korona virus

                                          Rroftë virusi Korona    

   Nuk e kishim imagjinuar, por e përjetuam! Në fillim virusi erdhi pa ndjerë, lehtë si valët e detit. Më pas u shtua e tërbua si era e marrë e tajfunit. Andej nga fundi –shpresoj të mos jetë fundi– virusi korona na përfshiu në dalldinë e tij, po si një uragan i paralajmëruar ditë më parë nga sektori i metereologjisë, duke na ngrejtur lart në qiell, sa nuk e kuptuam më nëse kishim kaluar në botën tjetër, apo ishim ende në këtë botë, por jo si më parë. 

   Në fazën fillestare, ne nxënësit e shkollave as nuk e çonim nëpër mënd, se për çfarë pa na flisnin prindërit gjithë merak, e nga ana tjetër politikanët –siç e kishin zakon– gjithë siguri për mospërhapje paniku. Në fazën e mesme, atë kur na i mbyllën shkollat dhe na thanë të rrimë në shtëpi për disa javë, as nuk u gëzuam e as nuk u hidhëruam; thjesht vetëm u çuditëm! Në fakt, të jem e sinqertë, edhe nuk e kuptuam se për çfarë bëhej tamam fjalë, pasi lajmërimi erdhi papritur. E dinim tashmë dëmin e këtij virusi, por nuk e kishim menduar se ai mund të vinte deri tek ne. Na ishte fiksuar përmes instagramit, ku merrnim infot e përditshme, se ky virus kishte të bënte vetëm me ata kinezët e mallkuar andej larg, por jo me ne!..  

   Nga faza e mesme në atë finale, ky dreq virusi nuk na la fare kohë ta kuptonim përse bëhej fjalë xhanëm. Gjithkund nisën të mbylleshin të gjitha! Thuajse të gjitha komunikimet tona të përditshme. Shit! Instagram, viber, whatsapp, facebbook, twitter, snapchat, tik-tok, një e nga një i mbyllën aktivitetet e tyre. Pak më vonë edhe messenger dhe skype. Mbetën akoma –por edhe këto nuk dihet për sa kohë do të vazhdonin akoma– youtube dhe komunikimet përmjet e-maileve. Ndërsa prindërit tanë vazhdonin po si kukudhi ti mbanin sytë akoma përpara atij dreq … se nuk po më kujtohet emri … ah, po, televizori!.. 

   –Hë mo plako, -i drejtohesha unë në atë fillim karantene shtëpiake prindërve, –ç’a thu ai dreq TiVuje?! 

   Ata kthenin sytë nga unë me habi dhe më vështronin gjatë pa folur, sikur tu kish ardh ndonjë alien nga kozmosi. Por nuk mund tu vije faj, sepse, me thënë të drejtën, kushedi kur kishim komunikuar për herë të fundit. Pasi unë i lashë për kastile ato tre sekonda të pambaruara shikimi të tyre prej kukudhi, u gajasesha: -Ho më, ç’o shef si batman? Ha-ha!… 

   Mamaja mblidhte buzët –nuk e di përse– dhe më fliste: –Kujt po i flet moj vajzë?.. 

   Ah, ç’qyfyre ka me prind’ e mi! –Po dy ju or plak, dy ju! 

   Babi kthente sytë nga mami dhe e pyeste nëse ajo kuptoi gjë. Mirpo edhe ajo mblidhte supet! –Fole në njëjës moj bijë, -mu drejtua im atë, sikur të më zevëndësonte mësuesen e gjuhës. 

   –O plak, -m’u ngrejtën nervat –ç’a ky njojs?!.. Ti munsh sqaro pak koronën k’tu, se s’a duru ma!… Shit problem! 

   Prindërit e mi panë njërin-tjetrin në sy dhe mblodhën buzët, sikur tu kish humbur ndonjë gjë. –Harro mushk valarenë, se Ali pashën e prenë! –i foli plaku plakës dhe u kthye nga televizori. Për fat që atë kohë hyri dhe vllai në dhomë, se e dëgjoi edhe ai gjuhën e pakuptueshme të plakut, dhe ia ktheu në vend. –Ç’a kto … shit pa kuptim babo? –dhe u plandos mbi kolltuk, gjë që s’e kisha pa ndonjëherë, sepse atij nuk i zinte bytha vend. –Këto mufka, deshe të thoje? -a ktheu plaku. –E, mufka… xhufka, fuck! –ia ktheu si gjoja nervoz vëllai. Vëllai im është në klasë të shtatë, ndërsa unë në të nëntën. 

