te dyshuar

     105 mijë shqiptarë të dyshuar si kriminelë  

„Hakerat iranianë“, kanë nxjerrë sëfundi në median sociale të internetit, në ‘telegram’, një listë me rreth 105 emra shqiptarësh, të cilët janë të dyshuar nga … fillimisht për këto lista u shpreh opozita dhe media, të cilat thanë se këto emra janë nxjerrë nga kompjuteri i policisë shqiptare, më konkretisht: nga MEMEX, që është shkurtimi i databazë-s elektronike të hetimeve policore. (Nëse ju kujtohet, para dy-tre vjetësh, me inisiativën e miqve tanë të huaj dhe të kryeministrit shqiptar u hodh në Kuvend dhe u votua ligji, që i lejonte edhe policisë të hetonte vetë dhe pa urdhër nga prokuroria; pra, nëse policia shqiptare heton tani 105 mijë apo 1 milion shqiptarë, kjo është tashmë e ligjëruat dhe s’ka pse të na çudisë!)
Ministri i brendëshëm, Çuçi, deklaroi se kjo listë nuk i përket policisë së shtetit dhe … dhe po të ndjekësh mediat shqiptare në ditët vazhduese, fjalët e ministrit janë për tu besuar, pra bëhet fjalë për një listë emrash të nxjerra nga një data-bazë tjetër, që mund të jetë –sipas ish-policit D.Zaganit, tashmë me azil politik në Svicër– TIMS, një databazë kjo më pak e mbrojtur e që përmban emrat e atyre me proçese të ndryshme gjyqsore. E zëra të tjerë thonë se këto emra mund të jenë nxjerrë edhe nga listat e ALSAT-it, që janë thjesht lista qytetarësh me probleme të ndryshme zyrtare dhe jo kriminale.
Edhe nëse shohim disa nga emrat e kësaj liste, (sepse mediat na kanë dhënë vetëm disa emra nga kjo listë, e pikërisht ato të disa politikanve, deputetve, gazetarve, ambientalistëve, këngëtarve), kuptojmë se kemi të bëjmë me persona jo kriminalë, por që mund të jenë të dyshuar nga policia apo prokuroria për ndonjë aktivitet jo aq konform ligjit. (E të shikosh ligjet shqiptare sot, me disa fytyra, vështirë të gjesh njeri që është lojal dhe konform këtyre ligjeve!)
Përveç kësaj bie në sy, se këto emra shoqërohen thjesht nga një foto e tyre, kjo e viteve të shkuara, ndoshta e rreth 13-15 vjetive më parë. Gjithashtu shoqërohen nga nr. i kartës së identitetit të sejcilit, por nuk është saktësuar ende, nëse bëhet fjalë për karta aktuale identiteti, apo të kaluara. Kjo do të tregonte shumë, besoj unë, pasi, nëse kemi të bëjmë me karta të reja identiteti krahas fotove të vjetra, kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një lojë –dreqi e di pse– të dikujt. Ndërsa po të kemi të bëjmë me kartëra të vjetra identiteti krahas atyre fotove të vjetra, kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një databazë mëse të rëndomtë zyrash ALEAT-i, apo tjetër zyrtare; por edhe e policisë po të jetë, sërish nuk përbën ndonjë sensacion.
Diçka tjetër që ka rënë në sy tek faqet me këto foto e emra, është fakti që në fund të çdo faqeje shkruhet në anglisht albanian suspects (shqiptarë të dyshuar). Që do të thotë se, ose policia shqiptare shkruan në databazën e vet në gjuhën angleze (!?!?), ose kjo databazë ka rrjedhur nga zyra jo shqiptare, pra të ndonjë zyre inteligjence të huaj. Përderisa varianti i parë është pa kuptim, mbetet varianti i dytë, që do të thotë, se zyra të huaja policore e të inteligjencës kanë të dhëna të plota të një shumice të madhe shqiptarësh –dhe këta të dyshuar prej tyre për … arsyet që vetëm ata i dinë! Ky fakt ngre pyetjen e thjeshtë teknike, nëse këta të huaj i kanë vjelur vetë këto të dhëna nga serverët shqiptarë, apo i kanë marrë dhuratë nga kolegët e tyre shqiptarë!? Në këtë vjelje-bashkpunim, filmi mund të jetë edhe më i komplikuar, por meqë kjo data-bazë nuk duket aq pikante, nuk ia vlen të merresh me të gjitha llojet e filmave të supozuar. Shkurt mund të thuash vetëm që, kjo është një databazë e vjetër me persona që do të kenë patur ndonjë problem gjyqsor, apo akuzë të ngrejtur, dhe në ‘të gjinden si emra të njohur, ashtu dhe qytetarë të “rëndomtë”; shërbime inteligjence të huaja perëndimore i mbledhin të gjitha të dhënat mbi njerëz të karrierës administrative e politike, mbi njerëz të artit e kulturës, sportit e shkencës, jo vetëm nga Shqipëria, por thuajse nga të gjitha vëndet e tjera të botës së tretë, punë kjo e kryer prej të paktën këto 100 vjetët e fundit, kështu edhe kjo databazë –në një a tjetër formë– mund të konsiderohet e rrjedhur nga kompjutera të huaj dhe jo shqiptarë.
Tani, pasi pamë se kjo databazë nuk përbën thembrën e Akilit, ne dallojmë se ajo përbën një nga ato nyje të shumta të përfshirjes së Shqipërisë në këtë Luftë të Ftohtë të re, që ka nisur me 11 shtatorin 2001 e po intesifikohet më shumë këto vitet e fundit, –hë për hë me piksynimin kryesor ndaj Iranit, në kuadër të planeve të reja gjeo-politike të Perëndimit. Pra, Shqipëria është e rreshtuar në krahun perëndimor dhe –me apo pa dëshirën e saj– po kryen detyrat e caktuara nga krerët e këtij perëndimi, të cilët vrojtojnë gjithshka nga Uashingtoni, Londra, Berlini, Parisi, Brukseli e Ankaraja. Rrjedhja e fundit kompjuterike mund edhe të jetë një spërdredhje e vogël bythe e shtetit shqiptar, për ti treguar botës dhe Iranit se ajo është nën darën amerikano-izraelite dhe s’ka ç’të bëj. Por mund të jetë edhe një hakim iranian ndaj një databaze me rëndësi mjaft të vogël. Sido të jetë, ashtu apo kështu, këdoqoftë ndihmoftë kjo rrjedhje, iranianët apo amerikanët, këto filma kompjuterkë na bëjnë ne shqiptarëve –po si tek ai biologu që humbet pas të gjitha detajeve të pemës e harron sëfundi çdo të thotë ‚pyll’– ta humbim mëndjen pas gjithë këtyre çingërrimave të “sulmeve” kompjuterike, duke harruar faktin e futjes përherë e më tepër nën ombrellën perëndimore të planeve të saja shekullore e konfliktuale me Lindjen, kështu duke harruar edhe faktin e humbjes përherë e më tepër të panvarsisë së shtetit shqiptar, kështu duke harruar faktin e ndodhjes së Shqipërisë përherë e më tepër nën diktatin e disa personave në Perëndim. Biles mua më duket se, sado të përpiqen sot dhe akoma drejtuesit e Shqipërisë të ruajnë një farë panvarsie nga bota e huaj, ata e kanë ngrënë tullumin aq shumë deri më tani, sa që mendimet dhe dëshirat për panvarsi mbeten utopia më e dukshme që ka përjetuar ndonjëherë ky (ish)komb! 11.10.2022

. ***

Cdo shkrim i faqes time mund te merret e nxirret kudo e kurdohere pa leje te vecante, por me referimin e caktuar, fjale cimbuese, ose robert thomanikaj.

Cdo koment dhe kritike mund te dergohet ne e-mailin tim, per tu nxjerre poshte shkrimit per te cilin ben fjale, robertthomai@gmx.de