një korridor me dysheme dhe mure të shkëlqyer, … aty ai ishte me një femër, një gocë e re kish qenë, po,po, … atij i kishin hypur ndjenjat seksuale dhe ish afruar pranë saj, … duket se edhe ajo kish dëshiruar këtë, … ajo kish qenë shumë ndjellëse, … kur i ish afruar dhe po e shtërngonte, ajo i ishte dukur si një grua mbi të tridhjetat, … por ky detaj i binte vetëm tani nëpër mënd, gjatë ëndrës nuk e kish vrarë mëndjen për këtë gjë, … çudi, … megjithëse të dy kishin dashur të kryenin marrëdhënie, … ata nuk kishin mundur ta bënin këtë, sepse ëndra ishte prishur, ..po,po, aty kish mbaruar ajo ëndër e bukur. Nuk e dinte ç’kuptim mund të kish një ëndër e tillë. Ndoshta kjo mund ti kish ardhur nga nevojat fiziollogjike-seksuale!?. Ose kushedi?!… Të gjithë detajet e ëndrës nuk i kujtoheshin. Biles edhe fytyra e asaj femre ndjellëse nuk i kujtohej aq mirë!.. Apo i kujtohej pakëz turbullt. Ajo femra me të cilën kish dashur të bënte marrdhënie sikur kish qenë e njohur për ‘të. Kështu sikur kish patur ndjesinë, … nuk ishte aq i sigurtë, … por sidoqoftë, … edhe krejt e panjohur nuk kish qenë!…  Si, qysh, tek, nuk mund të thoshte gjë!..  Ajo ndjellëse ishte nja tridhjetepesë apo dyzet vjeçe kur i ishte afruar, kaq mund ta çmonte tani, me aq sa i kujtohej turbullt. Edhe ajo njohja e tyre kish qenë thjesht vetëm për fytyrë, … apo ndoshta vetëm në ndjesitë e tyre?!..  

   Eh, dreq, fërkoi tëmthat me gisht, nuk i kujtohej nëse do ta kish parë atë fytyrë gruaje edhe në realitet. Po përpiqej të kujtonte fytyra pacientesh që kish patur në pavionin e tij. Mirpo nuk po fiksonte një të ngjashme. Edhe vëndi ku ai e kish takuar atë epshore, ai korridori i shkëlqyer në fillim, sikur kish ndryshuar kur ai i ish afruar asaj. Ishte një vend si guvë, por edhe i përngjashëm me ato korridoret e bodrumit të spitalit të tij. Si?.. … Po, … oh Zot, ç’dreqin i kish ardhur në mëndje ajo dhomë e atëhershme!?. Përse dreqin i kujtohej tani?!. Ajo marrdhënie seksuale, që kish bërë atëhere, nuk duket se kishte ndonjë lidhje me këtë ëndër!?. Ai as nuk ia kujtonte më dot saktë fytyrën asaj vajze të dikurshme!.. Ishte koha kur ai kish filluar punën si infermier, pas atyre tre vjetëve të praktikës dhe mësimit. Kishin kaluar mbi njëzet e dy vjet prej atëhere. Ai nuk e kujtonte me qejf atë rast, biles ish përpjekur ta shuante për fare nga mëndja. Ato tre praktikantet e reja kishin filluar aso kohe tek ‘ta shërbimin. Atëhere ai ishte i ri, aty midis njëzet e gjashtë dhe njëzet e shtatë vjeç. Të treja praktikantet ishin të bukura, por duket njëra i kish pëlqyer pak më tepër. Eh dreq, u përpoq të hiqte nga mëndja vizionin e atëhershëm, mirpo pa sukses. Ai vizion po i shpalosej tani qartë, si ai çarçafi i atyre nuseve në natën e parë të martesës. Ajo bukuroshe i kish thënë, se ishte e fejuar, … nuk e mbante mënd, ia kish thënë këtë përpara apo më pas?!