youtube censur

                Neutralizim pa zhurmë e bujë  

Para një jave pashë në postën elektronike një e-mail të ardhur nga youtube, i cili më informonte se dy video të hedhura nga unë tek ky portal ishin hequr, për shkak ankimi nga subjektet e caktuara. Bëhej fjalë për një emision nga Focus i Robert Papës, si dhe një kënge të Irma Libohovës, të dyja të transmetuara në vitet ’90 nga RTSh. Gjithashtu informohesha se, në rast të një ankese dhe paralajmërimi tjetër, do t’më bllokohej kanali.

E kuptova se një shkelje e tretë do të pasonte brenda pak ditësh ose javësh, pasi në kanalin tim në youtube gjinden edhe këngë dhe emisione të tjera të viteve ’90, nga RTSh, të cilat unë ose pjestarët e tjerë të shtëpisë time i kanë inçizuar në video dhe unë i kam hedhur për miletin në youtube aty midis viteve 2015-18. Pra e kuptova se brenda pak ditësh ose javësh do t’më bllokohej hedhja e vidiove të tjera, në bazë të atij programi shtetëror gjermano & perëndimor shumë-vjeçar, për t’më izoluar e neutralizuar me të gjitha mjetet dhe metodat. Kështu dje nuk u çudita, teksa e-maili i radhës nga youtube më bënte të ditur bllokimin e kanalit tim.

Pas kësaj u përpoqa të futem me emrin tim në youtube, kështu të shkoja tek vidiot e mia, por Google më njoftonte se isha i ndaluar. Dërgova një e-mail tek rubrika e pyetjeve dhe ankesave, sot mora përgjigjen automate nga youtube dhe google, se kisha shkelur rregullat dhe do të shikohej problemi sërish më pas. Po dje kalova tek youtube si kërkues i zakonshëm dhe kërkova nën emrin tim, se ç’mund të më dilte. Vura re pas një kërkimi të gjatë, se më ishin hequr të gjitha vidiot dhe filmimet e hedhura, pra edhe ato filmime të miat personale, ku unë denoncoj fenomene mjaft negative të enteve shtetërore gjermane, mashtrime të një firme telefoni dhe të tjera tema e subjekte. Megjithatë kanë mbetur në youtube vetëm disa skeçe e filma të mi të shkurtër, si dhe disa filmime të miat me tema shkencore, të cilat i ka hedhur dikush tjetër në youtube.

Kjo pra qe historia. Ndaç hidhu përpjetë, ndaç ankohu ku të duash! Meqë unë isha i pregatitur për këtë masë -siç thashë, kisha edhe më parë mundësi ti analizoja me qetësi fenomenet rreth meje. Për më tepër që e gjithë pamja e youtubit, ku unë hyja ndonjëherë për të parë ndonjë emision, kishte ndryshuar tërësisht kohët e fundit. Nëse më parë më dilnin shumë video me temat që unë kisha kërkuar ditë të kaluara, tani në vitin 2022 dhe 2023 nuk ishte më ky lloj algoritmi. Psh, para shumë vitesh unë shihja në youtube budadallëqet e mjaft hoxhallarve dhe postuesve të tjerë, thjesht për të parë mendimet e tyre. Kështu, çdo herë që hyja në youtube, gati gjysma e vidiove në ekran ishin me këtë lloj përmbajtje. Po kështu, kur unë i kisha lënë këta së pari dhe shihja në youtube muzikë nga bota, brenda pak javësh më dilnin në ekranin e youtubes video të tjera këngësh. Apo kur shihja video që flisnin për teknollogjitë e ndryshme, brenda pak ditësh e javësh youtube më tregonte qysh në fillim video të tilla. Besoj çdo njeri e njeh këtë lloj algoritmi.

Mirpo nga viti 2022 e deri tani, unë mund të kërkoj sa të dua -bie fjala- mbi gjuhën shqipe, apo ndonjë budadallëk fetar, por ekrani i youtubes më nxjerr vetëm pamjen e tij të njëjtë me emisione gati si ato të televizorit. Mund të kërkoj unë tani ndonjë nga ata blogerët e dikurshëm, që i shihja her pas here dhe më dilnin edhe vidiot e tyre të tjera më pas, por tani jo vetëm që nuk i gjej më dot, por edhe kur gjej ndonjë, sado video të tjera të tij të shoh, ai nuk del që nuk del në hapjen e radhës së kompjuterit dhe youtubit! Pra, tani unë jam i detyruar të shoh ato që youtube më tregon mua dhe jo ato për të cilat unë jam i interesuar! Algoritmi i dikurshëm ka vdekur! Me një fjalë, po njëlloj si në diktaturën “socialiste” që lamë pas, në mos më keq, sepse asaj kohe gjenim të paktën mënyra për t’iu shmangur ofertës shtetërore, ndërsa sot jo më!