   Kështu, për shkak të virusit korona, për shkak të izolimit në shtëpi, për shkak të bllokimit të gjuhës tonë të përditshme në internet, nisëm si pa kuptuar grindje të përditshme me prindërit, se –vetvetiu– kishim kushedi sa vjet që nuk ishim grindur, ngaqë nuk para komunikonim me njëri-tjetrin. Fjalët tona të shkëmbyera përmblidheshin vetëm në ato pak gjëra më të dosmosdoshme, si bie fjala, kur kishim ndonjë eskursion dhe na duheshin lekë, apo do të bënim me klasën ndonjë udhëtim diku dhe gjithashtu na duheshin lekë. Më tepër do të ishte humbje kohe të shkëmbeje me prindërit ndonjë llaf. Brezi i tyre na dukej si një brez i humbur kot më së koti. 

    Me kalimin e ditës pamë se në shtëpi kishim edhe një vëlla tjetër më të vogël, i cili shkonte në klasën e tretë. Nuk është se e kishim harruar atë fare, por edhe për ta kujtuar nuk mund të jem aq e sigurtë. Ai bënte gjumin e shtatë, kur unë dhe vëllai ktheheshim mbrëmjeve në shtëpi, ndërsa në mëngjez ngrihej kur unë dhe vëllai dilnim nga shtëpia për në shkollë. Edhe gjatë pasdites, kur ne vinim nga shkolla, ai luante jashtë me shokët e tij, kështu që –nuk ju gënjej– unë dhe vëllai (i rritur) gati ia kishim harruar fytyrën. 

   Po nejse, kjo nuk ishte çudia e këtyre ditëve izolimi, por unë dhe vëllai, i madhi –e kam fjalën, po nisnim të kuptonim gjuhën e prindërve. U bëmë kureshtarë qysh në ditët e para. Shkëmbenim me ‘ta fjalë, si e si të mësonim se ç’po thonin. –Babo, -i fliste vëllai, –ku e ke chat ti mamin? 

    Babi ngrinte sytë i habitur, pa e kuptuar siç duket, dhe kthehej nga mami: -E po kot nuk kanë thënë të parët moj grua, mali me malin nuk piqet, por njeriu me njerinë piqet! 

   Unë dhe vëllai nuk e mirrnim vesh se ç’donte të thoshte, por pikërisht kjo gjë na bënte më kureshtarë e na nxiste ti ngacmonim prindërit më tej, për të bërë pak gallatë. (Në fund të fundit edhe nuk kishim ç’të bënim, sepse ishim tashmë të izoluar në shtëpi nga ky dreq virusi korona.)  –O plak, ç’a kjo, mali piqet? Ha-ha, fuck! –Ba, ç’a njeri piq? 

   –Poçja bosh zhurmon më shumë! –foli sërish babi, duke parë nga mami. Ne dy fëmijët e tij s’po mernim vesh fare se ç’po thoshte! Nuk e kishim dëgjuar ndonjëherë, që ai të fliste në gjuhë të huaj! Lëre që –siç thashë më lart– kur i dëgjonim ndonjëherë prindërit tanë ne! Ne dëgjonim dhe shikonim çdo ditë gallatat tona në celular. Ishim mjaft të zënë me instan, tik-tokun, fejsbukun, e ndonjë tjetër. 

   –Gjithkush leu, mend e veta pëlqeu! –na tha një ditë më pas mamaja. Sentencës së saj iu afruam pak, ndaj dhe iu lutëm të na e shpjegonte më mirë shprehjen e saj. –Po ja moj bijë, -vazhdoi ajo, –ju nuk na kuptoni, se deri tani keni pëlqyer tabiatet tuaja të reja! 

   Dreqi e marrtë, u hodhëm përpjetë unë dhe vëllai (i madh), po nisnim ta kuptonim gjuhën e prindërve tanë, ndonëse akoma jo tërësisht. Izolimi prej koronës po na e mundësonte diçka të tillë. Tashmë rrinim të gjithë bashkë, siç nuk kishim ndenjur më parë. Po mësoheshim me gjuhën e njëri-tjetrit, po njihnim shoqi-shoqin, sepse –më duhet ta pranoj– më parë nuk e kishim patur këtë mundësi! Ose ndoshta nuk e kishim ndjerë të nevojshme. Sepse na e mbushte ditën celulari. Gjuha e re që po mësonim, po na pëlqente. Ishalla zgjaste dhe ca kjo korona, thonim.

   –Si thoni, -na u drejtua mamaja një ditë tjetër, –a doni ti telefonojmë gjyshes e të flisni me ‘të, ta pyesni se si është me shëndet? 

   Gjyshes … gjyshes … po vrisnim mëndjen unë dhe vëllai (i madh) për këtë emër të padëgjuar më parë! –Kush është kjo, -morri ai i pari guximin të pyeste. Ndërkohë babai nga guzhina na e ktheu: -Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë!?.. 

  Fr. 13.3.2020                                                  ***   

.