… Nuk e mbante mënd jo, sepse momenti kishte rrjedhur shumë shpejt. Ai ish ndodhur me atë bukuroshe në një nga dhomat poshtë në bodrum për të marrë diçka. Kish qenë java e dytë e praktikës së tyre. Nuk e dinte si i kish hypur, se si ishte eksituar, kur ish ndodhur vetëm për vetëm me ‘të në atë dhomë, … dhe … po, po, ai ishte eksituar kur ajo ishte përkulur të merrte diçka dhe sytë e tij ishin ngulur tek shalët e saj, … oh dreq, i ishte dukur se ajo vetë e kishte provokuar në atë përkulje, … ndonëse, … po, po, nuk mund të gënjente veten, … ai i kish thënë të merrte atë rripin atje tej, … dhe … ai i ishte afruar, … sa hap e mbyll sytë e kishte shtërnguar fort. Ajo ishte përpjekur të largohej, mirpo ai ishte eksituar më fort. E kishte shtrirë menjëherë dhe, tek ajo i thosh se do të bërtiste, ai i kish shtërnguar gojën fort, … me pëllëmbën e dorës i kish bllokuar frymëmarrjen, aq sa kur e la pakëz të lirë, tjetra nuk kish më fuqi të bërtiste, por vetëm kish marrë frymë me shpejtësi. Ndërsa ai kish bërë atë veprim, … ahh, … tani i vinte turp ta kujtonte. Gjithnjë i kish ardhur turp ta kujtonte!.. E si ta kujtonte?!. Ai kish bërë një përdhunim, po, po, kish bërë atë veprim kafshëror që nuk do ta besonte po ta dëgjonte nga dikush tjetër. Ndërsa ai e kish bërë!.. Kafshë!… Kafshë, i përsëriti vetes me zë. I ish hedhur me forcën e tij shtërnguese, … i kish bllokuar frymëmarrjen, … por kjo kish rrjedhur shpejt, … nuk e kujtonte mirë të gjithë skenën, … nuk e kujtonte, sepse nuk kish dashur ta kujtonte asnjëherë prej asaj kohe, … sidoqoftë, diçka nuk i ish shqitur nga mëndja, … më saktë nga kofshët e tij, nga duart, mbathjet, … nga … ah djall, ai gjak i kishte mbetur duket gjithë jetën i ngjitur në trup, … nuk kish dashur të mendonte nëse ajo ngjyrë e kuqe kish qenë shenjë e virgjërisë apo thjesht një gjurmë e aktit të dhunshëm që kish bërë, … kish dashur ta shuante nga mëndja edhe atë gjurmë gjaku, … kështu duket kish kujtuar gjatë gjithë kohës, mirpo nuk kish qenë e mundur, … e shihte tani qartë, e kishte përpara syve. Me sytë e ngulur në filxhanin e kafesë i dukej se shihte akoma ato njolla të kuqe të së shkuarës. E shtyu filxhanin me dorë më tej. As kafja nuk i shijonte më. Kështu si atë filxhan kish dashur të shtynte edhe atë ngjarje nga ato neurozat e trurit të tij, … ndërsa tani e kishte të qartë, se kjo kish qenë një tentativë instiktive e atij truri që fshihte në brendësi të kokës, atij autonomi, siç e quanin asaj kohe në lëndën e biollogjisë topografike. E kishte të qartë, që kështu ai autonom kish dashur ti ruante ekuilibrin shpirtëror, … po, po, atë ekuilibër për të cilin kish nevojë ajo qënia dykëmbësore. Hëm, psherëtiu. Tani çuditej se si kish patur guximin ta kujtonte kaq qartë atë ngjarje të fëlliqur të së kaluarës! Nisi të pyeste veten: pse, përse, dreqi e martë?!… 