Pra, prej tetorit 2022, kur unë u ktheva në Gjermani, dallova se diçka nuk shkonte aq mirë me youtubin! Në filim mendova se kjo vinte për shkak të mungesës time disa mujorshe, ku djali e kish përdorur kompjuterin dhe ai do kish parë në youtube të tjera gjëra nga ato që shihja unë. Mirpo, edhe pa emrin e tij, edhe kur kaluan muaj dhe unë kërkoja eksplicit tema të ndryshme, si bie fjala ato mbi gjuhën shqipe, sërish faqja e parë e youtubit nxirrte krejt të tjera gjëra, që s’kishin lidhje me kërkimet e mia! Pra, ose i gjithë programi algoritmik ishte si një lloj farse, që do të thoshte, se të gjithë njerëzve u dilte e njëjta pamje zyrtare e youtubit, ose kompjuteri im komandohej nga një pikë e caktuar, që unë të mos kisha më mundësinë e ushqimit me emisione në gjuhën shqipe, apo me gjithfarë vidiosh të tjera, siç më parë me algoritmin e përzgjedhjes së temave më të kërkuara nga qytetari! Cila prej këtyre dy alternativave ishte?

Nuk është sekret dhe as paranojë skicofrenike, por kam vënë re prej shumë vitesh, se posta ime kontrollohej, telefoni poashtu, kompjuteri im gjithashtu, të njëjtin fat ka edhe posta elektronike e e-mailit. Nuk e di se sa zotërinjtë shtetërorë janë mërzitur nga kjo punë rutinë e monotone, siç nuk e di se sa pas dore e kanë lënë, apo ku më shumë janë përqëndruar, për faktin se vështirë të gjesh në botë postë më të varfër se e imja dhe vështirë të gjesh edhe njeri më mondan në këtë drejtim, pasi kohën ma hanë punimet e ndryshme. Por di se, me fillimin e çdo punimi tim, ente e subjekte të ndryshëm vihen në lëvizje, sa me probleme letrash e pagesash, aq dhe me ngacmime të tjera, pra jo për të zbuluar ndonjë të fshehtë, por për t’më bezdisur e shqetësuar, që të mos jem i përqëndruar tek punimi! E kështu punimi im të dallojë i çakërdisur e me shenja paranoje, pasi në këtë rast kjo –vetvetiu– që ia ul vlerën shkencore një punimi!

Tani kalojmë pak edhe tek vidiot e mia në youtube. Ato ndahen në dy grupe, në ato të cilat janë krijuar nga unë, dhe në ato të cilat janë krijuar nga televizione të ndryshëm në vitet ’90. Të parat janë skeçe dhe filma të shkurtër, nja 10-15 copë, të krijuara në fund të viteve ‘90 dhe fillimet e 2000-shit, ashtu dhe filmime të vetevetes me tema shkencore (12 + 5-6 filmime) në vitet 2013-2016, gjithashtu disa filmime të vetes (5-6 herë në vitet 2019-20) me ngjarje që më kanë ndodhur mua, si dhe 4-5 filmime nëpër natyrë e objekte të ndryshme (liqeni i Komanit, ekspozita, etj.). Grupi i dytë, vidiot nga televizionet e ndryshme, janë nja 8-9 këngë të lehta shqiptare të RTSh dhe 3-4 emisione të ndryshëm të RTSh, si dhe nja 5-6 emisione të televizioneve të huaj, ku dy emisione janë të ndarë në respektivisht 3 dhe 4 pjesë. Kaq.

Gjatë kërkimit të djeshëm në youtube, pashë se të gjitha këngët dhe emisionet e televizioneve të ndryshme nuk gjinden më! Poashtu nuk gjinden as filmimet e bëra në Shqipëri, Ekspo 2000, etj., as ato me ngjarje që më kanë ndodhur mua, dhe as 12 filmime të shkurtëra me tema të ndryshme shkencore! Por gjindeshin ende pak skeçe dhe filma të shkurtër, si dhe disa filmime të miat me tema shkencore, të gjitha këto të hedhura nga tjetër person në youtube.

