burg!

                                               Në burg!   

   Nuk është për tu çuditur, nëse një qytetar mesatar shprehet për masa radikale ndaj keqbërësve dhe thyerësve të ligjit në situata paksa të shtërnguara, pa kuptuar se kështu ai i bën këto situata edhe më të shtërnguara. Kështu ne kemi dëgjuar sa herë në kohën e “atëhershme” për varje në litar të tradhëtarve të vendit, (atyre që donin të arratiseshin jashtë shtetit), për prerje duarsh ndaj hajdutve përsëritës, për lënie pa bukë e ujë atyre të dënuarve që hidhnin vickla dhe ankoheshin, për prerje fundesh dhe pantallonash kaubojs atyre të rinjve që e kishin qejf modën “e huaj”. Edhe sot në demokracinë e koronarizuar nuk çuditemi kur dëgjojmë dhe lexojmë komente mbi gjoba të larta për ata që thyejnë karantenën, për burgime të rrepta, për ndalime; ironikisht dhe paradoksalisht disa nga këta njerëz bërtasin pastaj kundra qeverisë, kur qeveria nuk lejon të hyjnë në vend emigrantë të ardhur nga vendet fqinje! 

   Por është mjaft për tu çuditur dhe moskuptuar, kur i pari i qeverisë del dhe flet vetëm për karantenë, gjoba të larta dhe burgime disa vjeçare! E të mos harrojmë, është po i njëjti person, i cili në mes të shkurtit, kur virusi i tashëm kish nisur të bënte kërdinë në Itali, apo kur komentues të ndryshëm jepnin nëpër gazeta shqiptare alarmin për të qenë të siguruar me ushqime, me dezifenktantë, me maska, me doreza, ky kryeministër bënte akoma gjumin e dimrit! Dhe vetëm pas 25 shkurtit, kur sirenat e alarmit po oshëtinin nëpër çdo cep të botës, se s’mbante më ujë pilafi, ky kryeministër nisi si ministr shëndetsie, si mjek virolog, si zëdhënës i të gjitha institucioneve shëndetsore, si zëdhënës edhe i qeverisë, si gjitholog –siç me të drejtë ka marrë këtë emërtim muajt e fundit– të shprehet për masa kundra virusit, si fillim me shprehje të përgjithshme e të papërcaktuara qartë, por me kalimin e ditëve i përcaktoi qartë masat kufizuese, me ndryshime nga dita në ditë, duke budadallëpsur jo vetëm dëgjuesit e tij, por edhe veten sëfundi.  

    Duke filluar nga masat e izolimit nëpër shtëpia e deri tek ato të mbylljeve të kufinjve, asnjëra prej tyre nuk u zbatua përpikmërisht, –qysh më 1 mars u fol për ndalimin e trageteve dhe avionëve nga Italia, gjë që u arrit vetëm aty nga data 9-10 mars, ndërsa avionët nga Stambolli dhe nga kontinenti matanë Antlantikut vazhduan edhe ditë të tjera më pas. Pse? Sepse ky kryeministër nuk i kish parashikuar ndonjëherë në jetë të vet situata të këtilla. Çfarë e tregoi edhe kapja gafil në shumë drejtime të tjera, si mungesa e maskave, dorezave, alkolit për të dezifenktuar, veshjeve speciale për raste infenksionesh me viruse dhe bakterie të rrezikshme. 

   Mirë se kjo situatë kapi deri diku gafil edhe vende të tjera me emër “të madh”, por çdo shtet ka specialistët e vet për çdo situatë. E aq më tepër duhet ti ketë një vend i ngrohtë si Shqipëria specialistë të tillë, sepse është i rrezikuar nga shumë sëmundje ngjitëse që përshkojnë vendet tropikale dhe subtropikale. Specialistë të tillë injiciojnë me mëndje dhe me veprime parapregatitore situata nga më të ndryshmet. Ashtu si çdo repart ushtarak bën stërvitje ushtarake për situata të ndryshme lufte, ashtu siç çdo repart zjarrfiksesh bën prova të herpashershme për shuarjen e zjarrit, po kështu çdo spital duhet të ketë programin e tij vjetor për stërvitje të tilla. Po kështu duhet të kenë programe të tilla edhe azilet, zyrat e administratës, shkollat, firmat etj.. Kështu janë të detyruara të mendojnë edhe për mjetet mbrojtëse, që nuk duhet të mungojnë në të këtilla situata.

   Duke qenë këto stërvitje në programe vjetore ose dy-vjetore, çdo qytetar i vendit është i pregatitur për çfardo lloj situate. Biles, të tilla situata të vështira trajtohen pastaj edhe në biseda familjare. Kështu do të kemi një vetndërgjegjësim jo vetëm profesional, por edhe një vetndërgjegjësim qytetar. Dhe jo disiplinim të detyruar, që e degradon shoqërinë psikollogjikisht dhe psiqikisht. Apo siç quhet në gjuhën popullore, që e depersonalizon njeriun. Siç e pamë këto ditë në mediat shqiptare, ku dikush i fshihet policisë, dikush i ikën me vrap… Pse? Sepse padituria e kryeministrit dhe papregatitja e shtetit në të këtilla situata i është bashkëngjitur paditurisë së popullsisë, po ashtu të papregatitur për këto situata. Njëri vendos orare të kufizuara, duke i detyruar njerëzit të marrin me zor virusin covid-19 në grumbullime të ç’organizuara, të tjerët nuk dinë çfarë të bëjnë më parë nën masa kufizuese dhe dënime ligjore! Njëri flet për gjoba marramëndëse dhe për burg, tjetri gjindet përballë ndëshkimit nga shteti dhe jo nga virusi! Njëri gjurmon tjetrin ta ndëshkojë, tjetri përpiqet ti ikë ndëshkuesit. Aq sa të dy e harrojnë virusin, të dy e harrojnë përse po gjurmojnë njëri-tjetrin, sepse gjithë jetën kanë gjurmuar njëri-tjetrin; dhe kjo u duket normale! Dhe virusi këtë lloj sjellje kërkon nga qëniet dykëmbësore! Marrëzi, hutim, mos-pregatitje, që ai tu futet nga goja, hundët, sytë, dhe ti palosë sëbashku me paditurinë tyre!  14.04.2020   

.                                              ***

Cdo mendim e kritikë është e mirpritur në adresën: robertthomai@gmx.de  dhe mund të nxirret poshtë shkrimit me kërkesën e dërguesit

Cdo shkrim i kësaj faqeje mund t’merret e t’nxirret kudo e nga cilido pa leje të veçantë, por si gjithnjë me referimin e duhur: fjale cimbuese, ose: robert thomanikaj