   … Po i kujtohej, se pas atij akti seksual të dhunshëm ai e kish pyetur se sa vjeç ishte. Kish lëshuar atë pyetje mbi moshën e saj ashtu insiktivisht, ndoshta për të thyer atë heshtje varri që kish mbretëruar, tek mbërthenin kopsat e shqepura. Kish pyetur kot, ashtu kot, ndoshta për të çtensionuar gjëndjen, për tu justifikuar pas atij veprimi të kryer. Duket, kish tentuar ta sillte viktimën në botën reale. Kish dashur ta normalizonte gjëndjen! As vetë e kujtonte mirë gjëndjen e tij emocionale. Ndoshta, kish dashur ti jepte asaj të kuptonte, se ai interesohej për ‘të, ai e donte atë, ai nuk kish bërë një përdhunim, por kish kryer marrdhënie me vajzën që donte… Ah, trala-la!.. S’mund ta kujtonte qartë ç’kish dashur ato momente. Ç’kish kërkuar!? Apo, pse kish kërkuar të justifikohej?. Ndoshta kish dashur ti fshihej vetvetes?!… Ti fshihej plagës që kish shkaktuar!?. Të ekuilibronte ndërgjegjen?! Truri i tij punonte për këtë punë!… 

    Ai kujtonte tani atë zërin e saj të mekur. Pas pyetjes së tij, ajo i ish përgjigjur jo menjëherë. Dhe kjo vonesë, …kjo vonesë kish bërë që ai ta mbante mënd moshën e saj.  Zëri i saj i dobët kish thënë: gjashtëmbëdhjetë për shtatëmbëdhjetë. Po, po, këtë nuk kish si ta harronte, … e kujtonte qartë, dreqi e marrtë!… 

   … Si?!?… Po, po!… Oh jo, pshehrëtiu, duke u ngrejtur nga karrikja, pa pyetur edhe për zhurmën që ajo lëshoi. Mos ëndrra e tij kishte lidhje me këtë rast të jetës së tij?!. Përsëri i dilnin ato numra të mallkuar! Ai nuk e kish kujtuar më asnjëherë bashkbisedimin e shkurtër që kish bërë me atë vajzë pas aktit të kryer, asnjëherë! Nuk kish dashur ta kujtonte! Ndërsa tani po i riktheheshin ato copëza fjalësh të mekura të saj, ai zë i mbytur më parë nga ai. Ngulçima të mbytura, të shoqëruara me mbulimin e fytyrës nga ato pëllëmbë të pafuqishme, i kishin dhënë atij njoftimin se ajo ishte e fejuar. Hëm, ai kish vazhduar veprimet instiktive. I ish afruar dhe kish tentuar pas kësaj ta merrte me të mirë, ta përkëdhelte, ti thoshte një fjalë të ngrohtë. Kish qenë e kotë! Viktima e tij vetëm sa kish lënë ti rridhnin faqeve ca lotë të nxehtë, provë kjo e zjarrmisë që po kalonte. Ai e kish shtërnguar pranë vetes, kësaj radhe me të butë, duke i thënë që këtej e tutje ajo do të ish e tij. Po, po, ia kish thënë këtë, ndonëse nuk e kujtonte mirë nëse e kish patur seriozisht atë moment apo jo!.. Thjesht kish ndjerë atë nxehtësi të saj dhe … insiktivisht kish shfaqur edhe ai ngrohtësi.

    Më pas, ai nuk e kish parë më tjetrën të vinte në praktikën e nisur. Shoqet e saja kishin thënë, se ajo ishte e sëmurë. Ai ish interesuar ta takonte përsëri, por nuk kish qenë e mundur ta gjente. I kishin thënë, se ajo kish përfunduar në psiqiatri. Kjo e kish trubulluar pak. Pas dy javësh, njëra nga praktikantet i kish treguar, se shoqja e tyre kish dalë nga spitali dhe ishte martuar me të fejuarin që kish patur. Ky lajm e kish qetësuar pastaj atë. 