Pra, panorama aktuale është kjo: bashkë me 2 emisione televizivë shqiptarë, mbi të cilët ka ankesë nga RTSh, janë hequr edhe gjithë emisionet e tjera, ashtu dhe ato të televizioneve të huaj, mbi të cilët nuk jam njoftuar për ndonjë shkelje rregulli, (ndoshta kjo për shkak se janë të vjetër, por besoj edhe për faktin se derri-maç u lihet shqiptarve në këtë rast, siç është traditë tek miqtë tanë perëndimorë, qysh nga koha romake, të cilët punët e pista i bëjnë me soldnera (laskarë) të huaj!) Gjithashtu, bashkë me këngën e Irma Libohovës, (e cila kështu që kështu ishte e ndërprerë pa i arritur fundi), janë hequr edhe të gjitha këngët e tjera.

Tani, duke qenë të formuar nga ana juridike, duke qenë edhe vetë krijues, e dimë se pa respektuar ligjet –mes tyre të drejtën e autorit– nuk mund të pretendojmë për drejtësi dhe demokraci. Kështu, nëse dikush pretendon se ka të drejtën e autorit mbi këngët dhe emisionet e transmetuara në vitet ’90, unë jam shumë dakort që ti heq këto këngë dhe emisione nga kanali im! Mirpo unë nuk jam lajmëruar nga asnjë ent a institucion i caktuar për këtë gjë, as nga ndonjë qytetar i thjeshtë! Unë jam lënë i lirë nga youtube ti hedh këto kënëgë dhe emisione përgjatë viteve 2016-18, si dhe një emisioni të një televizioni austriak mbi I.Kadarenë në tre pjesë, që e kam hedhur aty nga viti 2019-20, se nuk më kujtohet mirë viti. Pra, unë jo vetëm nuk kam patur ndonjë përfitim material e shpirtëror, sepse vidiot e mia nuk kanë reklama dhe mua nuk më tërheqin vëmëndjen klikimet dhe gjithfarë budadallëku tjetër i botës “moderne”, unë jo vetëm kam ndihmuar pakëz kulturën shqiptare me këto hedhje në internet të disa inçizimeve të vjetra, që nuk gjinden më, por tashmë nuk kam më mundësi as të hedh sërish ndonjë material tjetër të vjetër, që nuk gjindet kërrkund! Mirë kjo, se –po themi– nuk më prek personalisht, apo –po mendoj– nuk ngeli kultura shqiptare të ndihmohet nga unë, se ka kush mendon për ‘të, por unë tani nuk kam mundësi as të jap një mendim si qytetar i lirë, siç ma kërkon ligji, shteti dhe shoqëria, unë tani nuk kam mundësi as të denoncoj një dukuri negative të caktuar në opinionin publik, që mund kem vërejtur, unë tani jam një qënie i detyruar të hajë një copë bukë dhe të vegjetoj gojë-mbyllur dhe i izoluar, çfarë mund të më bëjë edhe më të padëshirueshëm për shtetin dhe shoqërinë, sepse –në këtë të ashtuquajtur demokraci– do mendojë çdo kush që unë jam një qënie asociale dhe shikoj vetëm interesin personal!

Mirë se shteti dhe shoqëria nuk kanë nevojë për një krimb dhe të çmendur, si puna ime, nuk kanë nevojë për llapaqenër dhe zhurmuesa, si puna ime, por –nëse pranojmë se ligji ka vepruar edhe tek mua njëlloj siç ka vepruar tek të tjerët– a nuk ka mundësi që ky lloj izolimi dhe neutralizimi të përfshijë shtresa të gjëra të shoqërisë, çfarë mund të emulsojë këtë shoqëri?!? Dhe, a nuk po shohim ne përgjatë viteve dhe dekadave të fundit një vrapim amoku të drejtuesve shtetërorë në sa e sa aspekte, sa bllokimi i kanaleve në youtube ka përfshirë me dhjetra njerëz, me qindra e mijra janë shmangur me gjithfarë metodash friksimi e të rafinuara nga interneti, me dhjetra mijra janë gjobitur dhe po izolohen me gjithfarë metodash edhe nga jeta shoqërore, e miliona të tjerë janë kthyer totalisht në jetën personale e familjare, pa iu kërcitur fare se ç’ndodh jashtë apartamentit të tyre, por duke parë vetëm rehatimin dhe pasurimin e vetes e të familjes së tyre?!? A nuk po e dallojmë këtë individualizëm sa arrogant aq dhe injorant, sa të frikshëm aq dhe të dëmshëm për të ardhmen e sejcilit?!? A nuk po ia bën muuu hipokrizia dhe budadallëku i gjoja interesimit për probleme sociale, ambienti, politike, etj., në një kohë që e gjitha dallon me kilometra larg si maskerada dhe shou i radhës, sa për të arritur statuquon e dëshiruar të rehatisë dhe pagës pa mundim?!?