 Në këtë kohë ai vetë kish njohur një vajzë tjetër por, sidoqoftë, mbante mënd që lajmi i dëgjuar e kish futur për ca sekonda në mendime, gjë që nuk para i ndodhte me historitë e dashurive. Ai s‘e kish parë më atë gjashtëmbëdhjetë për shtatëmbëdhjetë vjeçare, biles avash-avash e kish harruar thuajse fare. 

   … Eh bela, nisi të lëvizte nëpër guzhinë.  Përse i kujtoheshin tani të gjitha?!. Përse i vinin tani në mëndje edhe detaje të tillë, që nuk i kish menduar ndonjëherë deri më tani? Ishte e vërtetë, ai nuk e kish harruar krejt atë rast jo të këndshëm të jetës së tij; dhe vërtet që pa dashur i kish ardhur ndonjëherë për momente shumë të shkurtëra në kokë!. Mirpo kurrë ndonjëherë kish kujtuar detajet e vogla!… Ose ndoshta, ato detaje të ridala tani vonë, kishin qenë aty të fshehur pas atij vizioni të mallkuar?!. Ishte vërtet një kujtim i dreqosur!.. I sëmbonte në shpirt kur e kish sjellë rrallë ndonjëherë në mëndje, … ashtu turbullt, … qoftë edhe për të qindin e sekondit, … E dinte, se po të kish edhe shpirti ngjyra, siç kish faqja, shpirti i tij do të ngjyrosej me të kuq në ato momente aq të shkurtër kujtimi. Ishte akti i parë dhe i fundit në jetën e tij, për të cilin nuk kish dashur asnjëherë të mendonte. Ç’farë kish ndodhur, kish ndodhur; me kaq e kish mbyllur atë kapitull. Ishte njeri i respektuar,… dhe pse mos të ishte!?. Me atë punë humanitare mbi njëzet vjeçare, ishte krenaria e familjes. Biles edhe e kolektivit, ndonëse atje përpiqeshin të konsideroheshin të gjithë të barabartë…   

   Ndaloi lëvizjen dhe, me dorën e ngrejtur në mjekër, kujtoi duket diçka të pabesueshme, … ishte më tepër një vizion sekondar gjaku, ajo njollë e kuqe në fashot e duarve të saj. Jo, jo, tundi kokën. Nuk kishte mundësi. Ajo që i kish ardhur në mëndje ishte një fiksim, … ishte thjesht fillimi i marrëzisë së tij. Gruaja e plagosur … jo, jo, nuk kishte mundësi që të ishte ajo, … po budadallëpsej, … ngrejti dorën dhe i ra faqes së vet, … maskara, foli me zë. Dhe nëse është ajo vajzë e dikurshme?!?… Dhe nëse vërtet të jetë ajo, … ajo që ka rritur kaq kohë, … oh Zot, … ajo të kish rritur fëmijën e tij?!!.. Po çmëndej!.. Si?.. Sa?… Iu kujtua shënimi i koleges së tij në bllokun e emrave të pacientëve, iu kujtua mosha e gruas. Tridhjet e nëntë!.. Po, i kujtohej mirë se si kolegia e tij e kish përsëritur me zë. Tridhjet e nëntë,… tridhjet e nëntë minus njëzet e dy vjetët e tij të punës, … i binin shtatëmbë…  oh Zot, qëlloi përsëri veten me pëllëmbë. Të kish qenë ajo?!.. po, po, ajo … ajo duhet të ish!.. Jo, jo, kundërshtoi veten gati me zë. 

    Vuri të dy pëllëmbët tek surrati duke e mbuluar këtë, sikur do ta shihte njeri. Ndenji një copë herë ashtu, pa ditur ç’të mendonte njëherë më tej. Donte vetëm mos ta besonte përfundimin matematikor. Mirpo, duket se gjithshka kishte vetëm atë përfundim. Ky ishte ligji i tretë i Njutonit, mendoi. Goditja ka një kundërgoditje, … po,po, sado të vononte, ajo do të vinte një ditë. Frymëmarrja po i vështirsohej. Filloi të nxiste shpejtimin e frymëmarrjes, për të mbushur mushkritë me oksigjen; …ky fak edhe më shumë ia përfocoi konkludimin llogjik njutonian. Po katandisej në një gjëndje të vështirë! Këtë e perceptonte qartë. I kish ardhur momenti i duhur që ti merrej fryma, siç ia kish mbajtur ai dikur frymën asaj viktime të mjerë! Asaj viktime të pafajshme! Qelbësirë, i shfryu vetes. Si nuk tu morr fryma në gjumë më mirë!?. Kështu të kishe larë atë mëkat të fëlliqur!.. Kishte shkaktuar një tragjedi, … një tragjedi të pashërueshme!… Jo, jo, mendoi, nuk ka mundësi. Po, kundërshtoi në moment, ka mundësi, përse jo?!.. Oh Zot, çfarë kish katandisur!?! Si nuk e kish kuptuar menjëherë?!. Si nuk e kish kuptuar?!… Mbylli sytë dhe ndenji një copë herë pa lëvizur. Dukej sikur po flinte në këmbë. I shkreptiu të dilte jashtë. Nuk po e duronte më dot ngushtësinë që e kish zënë. Në gjoks ndjente ti lëvrinte një ngulçimë!.. Vuri filxhanin në lavaman dhe mbuloi edhe një herë fytyrën me pëllëmbët e duarve. Shyqyr, shyqyr, po ndjesonte ndërkohë, për faktin se nuk mund ta shikonte asnjë njeri nga rruga; kjo jo vetëm sepse lëvizja e njerëzve nuk kish filluar akoma, por edhe sepse ai banonte në katet e sipërm të pallatit. E prapseprapë, i dukej sikur ndonjë qënie qiellore e shikonte. Këto shenja të çuditshme të ardhura të gjitha një e nga një në këto pak orë të dy ditëve, … kjo ishte e pashpjegueshme, ndjesoi. Matematika nuk gabon asnjëherë, iu kujtua kjo shprehje që e përsëriste ndonjëherë ashtu kot. Pse ëndrrat kot janë?!, -pyeti veten.  Numra të çuditshëm, ëndërr e llahtarshme!.. Jo, jo, nuk ishin kot!… Dhe vetë ajo, … ajo, ajo, … ajo e dikurshmja!… Ajo … viktima e tij, … ajo dergjej në pavionin e tij, … Oh Zot, psherëtiu duke i ulur duart poshtë. Të ish e vërtetë?!.  Vërtet të ish ajo?!. Çfarë kish bërë?!..  Të gjitha çfarë bën tani, do ti marrësh mbrapsh një ditë, i kish thënë një natë më parë ai të bijës, tek ishin grindur për punën e mësimeve të saj. Hëm, lëshoi një zë të prerë; ishin pikërisht ato fjalë që duhet t’ia thoshte vetes!..  Çudi, çudi, përpëliti buzët. Nuk mund ta besonte, se si po rridhnin këto çaste të fundit. E përse të çuditej?!.. Të gjitha këto rastësi nuk ishin radhitur ashtu kot brënda disa orëve!.. Ato ishin ligjësi, po, po, ligjësitë e natyrës!.. Ato do të vinin një ditë!.. Çfarë kish mbjellur, do të korrte një ditë!.. Oohh, i sëmboi në gjoks. Po e kuptonte, … vërtet po e kuptonte, … maskara, i bërtiti vetes me zërin e brëndshëm. Ndërkaq e ndrroi cilësimin për vetveten, … kriminel, i foli vetes, ç’ke bërë kriminel?!.. Ishte vërtet një kriminel, … por nuk e kish ditur, … si nuk e kish kuptuar ç’kish bërë?!… I kish bllokuar frymëmarrjen një njeriu, … e kish asfiksuar gati me duart e tij, … o Zot, ç’kish bërë!!… Përse, përse?!.. Pa ndaluar frymëmarrjen e shpejtuar, ngriti kokën në tavanin e guzhinës. Nguli sytë aty ngulmas, sikur do të lexonte përgjigjen. E kishte të qartë më parë, se mund të ndiqte ndonjë shkronjë imagjinare. Po, po, … e kishte të qartë, … kish torturuar një njeri për qejfin e tij shtazarak, … po, po, për qejfin e tij!… Kish qenë më i fortë, … ndaj kish vepruar si kafshë!… O Zot, ç’tmerr ka hequr e shkreta!.. Ndërsa ai ish shtyrë vetëm nga instiktet e tij kafshërore!… Si nuk i kish rënë një atak zemre qysh atëhere?!. Por i kish ardhur tani ai moment aq i vështirë!?.. Duket se po merrte dënimin e merituar!.. Nuk e dinte se nga kush, por, … vërtet, nuk e kish vrarë deri më tani mëndjen shumë për këto gjëra, … tani kishte kohë ta vriste mirë mëndjen, … po, po, duhet të kish diçka atje lart në qiell që i vendoste disa gjëra në rregull!… Nuk kish mundësi tjetër!.. Ishte cfilitur nga ajo ëndër makabre, ashtu siç kishte cfilitur ai atë vajzë të pafajshme, … biles ca më keq, … ai i kish shkatërruar asaj jetën, e kish çuar në vetvrasje!… Ndërsa jeta e tij, … jeta e tij rridhte normal, … ai vazhdonte jetën me familjen e tij normalisht!… O Zot, vuri përsëri duart në fytyrë, duke imagjinuar vajtjen e tij të hënën në punë. Ai do të përballej me viktimën e tij!. Do ti shërbente asaj!.. Dhe do të punonte me kolegët e tjerë sikur të mos kish ndodhur gjë!.. Hëm, do të punonte, … do të punonte derisa … derisa … derisa të gjithë do ta merrnin vesh faktin makabër, … atë ngjarje të fëlliqur …, të cilën ai do të mundohej ta interpretonte ndryshe, … po, po, do të thosh se ajo e kish joshur vetë, … kështu do të vazhdonte jetën si maskara, … si një dallkauk, … e do të kalonte herë-herë pështymën poshtë si njeri me sedër që ish, … qelbanik, i ra sërish vetes me shpullë, … jo, jo, ndrroi mendim, duhet të merrte lejen e zakonshme, ose të merrte disa ditë raport e të rrinte në shtëpi, … biles të hiqej sikur kish ndrrydhur këmbën e kështu të rrinte nja dy javë të mira pa dalë fare nga shtëpia!… Sa dallkauk dhe frikacak që ish, mendoi për veten. Po më mirë, vulosi i apatizuar. Nuk dinte ç’të bënte tjetër!.. Ose pse jo, ngrejti kokën nga dritarja, të shkonte e të tregonte vetë për të gjitha. Po, po, të paktën do të bënte një të mirë! Do të shpëtonte një pjesë të nderit së asaj gruaje fatkeqe. Do të thosh se kish qenë ai, po-po ai, … dhe jo ajo, … ai e kish mbajtur me forcë dhe e kish përdhun… Oh Zot, gati bërtiti, ai nuk do të kish guximin ta bënte një gjë të tillë!… E pse jo, përpëliti buzët!.. Do të jetonte më pas i qetë!.. Ndërsa kështu do të torturohej gjithë jetën e mëpasme. Do të kishte ëndra edhe më të sikletosura!. Do të fshihej gjithmonë prej njerëzve!. E ndonjë ditë do të përballej me viktimën e vet!.. O Zot, nxorri një psherëtimë të gjatë, a nuk kish një mënyrë si të shpëtonte nga ky siklet?!.. Të shkonte përshëmbull vetë drejt e tek ajo, ose drejt e në prokurori?!… Do të shkatërronte ndoshta familjen e tij?!.. Por edhe kështu, pa vetdenancim, dukej se do e shkatërronte atë ndërtesë të bekuar!.. Ç’të bënte?!..Si të vepronte?!.. Një lëvizje krevarti nga dhoma matanë i tërhoqi vëmëndjen… Duhet të vendoste!… Ç’të bënte?!.. Të hidhesh nga dritarja?!.. E të bëhesh ç’të bëhesh më pas!… Do të thonin se kish kaluar një krizë nervore!.. Depresion!… Viktima e tij do ta merrte vesh, … ta merrte vesh, ta merrte, … edhe ajo do ta falte pastaj, edhe ajo do të lehtësohej pastaj, … biles mund të mendonte edhe mirë për ‘të!?… Kushedi ç’do të mendonte?!. Ç’do të ndjente?!. Ndoshta kjo do ta shëronte?!. Kjo mund të vuloste gjithshka?!. Ashtu në heshtje dhe pa u kuptuar, gjithshka do të vazhdonte më pas rrjedhën e vet?!. Ndoshta ajo mund ti tregonte më pas bijës së saj se si kish rrjedhur puna?!. Bijës së saj??!. Hëm!… Ajo ishte edhe bija e tij!… Po, po,  … ajo duhet të ish bija e tyre!… Ai paskësh edhe një bijë tjetër dhe nuk e njihte!… O Zot, në ç‘gjëndje ish!.. Vërtet të ish bija e tij?..  Apo po kalonte ndonjë moment vetpersekutimi?!. Ai nuk e njihte atë!.. Nuk e kish parë!. …Mos duhej ta kërkonte?… Apo nuk kishte më kuptim?… Po me familjen e këtushme, ç’do të bëhej?..  Gruaja, bija, …po, po, bija e tij, e bukura e babait, siç i thoshte gjithnjë, … Jo, jo, tani i kishte në shumës. Bijat e tij!.. Ç’do të thonin ato, ç’do të bënin?… Ah, sikur asgjë mos të ishte e vërtetë!… Jo, jo, ëndrra, numrat, … ai asfiksim … o Zot, ç’asfiksim?!. Të ngeleshe pa frymë?!. Hapi pak dritaren të mbushesh më mirë me frymë. Ai, ajo, të gjithë, …ç’kish katranosur?! Si të dilte nga kllapia?! Të dilte hapur?! Të hidhej nga dritarja?.. Të pinte ndonjë medikament të fortë?.. O Zot, iu kujtua me medikamentet diçka tjetër e paparashikuar. Squfuri që përdornin në medikamentet e ndryshme, kishte në tabelën kimike numrin 16!… Ohh, lëngoi, tani i kuptonte numrat më mirë. E pas tij vinte klori!. Po, po, dita e sotme kishte numrin e këtij dezifenktanti! Sot ishte dita kur ai duhej largohej nga kjo botë, të largohej për ta lënë të dizenfenktuar këtë botë!.. Çdo goditje kishte kundërgoditjen e vet, justifikoi. Ky ishte ligj universal! Nuk kishte ç’të bënte!.. Duhej të vepronte!.. Por si?.. Si?.. Të pinte ampulat me squfur? Apo të hidhej nga dritarja?.. Sa i pafuqishëm që ishte!… Tani ishte i pafuqishëm, asaj kohe kish qenë gjithë muskuj!. Ndyrësirë, i shfryu vetes, ndyrësirë!..  I kish filluar koha e dhimbjes!.. Ta dije më parë, bëri të ulej në karrike por nuk mundi!.. Ta dije, ta dije, gati bërtiti me zë. Shtriu dorën të mbështetej diku. U pështet lehtë tek kanata e hapur e dritares. Sytë i hodhi përhumbësh në gjysëm-errësirën e mëngjezit. As mund të shihte e as mund të kuptonte gjë!.. Ooohhh, lëngoi instiktivisht pa e kuptuar,  ……………..  

.