Mirë unë e kam gabim, mirë unë jam në faj, se kam vite që i duroj goditjet e shtetit dhe ligjit, pse jo, edhe trokitjet e Qiellit, po të doni, kështu kam patur kohë boll të reflektoj e ta shoh shtetin juridik, ta kuptoj ligjin e barabartë për të gjithë, ta ndjej tolerancën dhe demokracinë perëndimore! Por përse këto ente të pavarura si youtube i heqin edhe filmimet e mia private, ato me tema shkencore dhe ato që më kanë ngjarë mua përgjatë viteve?!? Mos ato filmime përmbajnë gënjeshtra dhe citime të gabuara? Nuk e besoj, sepse kanë qenë mendimet e mia shkencore, pa citime fare! Si dhe ndodhira mbi mua, ku kanë qenë të përfshira institucione dhe organe shtetërore, apo subjekte e persona joshtetërorë, për të cilat prokuroria duhet të hetonte në fakt, sepse ato kanë zgjatur rreth 18 vjet papushim deri tani, pa llogaritur të tjera të mëhershme, të cilat po i kategorizoj si të rastësishme. Mirpo në vend të hetimit, ato tani po mbulohen fare përmes heqjes së tyre nga youtube dhe bllokimit të kanalit tim! Mos tregon kjo heqje e tyre dhe bllokimi i kanalit tim, se ato video dhe unë i jemi përkushtuar të vërtetave!? Të vërtetave të tilla që dëmtojnë individë të pushtetshëm dhe kasta shtetërore!? Nëse po, atëhere kjo tregon edhe njëherë, se sot çensura po fiton mbi mendimin e lirë, se ligjet me disa fytyra po dënojnë fjalën e lirë, se nyjet diktatoriale po shtypin qytetarin e vogël dhe individin e pambrojtur! Këto forma të kamuflluara mesjetare vazhdojnë prej 18 vjetësh në kurrizin tim, vitet e fundit me një intesitet rritjeje. E keqja më e madhe është, që nuk kanë fund! Kështu mund të jetë edhe kjo masë e youtubit, pa afat të përcaktuar, që d.t.th. se njeriu ndalohet, neutralizohet, dënohet përjetsisht, çfarë as diktatura e kaluar nuk mund ta imagjinonte në ligjet e saja dragoniane!

Duket se shteti i sotëm gjerman, pse jo, shumë shtete të tjerë në botë, janë bërë aq të fuqishëm në raport me qytetarët e tyre, sa mund të neutralizojnë cilindo njeri që mendon se mund të flasë lirshëm! Po e shohim në Gjermani, po e shohim në Shqipëri, e nuk ka nevojë të marrim pastaj rastet në Rusi, Kinë, Izrael e gjetkë, se po krijohen situata që po e bëjnë njeriun mjaft të vogël, materialist e arrivist, mizantrop e mikroborgjez, pas tyre edhe hipokrit, servil e të friksuar, sa unë nuk e di drejt kujt rruge po shkojnë shoqërira të tilla!?! Nëse do të vazhdojë kjo gjëndje, nëse nuk do të çlirohen shoqëritë e sotme perëndimore nga shumë tabu të tyre, nëse nuk do të bëhet diskutim i hapur për çdo temë e problem, kam frikë se të dëmtuarit në këtë rast nuk do jenë aq tipat si puna ime, por fëmijët e këtyre që sot po vendosin këto masa antidemokratike, jo-ligjore e antinjerëzore! Të paktën unë i kam paralajmëruar me dhjetra herë e do vazhdoj të gjej mënyra ti paralajmëroj sërish për gropën që po i hapin vetes! Por kam frikë se janë aq injorantë e arrogantë, sa duke mbajtur hundën përpjetë, nuk do t’arrisin ta ulin ndonjëherë kokën e të shohin rrëpirën, ku po tërheqin -sëbashku gjithë shoqërinë- edhe fëmijët e tyre! 29.4.2023

Cdo mendim e kritike mund te dergohet ne adresen time, per te dale poshte shkrimit per te cilin flet: robertthomai@gmx.de

Ky shkrim dhe cdo tjetwr nga kjo faqe, mund te merren pa leje te vecante e te nxirren kudo e kurdoherw, por -ju lutem- me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj